Kryeministri Berisha: Krenar që jemi anëtarë të NATO-s dhe shumë të përkushtuar për të dhënë kontributin tonë modest
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën e 7-të të Komandantëve të Forcave Tokësore të vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere, e cila po zhvillohet në Tiranë.
Kryeministri Berisha falenderoi organizatorët e kësaj konference që zgjodhën Tiranën për të zhvilluar këto bisedime dhe për të mbajtur këtë takim shumë të rëndësishëm të NATO-s, të cilin ai e cilësoi një nder të madh për vendin, për kombin dhe për Forcat e Armatosura.
Kryeministri theksoi se Forcat tona të Armatosura duhet të adoptojnë strategjinë e re të Aleancës që është në implementim e sipër, konceptin e ri buxhetor dhe këtë vizion të ri të saj. “Është një kohë e vështirë. Europa po përballet më një krizë financiare dhe ekonomike të ashpër. Shpenzimet po shkurtohen dhe po ripërshtaten ndaj situatës. NATO ishte e para që zhvilloi një koncept të ri, duke shpenzuar më mirë dhe duke bazuar përpjekjet në një mbrojtje të zgjuar, që do të thotë se, duhet të adoptojnë një vizion të ri, që kërkon një konsolidim të mëtejshëm të solidaritetit, bashkëpunimit midis vendeve anëtare të NATO-s. “Mbrojtja inteligjente”, e adoptuar nga kombet tona, do të na lejojë që me më pak para, të arrijmë qëllime që janë jetësore për misionin e NATO-s ”, theksoi kryeministri.
Shqipëria, tha kryeministri, është ë përkushtuar për të punuar ngushtësisht me Forcat dhe vendet aleate, për ta adoptuar këtë koncept si bazën e transformimit të ushtrisë së saj si dhe është e përkushtuar për të punuar shumë për të përmirësuar të gjitha aftësitë, facilitetet e Forcave të saja të Armatosura.
“Njerëzimi nuk ka pasur kurrë një rend kaq të madh të bazuar në të drejtat e njeriut, lirinë dhe prosperitetin, dhe nuk ka garantues më të mirë për këtë rend ndërkombëtar sesa Aleanca. Prandaj jemi krenar që jemi anëtarë të NATO-s dhe shumë të përkushtuar për të dhënë kontributin tonë modest” u shpreh kryeministri Berisha.
Në fjalën e tij të plotë kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, më lejoni t’ju falenderoj të gjithëve, shtabin e NATO-s, që zgjodhët Tiranën për të mbajtur këtë takim shumë të rëndësishëm të NATO-s, për të zhvilluar këto bisedime. Ky është një nder i madh për vendin tim, për kombin tim, për Forcat tona të Armatosura. Shqipëria si anëtari më i ri i NATO-s ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga qeveritë tuaja, nga ushtritë tuaja, nga vendet tuaja, në përpjekjen e saj për t’iu bashkuar Aleancës së NATO-s. Në një kohë të shkurtër, vendi im ka bërë përpjekje të mëdha për të përballuar në mënyrë të suksesshme me kërkesat, misionet dhe detyrat e NATO-s. Forcat tona të Armatosura kaluan nëpër transformime të thella dhe shumë të rëndësishme. Forcat tona të armatosura po operojnë nën komandën e NATO-s në misione të ndryshme. Konferenca e komandantëve tokësorë, është një konferencë shumë e rëndësishme në pragun e Samitit të Çikagos. Midis Samitit të Lisbonës dhe Samitit të Çikagos, një strategji tërësisht e re e Aleancës është në implementim e sipër. Është një kohë e vështirë. Europa po përballet më një krizë financiare dhe ekonomike të ashpër. Shpenzimet po shkurtohen dhe po ripërshtaten ndaj situatës. NATO ishte e para që zhvilloi një koncept të ri, duke shpenzuar më mirë dhe duke bazuar përpjekjet në një mbrojtje të zgjuar, që do të thotë se Forcat tona të Armatosura duhet të adoptojnë një koncept të ri buxhetor, duhet të adoptojnë një vizion të ri, që kërkon një konsolidim të mëtejshëm të solidaritetit, bashkëpunimit midis vendeve anëtare të NATO-s. “Mbrojtja inteligjente”, e adoptuar nga kombet tona, do të na lejojë që me më pak para, të arrijmë qëllime që janë jetësore për misionin e NATO-s.
Shqipëria është ë përkushtuar për të punuar ngushtësisht me Forcat dhe vendet aleate, për ta adoptuar këtë koncept si bazën e transformimit të ushtrisë së saj. Shqipëria është e përkushtuar për të punuar shumë për të përmirësuar të gjitha aftësitë, facilitetet e Forcave të saja të Armatosura.
Tre javë më parë bëra një vizitë në Afganistan, e cila për mua është një nga vizitat më mbresëlënëse të jetës sime. Atje gjeta ushtarë, oficerë, instruktorë që punonin në të gjitha frontet, por punonin në një situatë shumë të vështirë për paqen dhe sigurinë, jo vetëm të popullit afgan, por të të gjithë botës. Unë besoj se ushtritë tona, vendet tona, duhet të qëndrojnë me Shtetet e Bashkuara në përpjekjet për të siguruar pakthyeshmërinë e zhvillimeve në këtë vend. Marrëveshja strategjike e nënshkruar midis Presidentit Obama dhe Presidentit Karzai është një bazë ligjore shumë e fortë për kontributin e çdo vendi.
NATO është padyshim më e mira që kanë kombet. Sepse kjo Aleancë transatlantike është garantuesja, besoj, e rendit më të mirë ndërkombëtar që bota perëndimore ka pasur ndonjëherë.
Në Europë ka vështirësi për momentin. NATO është një organizatë e madhe, me një kontribut të madh për të dhënë siguri për hapësirën e saj, por gjithashtu le të shohim drejt të ardhmes, sepse aktualisht njerëzit flasin për G8, G20, por më e mira e të mirave është dyshja G - Transatlantike, Shtetet e Bashkuara dhe Europa. Njerëzimi nuk ka pasur kurrë një rend kaq të madh të bazuar në të drejtat e njeriut, lirinë dhe prosperitetin dhe nuk ka garantues më të mirë për këtë rend ndërkombëtar sesa Aleanca. Prandaj jemi krenar që jemi anëtarë të NATO-s dhe shumë të përkushtuar për të dhënë kontributin tonë modest.
Ju uroj shumë suksese në këtë konferencë dhe në vendet tuaja.
Faleminderit!”
09/05/2012