E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Jashtëm francez Kushner vlerëson reformat jashtëzakonisht të shpejta dhe efikase të qeverisë shqiptare

-          Franca mbështet kërkesën për kandidimin e Shqipërisë në BE, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, bazuar në reformat e realizuara.                     

Kryeministri Berisha u prit sot në një takim nga Ministri i Jashtëm i Francës, z. Bernard Kushner. Të pranishëm në takim ishin dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Lulëzim Basha, Ambasadorja e Francës në Tiranë, znj. Maryce Daviet  dhe delegacionet përkatëse.

Në këtë takim të përzemërt, Kryeministri Berisha falënderoi zotin Kushner për mikpritjen dhe i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij personal, të qeverisë dhe popullit francez në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë dhe zhvillimin e saj. 

Ministri i jashtëm francez përgëzoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë shqiptare për reformat jashtëzakonisht të shpejta dhe efikase. Zhvillimi i Shqipërisë dhe reformat e thella që e kanë ndryshuar rrënjësisht atë, janë në sytë e të gjithëve dhe e gjithë bota po sheh këto ndryshime, u shpreh ai. Z Kushner nënvizoi veçanërisht luftën shumë efikase dhe të suksesshme me zero tolerancë, kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tashmë Shqipëria, u shpreh z. Kushner, ka një imazh  të ri në sytë e Europës dhe gjithë botës dhe ajo është një vend i sigurt, ku të gjithë investitorët francez, por edhe turistët, e vizitojnë me kënaqësi atë.

Duke u ndalur në investimet në Shqipëri, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare dhe gjithë institucionet e saj, do të vazhdojnë të mbështesin me të gjitha mënyrat investitorët e huaj, në mënyrë që investimet e tyre në vendin tonë të jenë një histori suksesi. Nga ana e tij, z. Kushner tha se ai vet do të organizonte shumë shpejt një delegacion me përfaqësues më të lartë të biznesit francez, të cilët do të vizitojnë Shqipërinë. Ata do të njihen  nga afër me potencialet e mëdha të vendit, duke paraqitur edhe projekte të qarta dhe të sakta bashkëpunimi, në fushën e energjetikës, në shfrytëzimin e pasurive minerale, në fushën e turizmit, duke qenë se Franca ka si traditë ndërtimin e resorseve turistike në botë, si dhe në fusha të tjera.  Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Kushner për angazhimin e tij personal për  të udhëhequr delegacionin e biznesit francez në këtë vizitë shumë të rëndësishme.                      

Duke u ndalur në ecurinë e suksesshme të reformave ekonomike në Shqipëri, Ministri i Jashtëm Kushner tha se ato janë arritur falë punës së qeverisë në fushën ekonomike, në legjislacionin fiskal, në krijimin e një klime të favorshme për biznesin, krijimin e një imazhi të ri për vendin, falë luftës me zero tolerancë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.

Ministri i Jashtëm francez Kushner shprehu përgëzimet e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe tha se projekti tjetër madhor është integrimi i saj në Bashkimin Europan, ku 96 për qind e shqiptarëve e dëshirojnë dhe e mbështesin atë. Kjo mbështetje është një motivim i madh për qeverinë për të ecur më tej në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti qeveria shqiptare do të paraqesë aplikimin e kandidaturës për në BE dhe se qeveria shqiptare e sheh këtë proces si një proces të vazhdueshëm dhe të pandalshëm, të bazuar në meritat e reformave të realizuara në vend. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Kushner tha se rruga që po ndjek qeveria shqiptare, duke e quajtur procesin e integrimit në BE të vazhdueshëm dhe të pandalshëm dhe të bazuar në meritë, është rruga më e matur e zgjedhur prej saj. Ai theksoi se është shumë i rëndësishëm fakti që qeveria shqiptare nuk po ndalet dhe po vazhdon në ruajtjen, thellimin dhe forcimin e këtyre meritave dhe reformave. 

Ndërkohë, edhe në konferencën për shtyp që pasoi takimin mes Kryeministrit Berisha dhe Ministrit të Jashtëm francez, z. Kushner, duke iu përgjigjur interesimit të medias, z. Kushner u shpreh qartësisht se Franca mbështet kërkesën për kandidimin e Shqipërisë në BE, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, bazuar në reformat e realizuara.    

Të dy personalitetet u ndalën edhe në diskutimin e projekteve të përbashkëta në fushën kulturore, të arsimit, etj.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe në Kosovë, ku të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se autoritetet e Kosovës po veprojnë me maturi dhe me durim, duke e orientuar vendin në rrugën drejt zhvillimit ekonomik  dhe reformave në vend, si dhe drejt një politike për paqe e harmoni me fqinjët dhe bashkëjetese ndër etnike.

Gjithashtu,  bisedimet mes dy personaliteteve kanë vijuar edhe në një takim tet  a tet dhe në drekën zyrtare të shtruar për nder  të Kryeministrit Berisha. Pas bisedimeve, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm i Francës Kushner dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.    


24/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›