Kryeministri Berisha: Nuk ka filozofi tjetër që udhëheq qeverinë time, përveç interesave të qytetarëve shqiptarë
- Në 8 vitet e qeverisë socialiste, janë investuar në qytetin e Shijakut 110 milion lekë, ndërsa në 3 vite, nga Partia Demokratike janë investuar 326 milion lekë.
Kryeministri Berisha inauguroi sot, përfundimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Muharrem Dollaku” në Shijak. Kryeministri, duke vizituar mjediset e brendshme të saj, shprehu kënaqësinë që shkolla ofronte mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, e pajisur me laboratorë mësimorë dhe kabinet informatike. Kryeministri tha se qeveria ia doli të shndërrojë në realitet zotimin e saj për të shtrirë internetin në çdo shkollë, edhe pse 4 vjet më parë ky premtim u konsiderua elektoral apo luks.
Në përshëndetjen e tij, drejtuar qytetarëve të Shijakut, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes vëllazërisht dhe t’ju uroj inaugurimin e kësaj shkolle, me të gjitha elementet modernë. Unë vizitova klasat dhe gjeta aty, fëmijët tuaj të lundronin në internet, të hartonin dhe realizonin projektet duke lundruar në internet. Për ne, për çdo familje shqiptare, fëmija është i pari. Ndaj në këto 4 vjet, në përputhje me këtë dëshirë tuajën, në përputhje me ndjenjën tuaj fisnike, ne vendosëm të investojmë për fëmijët më shumë se për çdo gjë tjetër. Katër vjet më parë, premtova se do të dyfishojmë buxhetin për fëmijët tanë dhe çdo njëri prej jush duhet të pyesë se çfarë bëri qeveria për këtë premtim. Në 4 vjet, ne kemi rindërtuar apo ndërtuar nga e para 1012 shkolla, sepse duam që fëmijët tanë, që shkollën e kanë shtëpinë e dytë të tyre, ta kenë atë të re, të bukur dhe me të gjitha pajisjet. 4 vjet më parë, ne premtuam se fëmijët në të gjitha shkollat e Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol, do të lundrojnë në internet. Të gjitha shkollat do të kenë kabinete informatike. 4 vjet më parë, nuk ishin të paktë ata, të cilët këtë premtim e quajtën një limonadë elektorale, apo të tjerë që e quajtën një luks. Këtyre zonjave dhe zotërinjve të opozitës u them sot të pyesin fëmijët e tyre si ndjehen me internetin në shkolla, e konsiderojnë luks apo domosdoshmëri. Duke vendosur fëmijën tonë të parin, ne jemi të vetëdijshëm se krahas tij, të parin duhet të vendosim edhe mësuesin që e mëson atë. Ndaj ne u zotuam të dyfishojmë pagat e arsimtarëve dhe me një përpjekje të jashtëzakonshme, por edhe të pashembullt ndonjëherë, kam nderin e kënaqësinë se të gjithë mësuesit e Shqipërisë pagën e muajit maj do ta kenë dy herë më të lartë se pagën e muajit maj të vitit 2005.
4 vjet më parë, ne premtuam se dyert e universiteteve tona do të hapen për fëmijët tanë. Ne gjetëm gjithsej 52 mijë studentë, sot kemi 115 mijë studentë. Atëherë, të shtrojmë pyetjen: a i mbajtëm ne premtimet tona, a i vendosëm me përparësinë më të madhe, fëmijët tanë në epiqendër? Por ju jap fjalën se sërish do të vazhdojmë, sepse ashtu siç i rrisim dhe i edukojmë, sa më të dijshëm t’i bëjmë ata, aq më bukur do ta ndërtojnë ata shtëpinë e tyre, aq më bukur do ta ndërtojnë Shqipërinë tjetër, Shqipërinë e ëndrrave të tyre.
Të dashur qytetarë të Shijakut,
Tek kjo qeveri do të keni gjithnjë një mazhorancë, e cila interesat tuaja më jetike do t’i ketë problemet më madhore të saj. Unë fola për shkollën, pasi interesi juaj është që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla europiane, të reja dhe moderne. Interesi juaj i madh ishte dhe është të keni drita 24 orë.
