E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin e mëngjesit ‘Wake Up’ në Top Channel.

(drejtues Eno Popi dhe Ledion Liço)

Eno Popi: Miqtë e Wake–UP, ju përshëndesim nga një mjedis i veçantë. Ne, grupi i punës së këtij emisioni, jemi shkëputur nga studioja jonë për të ardhur në Pallatin e Brigadave, ku na ka pritur këtë mëngjes Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Për këtë ne jemi të nderuar.
Zoti President, falemnderit që na pritët në një ditë të veçantë! Mirëmëngjesi!

Presidenti Topi: Është kënaqësi për mua. Sot ndryshoi pozicioni; nuk e ndoqa emisionin nga shtëpia, por erdha të bisedoj direkt.

Eno Popi: Më bëhet qejfi për këtë! Një prej kurioziteteve më të mëdha të shqiptarëve ma do mendja se është: Si është zgjimi i Presidentit të Republikës? A është ai zgjimi i njeriut normal?

Presidenti Topi: Sigurisht! Ju mendoni se njeriu bëhet anormal kur kalon në një pozicion tjetër?! Unë ruaj ritmin tim të jetës. Përgjithësisht, kam pasur një zgjim gati të përcaktuar, orën 0700 dhe pastaj fillon ritmi i jetës, që tani në pozicionin që kam, është ndryshe. Është një axhendë shumë e ngarkuar, por pwr një njeri mëngjesi është shumë i rëndësishëm, pasi aty fillon ose nuk fillon mirë ritmi i ditës; kështu që besoj se edhe emisioni juaj që ka një emërtim jashtëzakonisht të bukur, u jep njerëzve një pikë referimi që të zgjohen mirë dhe ta marrin ditën me optimizëm.

Eno Popi: E vlerësoj që na ndiqni.
Ne, herë pas here, në program sjellim kuriozitete, por edhe nga jeta e presidentëve, njerëzve që janë vërtet të rëndësishëm dhe sjellin gjëra interesante. Barack Obama, për shembull, zoti President, e gatuante vetë mëngjesin e tij për familjen. Ju e konsumoni mëngjesin me familjen tuaj apo jeni nga ata njerëz që nuk hani mëngjes?

Presidenti Topi: Natyrisht, që ha mëngjes edhe për shkak edhe të fizikut. Unë bëj një mëngjes të shpejtë, ndërsa tradicionalisht kam preferuar të gatuaj darkën; jo për familjen, sepse secili ka shijet e veta, por darkën time, unë përgjithësisht e gatuaj vetë.

Eno Popi: Darkë e lehtë, janë makaronat, karbohidratet fjala vjen?

Presidenti Topi: Jo, nuk shkoj deri në ato meny të rënda, por me gjëra të thjeshta që i shkojnë shijes sime.

Eno Popi: Zoti President, duke qenë se statura që keni tani nuk jua lejon të bëni shumë lloj gjërash që mund t’i kryenit më parë, çfarë ju mungon në jetesën tuaj të përditshme, që nga pozicioni që keni, ka privuar tani që të bënit ato gjëra që bënit më parë?

Presidenti Topi: Ajo që dominon është mungesa e kontakteve me publikun, gjë që e kam kompensuar duke komunikuar në mjedise zyrtare; gjithsesi ritmi dhe mënyra e jetës ndryshojnë shumë. Ndodh ashtu sikurse në ushtri dhe në zbor. Sado të duket se shkon në një pozicion shumë “të lakmuar”, ritmi i jetës ndryshon jo për mirë ditët e para, por njeriu ka aftësinë e akomodimit, pastaj bëhet gjithçka normale. Duke qenë në këtë pozicion, i rregullon marrëdhëniet në mënyrë të tillë që nuk ke më pengesa, qoftë edhe të karakterit psikologjik.

Eno Popi: Për t’u fokusuar pak tek aktualiteti, ajo që rëndon emisionet informative, por edhe në median e shkruar dhe atë të dëgjuar, është çështja e letrave të njoftimit. “Është taksë e votës”, “nuk është taksë e votës”, edhe gjëra të tjera lidhur me këtë çështje, sidoqoftë ju keni aplikuar për letrën e njoftimit. A e morët si përfundim?

