E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të pushtetit lokal nga Kosova

Kryeministri Berisha priti sot, në një takim, në kryeministri, një delegacion të zgjeruar përfaqësuesish të pushtetit lokal në Kosovë. Delegacioni i përbërë nga 32 vetë, anëtarë, kryetarë dhe nënkryetarë komunash.  Kryetarë të kuvendeve komunale të 6 komunave po zhvillojnë një vizitë në Shqipëri në kuadër të një programi në fushën e qeverisjes lokale, nga Instituti për Qeverisje Lokale në Kosovë. Delegacioni kryesohej nga  z. Besnik Tahiri, Drejtor  Ekzekutiv  i Institutit.

Ata e njohën Kryeministrin me qëllimin e vizitës së tyre, bashkëbisedimin me drejtues të qeverisjes qendrore e lokale, në mënyrë që të njihen me zhvillimet dhe reformat që Shqipëria ka ndërmarrë në tërësi në procesin e integrimit Europian, si dhe me reformat për konsolidimin e zgjerimin e përgjegjësive të pushtetit lokal.

Kryeministri Berisha, duke shprehur vlerësimin për këtë projekt, theksoi rëndësinë dhe dobinë e vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet  dy vendeve në fushën e qeverisjes  vendore.  Ai shprehu bindjen se qeveritarët vendore të të dy vendeve mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe t’i zbatojnë ato me sukses në komunat respektive, në interesin më të mirë të komuniteteve që ata drejtojnë. Qeveritarët vendorë, tha Kryeministri, janë ata që lidhen direkt  me njerëzit dhe me veprimtarinë e tyre kanë ndikimin direkt në jetën e tyre dhe të komuniteteve në tërësi.

Në bashkëbisedim me ta, Kryeministri Berisha u ndal në disa nga reformat themelore në forcimin e kapaciteteve dhe kompetencave të pushtetit lokal.  Kryeministri theksoi se qeveria ka rritur 4 deri në 5 herë financimin për qeveritë vendore dhe është e gatshme të  mbështesë me financime projektet e qeverisë vendore. Modeli i hartimit të projekteve nga qeveritë vendore,  mbështetja me financime nga qeveria qendrore dhe zbatimi i tyre nga pushteti vendor, theksoi Kryeministri, funksionon në mënyrë të shkëlqyer.

Gjithashtu, procesi i decentralizimit, tha Kryeministri, është një reformë kyçe për fuqizimin e pushtetit vendor, rritjen e autonomisë së tij, si një kusht  themelor për demokracinë dhe konsolidimin e saj. Kryeministri theksoi gjithashtu se është koha e një decentralizimi të thelle fiskal, për të cilën qeveria po shqyrton format më të mira. 

Kryeministri i njohu ata me investimet e bëra në ndërtimin e infrastrukturës rrugore  dhe me programin ambicioz të ndërtimit dhe rindërtimit të një rrjeti të ri rrugor. Në këtë aspekt, Kryeministri vlerësoi rëndësinë jetike që kanë pasur qeveritë vendore për realizmin e këtij projekti.

Duke u ndalur në disa nga reformat, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, si  One Stop Shop për regjistrimin bizneseve, lejeve dhe licencave, për lehtësimin e burokracisë administrative dhe rritjen e transparencës, Kryeministri tha se është shumë pozitive që këto modele po ndiqen edhe nga pushteti vendor. “Pushteti vendor po përpiqet gjithashtu të krijojë sportelin unik të shërbimit të qytetareve, ku qytetari të gjeje të gjitha shërbimet që i nevojiten dhe shpresoj që gradualisht të fillojë të funksionojë në Shqipëri ky sportel fale teknologjisë dixhitale”.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që të pranishëm në këtë takim ndodheshin edhe përfaqësuesit e minoriteteve në Kosovë dhe vlerësoi kontributin që ata japin për komunitetet e  tyre, por edhe vullnetin dhe vendosmërinë e bashkëjetesës për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Kryeministri shprehu besimin se ata do të gjejnë tek bashkitë e komunat në Shqipëri partnerë shumë të dobishëm.


10/05/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›