Të dashur vëllezër e motra, 4 vjet më parë, kudo që shkoja, zgjedhësit shqiptarë më shtronin vetëm një pyetje, nëse do t’u siguronim drita, nëse do të dilni ndonjëherë nga ndërprerja e dritave. Unë kam kënaqësi të madhe se në përputhje me premtimin tonë se nga fundi i vitit 2007 e tutje territ do t’i themi lamtumirë, ju jap fjalën se sa të jetë në fuqi qeveria ime nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike për mungesë të saj. Dhe kjo sepse kur diskutohej për energjinë, ata thonin se po ta blinin do t’u kushtonte kaq e aq, se nuk mund të blinin më shumë se nuk e mbante rrjeti etj., etj. me radhë. Dhe unë ju shtrova pyetjen: e dini se cili është çmimi më i lartë i energjisë elektrike? Çmimi më i lartë i energjisë nuk është 100 apo 150 cent, por është mungesa e saj. Unë kam kënaqësi që sot vij tek ju dhe në çdo skaj të vendit me një zotim madhor të përmbushur. Qytetarët duhet të kenë drita dhe unë vij sot tek ju për t’u angazhuar se në mënyrë absolute, në 4 vitet që vijnë, Shqipëria do të jetë vend eksportues i energjisë elektrike. 30 vjet nuk u shtua asnjë burim energjie, ndërsa vetëm në këto dy muaj, kanë nisur dhe do të nisin punimet mbi 20 hidrocentrale në mbarë vendin.
Ne, që zgjidhëm në mënyrë përfundimtare problemin e energjisë, në mënyrë po kaq përfundimtare do të zgjidhim problemin e ujit. Çdo familje shqiptare do të kenë ujë në shtëpinë e saj dhe ky është zotimi ynë, të cilin ashtu siç e bëmë realitet për shkollat, siç e bëmë realitet për energjinë, absolutisht do të bëjmë realitet për çdo familje shqiptare edhe ujin. Dritat dhe uji janë dy kushtet më themelore.
Të dashur qytetarë e qytetarë,
4 vjet më parë, ne premtuam asfaltimin e mijërave kilometra rrugë në mbarë vendin. Vij i lehtësuar tek ju, sepse në këto 4 vjet vetëm në dy komuna të Shijakut, në Xhafzotaj dhe Katund i Ri ne kemi asfaltuar 62 kilometra rrugë. Unë jam këtu për t’u dhënë fjalën e nderit jo vetëm Durrësit, por edhe mbarë vendit, se në 4 vitet e ardhshme, Shqipëria do të kompletohet në mënyrë përfundimtare me infrastrukturë moderne. Nuk dua që ju të ktheheni e të krahasoheni me të shkuarën, por nuk mund të mos them se në 8 vitet e qeverisë socialiste, në qytetin e Shijakut, janë investuar 110 milion lekë, ndërsa në 3 vite, nga Partia Demokratike janë investuar 326 milion lekë. I kisha premtuar deputetit të më sillte projektin për pallatin e kulturës, por projekti nuk u zgjidh dot në kohë, por tani ai ka ardhur dhe pallatin do t’jua rindërtojmë ndër më të bukurit. Në komunën Xhafzotaj, PS-ja ka investuar në 8 vjet, 64 milion, PD-ja, partia që ju besoni, ka investuar 500 milion, në 3 vjet. Në komunën Katund i Ri, PS-ja ka investuar 14 milion lekë, PD-ja ka investuar 320 milion lekë. Unë kam këtu të gjitha projektet se ku janë investuar këto para si në unazën, në rrugën "Partizani", në ujësjellësin e ri, në rrugën "Rexhep Keçi", rikonstruksioni i shkollës “Petrit Vathfiu”, rikonstruksioni i shkollës “Muharrem Dollaku”, kanalizime, qendra shëndetësore, rruga “16 shtatori”. Këto janë investimet tona.
Ne ia dolëm në këto 4 vjet dhe të gjitha këto kanë vetëm një shkak: luftën tonë të vendosur kundër korrupsionit. Unë ju garantoj se ju kurrë nuk do të kishit drita pa ndërprerje, në qoftë se nuk do t luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të kishim këto investime, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të mund të dyfishonim pensionet në fshat, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të shkonim drejt NATO-s, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin, se kurrë nuk do të aplikonim dot për në BE, në qoftë se nuk do të luftonim korrupsionin. Sërish ka korrupsion, por sërish ka dorë të hekurt të luftës kundër tij.
