E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në Samitin "Gazi natyror për Evropën: Siguria dhe Partneriteti".

24 prill 2009
Sofje,Bullgari

Presidenti i Republikës, Bamir Topi merr pjesë në Samitin "Gazi natyror për Evropën: Siguria dhe Partneriteti", që nisi sot punimet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje. Në seancën e parë plenare të këtij Samiti, Kryetari i Shtetit mbajti një fjalë në prani të kryetarëve të shteteve dhe drejtuesve të lartë të 28 vendeve nga Evropa Juglindore, rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Azia Qendrore, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të lartë të institucioneve të BE-së, etj.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi shprehu falenderimet për Presidentin e Bullgarisë, Parvanov për organizimin e këtij Samiti Ndërkombëtar, duke vlerësuar se ai i kapërcen dimensionet e rajonit tonë për nga niveli, nga pjesëmarrja ashtu dhe për çështjet që trajton. Pasi vuri në dukje faktin se sigurimi dhe qëndrueshmëria e furnizimit me energji, po bëhen gjithnjë e më shumë çështje me një ndjeshmëri të lartë, si dhe sfidat kryesore të çdo vendi në rajon dhe përtej tij, Kryetari i Shtetit theksoi se “Shqipëria inkurajon dialogun, kooperimin dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese, tranzituese dhe konsumatore, sepse është e dobishme që politikat e zhvillimit të orientohen si drejt rritjes së burimeve vendore, ashtu dhe drejt diversifikimit të furnizimit, me anë të integrimit të rrjeteve dhe të projekteve në infrastrukturat e mëdha të energjisë”.

Në vijim, Presidenti Topi u shpreh se “për shkak të zhvillimeve të fundit në tregjet e naftës dhe të gazit, tashmë, është konsoliduar ideja e ndërtimit të koridoreve dhe linjave të reja, të furnizimit me energji nga burimet rreth Detit Kaspik dhe nga Lindja e Mesme drejt vendeve të rajonit tonë, Europës Qendrore dhe asaj Jugore.” Edhe në këtë aspekt, Kryetari i shtetit garantoi për mbështetjen e vendit tonë ndaj përpjekjeve dhe veprimeve konkrete në drejtim të kooperimit dhe integrimit të burimeve dhe të sistemeve të furnizimit me gaz, ndërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Europës Juglindore. “Shqipëria ka një program të veçantë strategjik, që mbështet zhvillimin e burimeve dhe rrjeteve energjitike, për integrimin e tyre në tregjet rajonale dhe europiane, veçanërisht, projektin e gazsjellësit Trans – Adriatik që lidh Greqinë me Italinë nëpërmjet Shqipërisë, si dhe gazesjellësin Adriatik – Jonian, që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor”, - nënvizoi Presidenti Topi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti i Republikës theksoi se “me pjesëmarrjen e saj në këtë Samit Shqipëria konfirmon edhe njëherë vullnetin dhe interesin e saj për të bërë pjesë dhe për të kontribuar në përpjekjet, ndërhyrjet dhe projektet që synojnë forcimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe zhvillimin e rrjeteve dhe infrastrukturave rajonale të energjisë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›