Presidenti Topi: Unë kam aplikuar por ende s’e kam marrë, por jo për faj të administratës, por për shkakun tim. Kam tentuar të rregulloj vajtjen atje ashtu sikurse shkuam për të aplikuar. S’jemi bërë asnjëherë të gjithë së bashku, besoj se kësaj jave do ta marrim.

Eno Popi: Do të bëhet një cikël i plotë pastaj. Megjithatë, zoti President, ju i keni bërë thirrje të vazhdueshme të gjithë atyre që nuk janë pajisur me letërnjoftimi, të pajisen me të.

Presidenti Topi: Mund t’ju duket pak e çuditshme, por këtë thirrje unë e kam pasur një leitmotiv edhe kur merresha direkt me politikë, sepse e kam pasur një brengë të madhe që një popull i vogël në numër, në zemër të Evropës, të mos identifikohet në mënyrë të saktë. Do të ishte e papranueshme për secilindo nga ne që të mos dinte ekzaktësisht numrin e popullsisë. Edhe sikur t’i pyesni me radhë, askush nuk do t’ju thotë një numër të saktë. Dikush i afrohet dhe dikush i largohet, por për një përfaqësues të administratës publike duhet patjetër ta dijë ekzaktësisht, por që ta dijë, është e detyrueshme që njerëzit të identifikohen dhe që të identifikohen, ata duhet të marrin letërnjoftimin; kështu që duhet të aplikojnë. Kam bërë disa krahasime, njeriu përderisa jeton në një botë që çdo ditë bëhet më e vogël, do të bëjë krahasime edhe me vende, të cilat, nga pikëpamja e administrimit të popullsisë, kanë vështirësi të panumërta. Dimë që herë pas here regjistrohen popullsi që e kalojnë shifrën 1 miliard, siç është rasti i Kinës; gabime relative mund të ketë, por dihet sesa është. Përderisa regjistrohen 1 miliard e treqind e ca milionë, rreth 4 milionë banorë duhet të regjistrohen e të identifikohen. Këtë duhet ta shohim jo thjesht në funksion të një dite zgjedhjesh, sepse ka edhe njerëz indiferentë që nuk shkojnë në ditën e zgjedhjeve, por bëhet në mënyrë të dyfishtë. Janë dy procese: procesi i parë duhet të konsiderohet domosdoshmëri, pa diskutim, procesi i dytë është në opsionet që kanë njerëzit për të shkuar ose jo; gjithsesi, thirrja që u bëhet nga institucioni është që patjetër ata duhet të aplikojnë letërnjoftimet dhe të marrin pjesë në votim.

Eno Popi: Një pyetje që vjen nga një person me e-mail: “Kur Presidenti i Republikës është i sëmurë, kujt i merr leje për të mos ardhur në detyrë?”

Presidenti Topi: Pyetje vërtetë e vështirë. Duhet t’i marrë leje vetes, sepse edhe kur është i sëmurë, praktikisht, edhe kur është i sëmurë duhet të mendojë për të gjitha punët që duhen kryer gjatë ditës. Është një punë intelektuale, që ka rrjedhën e vet; mund të mbyllësh takimet, por kurrsesi rrjedhën e të gjitha procedurave administrative.

Eno Popi: A ju ndihmon muzika për të përmirësuar gjendjen tuaj fizike apo shpirtërore, meqënëse punoni shumë?

Presidenti Topi: Në zyrë, jo; në shtëpi dhe në makinë po, dëgjoj muzikë. Muzika për mua ka qenë gjithmonë bashkëshoqëruese qysh herët në fëmijëri, atëherë kur përveç këngëve tradicionale të këngëtarëve më të mirë shqiptarë, që vjen nga kujtesa e fëmijërisë, kujtoj gjithashtu, mjaft këngëtarë të muzikës italiane të viteve ’60, që kanë bërë vërtetë epokë, jo vetëm në Itali, por kanë dhënë ndjesi të veçanta edhe për ne që i ndiqnim nëpërmjet valëve të radios.

Eno Popi: Zoti President, kur zgjoheni në mëngjes dhe hipni në makinën presidenciale që ju çon në zyrë, dëgjoni muzikë nëpërmjet radios, rrini në heshtje apo shfletoni gazetat gjatë rrugës?