Vëllezër e motra,
Muaji prill për çdo shqiptar, për të madhe të vogël të këtij vendi, do të mbetet në memorie si prilli i historisë. Ne, që në ’90-ën dolëm nga zgjedha 45 vjeçare, mbushëm rrugët e sheshet e Shijakut e Tiranës duke brohoritur e duam Shqipërinë si gjithë Europa, Shqipëria në NATO, sot, ne jemi në NATO. Ju bëj thirrje ju, gjeneratës më të moshuar, të mendoni për një moment se çfarë trashëguam në vitin ’90 dhe se çfarë trashëgojnë fëmijët tanë. Duhet të ndjeheni të lumtur, krenarë e të qetë se ne ia dolëm që vendi i tyre të jetë në NATO. Ne realizuam një ëndërr të madhe. Në fund të prillit, ne paraqitëm kërkesën për anëtarësim në BE. Kjo kërkesë u pranua me konsensus dhe vetëm për shkak të reformave serioze që kemi ndërmarrë.
Objektivi tjetër i madh është që ju, qytetarë e qytetare të Shijakut e të mbarë Shqipërisë, të lëvizni në të katër anët e këtij kontinenti pa viza. Të gjitha këto dëshmojnë një gjë se kjo alternativë po funksionon, se alternativa e kësaj qeverisjeje po ndryshon Shqipërinë, se reformat e saj po marrin firmat e certifikimin e mbarë botës, pavarësisht nga një nihilizëm i pakuptimtë e absurd i kundërshtarëve tanë. Kjo platformë e tyre nihiliste, përbën, në radhë të parë, një fatkeqësi të vërtetë për ta. Unë dua t’u them kundërshtarëve tanë: zotërinj, si ka mundësi që kjo qeveri ka asfaltuar në dy komuna të Shijakut 62 kilometra rrugë, kurse ju, në kryeqytetin që qeverisni, të mos asfaltoni dot as 12 kilometra. Mund të thonë se ju i keni dërguar paratë atje, por jo, ne kemi 5-fishuar grantin për Tiranën. Jo vëllezër, Tirana është qyteti më i dashur për shqiptarët dhe ne jemi gati ta 10-fishojmë atë. Ne i kërkojmë projektin e unazës që ta bëjmë atë. Ne që ndërtojmë 62 kilometra rrugë në dy komuna të Shijakut, mendoni se lëmë Tiranën pa unazë? Jo, kurrën e kurrës. Ai e mban peng projektin si plaçkën e shtëpisë së tij, sikur është personale dhe jo e qytetarëve. Pra, kjo alternativë është alternativa e bllokimit.
Në Bukuresht, burrat më të shquar të botës, po i dorëzonin ftesën Shqipërisë, ata, me mediat e tyre, ju sillnin lajmin e kobshëm se Shqipëria nuk po merr ftesën. A është e vërtetë kjo apo jo? Nuk po ndalem në probleme të tjera, por po ju kujtoj vetëm thirrjen e tyre, mos rrisni pagat e pensionet. A ka opozitë në botë që t’i kërkojë qeverisë të mos rrisë pagat e pensionet? Opozita duhet të thotë i dyfishoni, i trefishoni. Ata thanë mos aplikoni për në BE, kur e dinë se ky aplikim ka rëndësi shumë të madhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Para një viti, bërtisnin aplikoni për kandidat në BE, pas një viti, thanë mos shkoni në Pragë se po e bëni për qëllime elektorale. Por lëvizja e lirë është 30 herë më e rëndësishme se fushata elektorale dhe po e bëjmë këtë për shqiptarët.
Ndaj le të na prijë e mbara, të shkojmë të sigurt drejt mandatit të dytë për të shndërruar në realitet projektet tona. Të gjitha pa përjashtim janë dhe do të jenë në përputhje me interesat tuaja kryesore dhe jetike. Nuk ka filozofi tjetër që udhëheq qeverinë time, përveç interesave të qytetarëve shqiptarë. Rroftë Shijaku! Rroftë Shqipëria!”
07/05/2009