E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË KRITEREVE PËR SHPËRNDARJEN E FONDIT TË KOMPENSIMIT, TË PRONARËVE, NË TË HOLLA, PËR VITIN 2009

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË KRITEREVE PËR SHPËRNDARJEN E FONDIT TË KOMPENSIMIT, TË PRONARËVE, NË TË HOLLA, PËR VITIN 2009

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, shkronja “d”, pika 1, e 17, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

1.     Subjektet e shpronësuara, prona e të cilave është njohur e gjitha për kompensim, të kompensohen sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit, vetëm nëse nuk kanë përfituar:

a)     nga kompensimet e mëparshme;

b)     kthim fizik të pjeshëm të pronës, me çdo vendim për atë subjekt;

c)     nga e drejta e parablerjes;

          ç)  nga zbatimi i ligjit nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”.

Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone.

2.     Kompensimi të bëhet vetëm për deri 200 (dyqind) m2  të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet.

3.     Subjektet, që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2009.

4.     Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin e mëposhtëm:

a)     Kërkesën për kompensim në të holla, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

b)     Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, dhe të kushteve të tjera, që lidhen me kriteret, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

c)     Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me planvendosjen përkatëse, të njehsuara nga institucioni, ku ato janë të arkivuara.

ç)  Dëshminë e trashëgimisë;

d)  Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të subjektit të shpronësuar;

dh) Fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim apo pasaportë) të përfaqësuesit të pajisur me prokurë;

 e) Dokumentin, që vërteton vendbanimin, më 19.7.1991, të  subjektit të shpronësuar;

 ë) Mandatpagesën.

5.  Në rastin e kërkesave të paraqitura pranë AKKP-së, në mbështetje të vendimit nr.1343, datë 4.6.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2008”, dhe për të cilat AKKP-ja nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre, nëpërmjet një kërkese të re, për kompensimin, të shoqëruar me dokumentet e parashikuara në pikën 6, të këtij vendimi.

6.  Subjektet, që kanë aplikuar për kompensimin në të holla, në vitin 2008, të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

a)     Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

b)     Deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, dhe të kushteve të tjera, që lidhen me kriteret, sipas formularit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi;

c)     Dëshminë e trashëgimisë, kur në dëshminë e paraqitur në vitin 2008 ka ndryshime të trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.

ç)  Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, ka kufizimin në kohë për tagrin e tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.

d)  Dokumentin, që vërteton vendbanimin më datë 19.7.1991, të subjektit të shpronësuar, për personat, që nuk kanë vërtetimet e SAMT-ve në dosje.

7.     Zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, shqyrton dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim në të holla.

8.     Zyra rajonale e kthimit dhe kompensimit të pronave kryen veprimet e mëposhtme:

a)     Verifikon dosjen dhe vendimin përkatës, të dhënë nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe vendimet e tjera për këtë subjekt të shpronësuar;

b)     Kërkon nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që, brenda 10 ditëve, të konfirmojnë, duke plotësuar rubrikat në modelarin tip 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për:

i)              vlefshmërinë e regjistrimit të vendimit përkatës në ZVRPP;

ii)             verifikimin e ndryshimit të gjendjes juridike të pronës nga çasti i daljes së vendimit të paraqitur nga subjekti përkatës;

iii)            verifikimin e regjistrimit dhe të ushtrimit të së drejtës së parablerjes;

iv)            verifikimin, nëse subjekti i shpronësuar ka të regjistruar pronë të përfituar me kthim nga vendime të tjera të        ish-KKKP-ve apo ish-KVKKP-ve, pranë ish-këshillave të rretheve e bashkive apo të ZRKKP-ve në qarqe, në emër të tij.

c)     Kërkon nga SAMT-ja e qarkut përkatës verifikimin nëse subjekti i shpronësuar ka përfituar tokë bujqësore, sipas ligjit nr.7501,        datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.

Në ato raste kur vendbanimet e subjektit të shpronësuar apo të trashëgimtarëve të tij, më 19.7.1991 kanë qenë në rrethe apo qarqe të ndryshme, konfirmimet do të merren nga SAMT-të e qarqeve, ku kanë banuar. Këto verifikime pranë SAMT-ve kryhen pa kundërshpërblim;

ç)  Verifikon në arkivën e të dhënave të gjitha vendimet për këtë subjekt, për identifikimin e vendimeve për kthim dhe kompensim të pronave të tij;

d) Kryen verifikimin në terren të gjendjes së pronës dhe mban procesverbalin përkatës;

dh)  Përgatit planvendosjen e pronës dhe cakton:

i)         në hartën e vlerës, zonën, ku ndodhet prona;

ii)        në bashkëpunim me subjektin e shpronësuar, pjesën e pronës, që kërkohet për t’u kompensuar, kur prona është mbi 200 (dyqind) m2 , dhe i kërkon përfaqësuesit me prokurë të nënshkruajë për pjesën, që kompensohet;

e)  Llogarit vlerën e sipërfaqes, që kompensohet;

ë)  Përgatit relacionin, ku shpjegohen me hollësi për secilin subjekt kërkues të kompensimit:

i)          vlefshmëria e vendimit të paraqitur nga subjekti;

ii)         Vendimet e tjera, që vërtetojnë njohje dhe kthime të tjera të pronës për subjektin përkatës, shoqëruar me kopje të tyre;

iii)        konfirmimet e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

iv)        vlerësimin e pronës për kompensim.

f) Dërgon konfirmimet e marra për personat, në bazë të vërtetimit të banimit të tyre.

7.2. Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër shqyrton dokumentacionin e zyrave rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave, si dhe:

a)     përgatit vlerësimin ligjor të kompensimit;

b)     harton relacionin përkatës;

c)     merr vendimin për pranimin apo refuzimin e kërkesës për kompensim të subjektit të shpronësuar;

ç)  i dërgon subjektit të shpronësuar, Avokatit të Shtetit dhe zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme kopje të vendimeve të marra, për t’u dhënë mundësi të ushtrojnë kompetencat ligjore;

d) shpall listën e subjekteve fituese;

dh) kryen veprimet me thesarin dhe bankën për kalimin e fondit të kompensimit në të holla, në emër të subjektit të shpronësuar, përfitues të kompensimit, apo përfaqësuesit të tij me prokurë, në përputhje me procedurat për zbatimin e buxhetit të shtetit.

8. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon për 30 ditë.

9. I gjithë procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor, të përcaktuar në nenin 17/2, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar.

10. Paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit në të holla dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit.

11. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe SAMT-të në rrethe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


06/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›