Presidenti Topi: Natyrisht që heshtje nuk ka. Në sfond ka muzikë.

Eno Popi: Mund ta dimë saktësisht se cila ka qenë kënga që po dëgjonit para se të vinit sot në zyrë?

Presidenti Topi: Më kapët në vështirësi, sepse sot, ndoshta si në pak raste, meqënëse unë isha vonë për këtë takim me ju, nuk iu kushtova muzikës; gjithçka shkoi në heshtje si rast shumë i veçantë, por gjithsesi i bindur se këtë heshtje do ta ndreqja gjatë bisedës me ju.

Eno Popi: E ndreqim tani. Kemi rastin për të dëgjuar një këngëtar që ju pëlqen juve.

Presidenti Topi: Unë kam shumë këngëtarë të preferuar.

Eno Popi: Më ishte krijuar ideja se Presidenti kishte të preferuarin e tij Adriano Çelentanon.

Presidenti Topi: Ai është një këngëtar jashtëzakonisht i nderuar jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët në shumë breza. Tani ai është mbi 70 vjeç dhe, në mos gaboj në muajin janar të vitit 2007 kishte përvjetorin e tij. Them për shumë breza, sepse ai e pati filluar karrierën e tij qysh 17 vjeç. Është një nga rastet e veçanta që vazhdon të këndojë dhe të nxjerrë albume shumë të bukur; gjithsesi, kam preferuar Luço Batistin më shumë sesa Çelentanon. E kam të vështirë t’i klasifikoj, por mesa duket janë precizime të fotofinishit. Luço Batisti konsiderohet jo vetëm si autor këngësh, por edhe si një kompozitor shumë i ndjeshëm. Këngët e tij nuk do të vdesin kurrë. Kjo nuk është konsiderata ime personale, por e kam dëgjuar nga shumë njerëz, të cilët i kanë lidhur ngjarje shumë të rëndësishme të jetës së tyre pikërisht me një këngë të re të tij. Kryesisht, njerëzit kanë lidhur çastin e dashurisë së tyre me një këngë të Batistit dhe kjo ka ndodhur në shumë njerëz.

Ledion Liço: Atëherë, nga Pallati i Brigadave ne shkëputemi për pak çaste, ndërsa ju do të dëgjoni një Luço Batisti “per il vostro piacere”!

Eno Popi: Ky ishte Luço Batisti, këngëtari i zemrës së shumë shqiptarëve. Po ashtu edhe i Presidentit Bamir Topi, i cili na ka pritur në Pallatin e Brigadave, duke na dhënë një intervistë në “Wake –Up”. Për këtë, ne ndihemi të vlerësuar dhe të kënaqur.
Zoti President, emri juaj përmendet shumë shpesh në emisionet e lajmeve, herë pas here edhe në faqet e gazetave. Në çastin që mund t’ju artikulohet emri në formë bezdisëse, çfarë ndodh? Fikni televizorin, hidhni tej gazetën, a keni ndonjë mërzitje?

Presidenti Topi: Së pari, njeriu e ka të detyrueshme të informohet, por gjatë veprimtarisë së tij të punës edhe asaj jetësore, njeriu duhet të dijë të klasifikojë e të përzgjedhë; madje, ai duhet të dijë të kualifikojë. Ndjesia nuk duhet të vijë “ex-tempora”, sepse kjo tregon se ky njeri është i papërgatitur, por duhet të dijë të vlerësojë e të respektojë. Në jetë, ashtu si në politikë apo veprimtarinë individuale të njeriut, ashtu ndodh edhe me median. Media është shumë e rëndësishme, por sikurse kërkohet që të kualifikohen politika, partitë, çdo njeri në karrierën e vet, ashtu duhet të kualifikohet edhe media.
Përgjithësisht, duhet thënë se media ka qenë korrekte me personin tim, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë. Gjithsesi, duke pasur këtë këndvështrim, njeriu nuk shqetësohet shumë, sepse bën pikërisht këtë lloj përcaktimi, sidomos në këtë pozicion. Mënyra më e mirë është që gjërat e çastit t’i anashkalojë dhe të merret me gjëra shumë të rëndësishme. Ajo që më ka shqetësuar gjithmonë, sidomos në detyrën e Presidentit të Republikës, është ruajtja e ekuilibrave të shtetit e të shoqërisë. Kjo detyrë për mua është më e rëndësishme që nuk vjen thjesht nga mënyra sesi e kam unë këtë këndvështrim, por është përcaktuar në dokumentin bazë, nga i cili rrjedhin të gjitha institucionet e tjera, të gjitha veprimtaritë legjislative, është pikërisht Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Zbatimin e këtij dokumenti bazë, që ju tani jeni mësuar ta dëgjoni në mënyrë të vazhdueshme prej meje, është pikë referimi shumë e rëndësishme.

