E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kompanitë franceze janë të mirëpritura në Shqipëri për t’i shndërruar investimet e tyre histori suksesi

-          Kryeministri Berisha pritet me mjaft interes në konferencë e organizuar për nder të tij nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit 

Kryeministri Berisha nisi sot vizitën e tij në Francë, me ftesë të Presidentit francez, zotit Nikola Sarkozi.

Në hapje të vizitës, Kryeministri mori pjesë në Konferencën e organizuar për nder të tij në Paris, nga MEDEF, Shoqata Franceze e Biznesit dhe posaçërisht nga Presidenti i Këshillit të Drejtuesve të Kompanive Franceze, zoti Charles Paradis.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin përfaqësuesit më të rëndësishëm të biznesit francez, të korporatave të mëdha, të grupeve bankare, grupeve të menaxhimit etj, të cilët me pjesëmarrjen e tyre të gjerë kishin treguar një interes shumë të madh për vizitën e Kryeministrit Berisha në Paris.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë përfaqësuesit e kompanive të pranishme në këtë takim. Ky takim, theksoi Kryeministri Berisha, bëhet në një periudhë mjaft të rëndësishme për zhvillimin jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë rajonit, veçanërisht në proceset e integrimit  euroatlantik të këtyre vendeve, të cilat kanë bërë një progres të jashtëzakonshëm në projektet e tyre për zhvillimin dhe forcimin e demokracive. Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe e Malit të Zi, e ka bërë rajonin tonë një rajon më të lirë se kurrë më parë. Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë e ka bërë gjithashtu rajonin më të sigurt se kurrë më parë dhe ka shtuar vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Proceset integruese në vendet e rajonit, tha Kryeministri Berisha, kanë kërkuar realizimin e reformave të thella, por Shqipëria është e vendosur që këto reforma t’i ketë si udhërrëfyese dhe ajo do të vazhdojë edhe më tej rrugën e tyre, për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të së drejtës në vend, si dhe ngritjen e një ekonomie moderne dhe të zhvilluar, bazuar në parimet e ekonomisë së lirë të tregut.  

Kryeministri u ndal në politikat ekonomike të ndjekura nga qeveria dhe theksoi se qeveria shqiptare ka prezantuar një buxhet i cili lejon Shqipërisë që të ruajë ekuilibrin makro-ekonomik të vendit. Shqipëria, përmes ndjekjes së kritereve dhe politikave fiskale të saj, ka arritur të ruajë objektivin e stabilitetit makro- ekonomik të vendit. Qeveria shqiptare ka mbështetur dhe ka marrë të gjitha hapat e nevojshëm për krijimin e një klime sa më të favorshme të biznesit dhe afrimin në këtë mënyrë të sa më shumë investitorëve të huaj në vendin tonë, tha Kryeministri.          

Kryeministri Berisha shprehu bindjen se ekonomia shqiptare do t’u rezistojë pasojave të krizës globale, duke njohur rritje edhe për vitin 2009. Në këtë kontekst, Kryeministri tha se të gjithë investitorët që kanë nisur projektet e tyre në Shqipëri, nuk kanë njohur lëkundje, ndalje, e aq më pak tërheqje nga projektet e tyre madhore, me gjithë krizën ekonomike globale. Vetëm në muajin dhjetor janë nënshkruar kontrata koncensionare në fushë energjetikës prej 3.5 miliardë dollarë.  Kjo tregon se Shqipëria vazhdon të ngjallë interes të madh në fusha të ndryshme të ekonomisë së saj. Me gjithë krizën financiare botërore, Kryeministri theksoi se, për vitin 2008, ekonomia shqiptare ka njohur një rritje të konsiderueshme prej 8 për qind, duke shprehur besimin se edhe për vitin 2009 do të ketë rritje ekonomike.  

Më tej, Kryeministri nënvizoi se viti 2005-2009 kanë shënuar etapa mjaft të rëndësishme të historisë së Shqipërisë dhe fillimin dhe kompletimin e disa reformave jetike për vendin. Duke u bazuar në rezultatet e këtyre reformave, në klasifikimin e saj, Banka Botërore dhe Doing Bissnes, në vitin 2008 e renditën Shqipërinë në 10 vendet e para për sa u përket reformave në vend.

Kryeministri tha se për qeverinë e tij lufta me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe krimit, fenomene të cilat ishin kthyer në sistem në Shqipëri, ishin objektiva themelorë të qeverisjes, pas ardhjes në pushtet në vitin 2005. Kryeministri përmendi një sërë nismash të qeverisë në këtë drejtim si; nxjerrja e administratës nga konflikti i interesit, shkurtimet e shpenzimeve operative, vendosja e prokurimeve elektronike, minimizimi i lejeve dhe licencave dhe vendosja e atyre që mbetën në sistemin ”one stop shop” për lejet dhe licencat, vendosja e “one stop shop” për regjistrimin e biznesit, dixhitalizimi i shumë procedurave të tjera dhe thjeshtëzimi i tyre, ndjekja e politikave të taksave të ulëta, ulja e sigurimeve shoqërore, etj.

Duke u ndalur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, Kryeministri tha se qeveria shpalli që në fillim tolerancë zero në këtë luftë. Si rezultat i luftës së suksesshme, Kryeministri tha se gjatë këtyre viteve Shqipëria doli nga harta e vendeve të zeza të trafikut, duke theksuar se tashmë indeksi i krimit në Shqipëri është një nga më të ulëtit në krahasim me mesataren evropiane dhe vendeve të NATO-s .    

