Kryeministri Berisha: Krijimet artistike shqiptare kanë mbajtur gjallë identitetin e kombit shqiptar

-Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e linjës muzeale me temë "120 vjet art dhe skulpturë në Shqipëri"
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në përurimin e linjës muzeale me temë "120 vjet art dhe skulpturë në Shqipëri", që u organizua në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Fondacionin për Artet Pamore pa Kufi (FAVA) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha përgëzoi organizatorët për realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm, ndërsa u shpreh se krijimet artistike shqiptare kanë kontribuar në shfaqjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e identitetit tonë kombëtar. “Dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht, si dhe t’ju përgëzoj për këtë projekt kaq të rëndësishëm që keni realizuar duke organizuar Muzeun e Arteve Pamore shqiptare që nga fillimet e tyre, në shekulli XIX, e deri më sot. Krijimet e mëdha të shqiptarëve në shekuj, peisazhet e këtij vendi, veshjet e bukura të burrave dhe grave, por edhe karakteret e tyre kanë frymëzuar krijues gjenialë si Edward Lear, Delakrua dhe shumë e shumë të tjerë. Nuk kam dyshim se këto kanë frymëzuar dhe do të frymëzojnë edhe gjenitë krijues shqiptarë. Me këtë linjë të re ekspozite ju i jepni mundësinë shqiptarëve dhe vizitorëve të huaj që të njihen me krijimet shqiptare, të cilat nuk kanë munguar dhe me të cilat kombi ynë ka mbajtur gjallë identitetin e tij. Në rast se do ta përfytyronim identitetin si një diamant me shumë shtresa, në thelbin e tij do të qëndronte kultura. Dhe në këtë kontekst, të gjitha këto krijime kanë kontribuar në shfaqjen, në mbrojtjen dhe në zhvillimin e identitetit kombëtar”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin e Kryetares së FAVA-s znj. Pamela Grifinn, për përkushtimin e saj fisnik në organizimin e këtij projekti, i cili qëndron ndër projektet më të rëndësishme në historikun e Galerisë Kombëtare të Arteve. “Dua të ndalem dhe të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj jush zonja Pamela Grifinn, sepse jam dëshmitar i dashurisë suaj të madhe dhe i përkushtimit tuaj fisnik për këtë galeri, si dhe për krijimet e shqiptarëve. Ju keni dhënë një kontribut shumë të madh dhe këtë e keni bërë me dashurinë dhe respektin më të madh për këtë vend dhe për këtë popull”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha përgëzoi edhe drejtorin e Galerisë Kombëtare të Arteve z. Rubens Shima për përkushtimin që ka treguar në zbatimin e këtij projekti.
Linja e re muzeale përfshin 6 mjedise të përshtatura për funksionimin e muzeut historik të artit, ku janë ekspozuar vepra artistike në pikturë dhe skulpturë prej viteve 1883-2000, si një rrugëtim i arteve pamore në Shqipëri. Koleksioni i prezantuar sot përbëhet nga 184 vepra arti, të gjitha pjesë e koleksionit të trashëgueshëm të Galerisë Kombëtare të Arteve.
07/05/2009