Eno Popi: Na bëhet qejfi që biseda jonë përkoi me një ditë të rëndësishme për ju.
Ju keni ditëlindjen dhe në këto raste sjellin një buqetë me lule, por ne kemi menduar t’ju sjellim diçka ...

Ledion Liço: Që ka një domethënie për ju.

Presidenti Topi: Falemnderit shumë.

Eno Popi: A të tregohemi pak sportiv?

Presidenti Topi: Sigurisht!

Eno Popi: Ne jemi “Top-Media”, “Top-Channel”, “Top-Albania Radio”, ndërsa ju jeni Bamir Topi.

Presidenti Topi: Kështu që ka një lidhje pajtueshmërie.

Eno Popi: Dashuria juaj për futbollin është e hershme dhe vazhdon të jetë në të njëjtat nivele. A do të kemi skuadrën e Tiranës kampione apo jo, si mendoni?

Presidenti Topi: Besoj se po.

Eno Popi: Kemi menduar t’ju dhurojmë një top futbolli, që kur të keni kohë të luani me miqtë tuaj apo me futbollistët e “Tironës”.

Presidenti Topi: Po i mbaj pasionet e mia, për të mos bërë shfaqje këtu.

Eno Popi: Unë dhe Ledioni do të kishim shumë dëshirë, por nuk është vendi këtu që të luanim, por do t’ju shohim në një fushë futbolli, duke mbajtur këtë top me këmbë.

Presidenti Topi: Unë do të doja që këtë top të mos e konsumoja, por ta mbaja si relike të gjallë; ndoshta do të kemi rast.

Ledion Liço: Patjetër!

Presidenti Topi: Njeriu duhet të kuptojë që, përveç zyrës, duhet t’i kushtojë kohë edhe vetvetes. Duhet që të mos lejojë që të hipë në peshë, të krijojë një mënyrë tjetër jetese shumë statike, por duhet të jetë në vijim të traditës që unë kam pasur; vazhdimisht kam bërë stërvitje sportive dhe kam luajtur futboll.

Ledion Liço: Përveç faktit që për ne kjo ishte ndoshta një prej intervistave më të rëndësishme të vitit, ku ne takuam Presidentin e Republikës, ishte për ne edhe një fat i mirë për të takuar idhullin tonë vetjak, me të cilin ne krenohemi.

Presidenti Topi: Falemnderit shumë për këtë vizitë mjaft të natyrshme dhe këtë intervistë me karakter shumë sportiv!

Ledion Liço: Ju falënderojmë e ju urojmë punë të mbarë në kohën që ju ka mbetur në detyrë!

Eno Popi: Miq të dashur, ne kemi ardhur në fund të emisionit tonë “Wake-Up”. Asnjëherë tjetër nuk na kishte ndodhur ta mbyllnim programin në një mjedis të veçantë si ky i Pallatit të Brigadave, ku i uruam Presidentit të Republikës ditëlindjen e tij. Për më tepër, ne ndihemi të nderuar që ai na priti dhe ndau këtë mëngjes me ne. Ne ju lëmë takim për fillimin e javës së ardhshme.
Mirupafshim!

Presidenti Topi: Falemnderit!

Ledion Liçi: Falemnderit shumë!

Eno Popi: Zoti President, ishte një kënaqësi, shpresoj t’ju ketë pëlqyer.

Presidenti Topi: Ishte një intervistë shumë qetësuese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›