Kryeministri u ndal në fjalën e tij edhe në potencialet e mëdha të Shqipërisë. Shqipëria është një vend i vogël gjeografikisht, u shpreh Kryeministri, por ajo ka mundësi të mëdha zhvillimi. Në këtë aspekt, Kryeministri përmendi potencialet në fushën energjetike të vendit, duke evidentuar kontratat e shumta të firmosura tashmë në këtë fushë, projektet për 4 parqe të mëdha industriale, në Vlorë, Shkodër, Lezhë dhe Koplik, që do të ofrojnë edhe një mundësi shumë të mirë punësimi. 

Duke u ndalur në zhvillimin e turizmit në vend, Kryeministri tha se 2.7 milionë turistë vizituan Shqipërinë vitin që kaloi, pa asnjë incident, pasi ata vizitonin një vend të sigurt. Ai vuri në dukje se janë rreth 400 kilometra bregdet, pjesa më e madhe e të cilit është ende i pashfrytëzuar. Kryeministri tha se prioritet i qeverisë mbeten investime të mëdha në infrastrukturë, ku çdo vit ajo investon në këtë sektor 10 për qind të GDP-së, për modernizimin e akseve kryesore infrastrukturore dhe për zhvillimin e infrastrukturës rurale.

Këto potenciale të mëdha të Shqipërisë dhe reformat e mëdha ekonomike të ndërmarra, e bëjnë Shqipërinë një nga destinacionet më atraktive për investitorët e huaj në vend, u shpreh Kryeministri Berisha. Ai ftoi investitorët e huaj të vijnë të investojnë në Shqipëri, duke i siguruar ata se investimi i tyre do të jetë një histori suksesi. Ekonomia shqiptare, nënvizoi Kryeministri, është ekonomi e re, dinamike dhe shumë entuziaste. Qeveria është e vendosur të vazhdojë të mbështesë fuqishëm biznesin e huaj dhe atë vendas.

Kryeministri u shpreh se në prioritetet e qeverisë mbetet arsimi dhe edukimi. Qeveria ka bërë të mundur dyfishimin e rrogave të mësuesve, nga data 1 maj, si një vlerësim për misionin fisnik të mësuesve, po punohet për nxitjen e sektorit privat në arsim, është bërë e mundur shtrirja e internetit në çdo shkollë dhe qeveria do të vazhdojë të përmbushë politikën e saj të shtrirjes së internetit edhe në çdo shtëpi. Kryeministri tha gjithashtu se, në katër vjet është dyfishuar numri i studentëve në vend.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u ndal edhe në situatën e zgjedhjeve në Shqipëri. Ai tha se qeveria shqiptare do të ndërmarrë të gjitha hapat për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, konform të gjitha standardeve ndërkombëtare. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria po mundëson dhe nxit pajisjen e qytetarëve me Kartat e Identitetit dhe me pasaportat biometrike të standardeve më të larta.   

Të pranishmit e priten me mjaft interes fjalën e Kryeministrit Berisha dhe shtruan shumë pyetje për çështje të gjithanshme të zhvillimit të Shqipërisë. Kryeministri Berisha pati një bashkëbisedim të hapur me përfaqësuesit e pranishëm në këtë konferencë mbi tematika të ndryshme si; projektet e mëdha infrastrukturore, investimet në fushën e bujqësisë,  agrobiznesit, interesimi për çështjet e ndotjes dhe trajtimit të mbeturinave urbane, çështja e transportit urban në Shqipëri dhe rishfrytëzimit të hekurudhave, fusha e turizmit, potencialet e jashtëzakonshme që ka Shqipëria në pasuri minerale, krom, nikel,, bitum, qymyr etj. Gjithashtu, të pranishmit shprehën interes për afrimin e teknologjisë së lartë , si dhe për telekomunikacionin në Shqipëri, për sistemin bankar, për procesin e decentralizimit dhe kompetencat e pushtetit lokal, etj.

Ata vlerësuan hapat e ndërmarra nga qeveria për lehtësimin e aktivitetet të tyre në Shqipëri, shmangien e procedurave burokratike, vendosjen e taksave të ulëta dhe një sërë lehtësish të tjera administrative, krijimin e një klime të sigurt për bizneset e tyre në vend, etj.

Gjithashtu, ata përgëzuan Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për ecurinë e procesit të integrimit në BE, si dhe për rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, për ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në botë dhe perspektivës së qartë evropiane të saj.

Në këtë Konferencë merrnin pjesë grupi banker SOCIETE GENERAL, France Telecom, grupi bankar CALYON, Kabineti i Avokatisë CLIFFORD CHANCE, Kompania Kombëtare Prodhuese e Energjisë (Compagnie Nationale du Rhone), Kompania e Minierave dhe Metalurgjisë DPT TERRASSEMENT, Komapnia e Aeronautikës, Mbrojtjes dhe Teknoligjisë së Lartë EADS,  Komania e Transporteve, EGIS,Kompania e Industrisë së Makinave, GARLOCK FRANCE,Kompania Energjetike GDF SUEZ, Kompania e Energjisë dhe Mbrojtjes, GREEN TECHNOLOGIES,Korporata Financiare GROUPE BANQUE MONDIALE,Zyra  Këshillimore Biznesit JMA CONSEIL, Kompania e Nxjerrjes dhe Përpunimit të Bitumeve, SELENICE BITUMI etj.

Në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të disa ministrive të qeverisë franceze si Ministria e Bujqësisë dhe Peshkimit, Ministrisë së Ekonomisë, Industrisë dhe Punësimit, Ministrisë së Transporteve, Turizmit dhe Detit etj.



24/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›