Kryeministri Berisha: Ky mandat qeverisje ka bindur çdo shqiptar, pavarësisht nga përkatësia politike, se kjo qeveri i shndërron premtimet në realitet
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës Fushë Krujë – Krujë, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 59 milionë lekë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se sot qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Fushë-Krujës, duhet të ndihen më krenarë se kurrë, sepse pas një jave Shqipëria do të rivendoset aty ku prijësi ynë legjendar e vendosi dhe e projektoi atë. “U deshën shekuj udhëtimi shumë të vështirë të këtij kombi, pas vdekjes së Tij, që ne të zëmë sërish vendin që meritojmë përkrah kombeve më të zhvilluara të perëndimit dhe të botës”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri u shpreh se për realizimin e këtij akti madhor historik, ne kemi pasur ndihmën e çmuar dhe të madhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të vendeve anëtare të saj, por faktor përcaktues ka qenë burri i madh i kombit amerikan, Presidenti Xhorxh W. Bush, i cili solli në Tiranë, në Fushë Krujë dhe kudo në Shqipëri, mesazhin historik; Shqipëria në NATO!
“Për të gjithë ata që i thonë dritës-dritë, i thonë ditës- ditë, i thonë ndryshimit – ndryshim, ky është ndryshimi më i madh që qytetarët e Fushë Krujës dhe qytetarët e mbarë Shqipërisë kanë përjetuar dhe do të përjetojnë në jetën e tyre. Ky është realizimi më madhështor, i atyre, të cilët të frymëzuar nga Skënderbeu dhe Rilindësit tanë projektuan Shqipërinë zonjë në perëndim”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Drejtuar qytetarëve të Fushë - Krujës, Kryeministri Berisha u shpreh se brenda tre muajve që vijnë do të fillojë ndërtimi i një serie veprash, në mënyrë që brenda vitit qytetarët e Fushë Krujës të keni infrastrukturën më moderne, infrastrukturën që meritojnë si vend i zhvilluar.
“Unë ju jap fjalën se të gjitha këto premtime ne do t’i shndërrojmë në realitet. Besoj se ky mandat qeverisjeje ka bindur çdo shqiptar, pavarësisht nga përkatësia politike, se kjo qeveri premtimet i shndërron në realitet. Gjithashtu, unë jam sot këtu për t’u zotuar se qeveria ime do të mbështesë çdo projekt të këtij qyteti; unazën e qytetit, asfaltimin e të gjitha rrugëve të prekshme tij, si dhe institucione të tjera kulturore apo sportive, për të cilat ju jeni të interesuar. Shpreh bindjen se së bashku, në mandatin e dytë, do të shndërrojmë në realitet dhjetëra e dhjetëra projekte, të cilat presin për t’u zbatuar”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke iu drejtuar banorëve të Fushë-Krujës, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Sot qytetarët shqiptarë dhe qytetarët e Fushë-Krujës, duhet të ndihen më krenarë se kurrë, sepse për një javë, me përkushtimin dhe përpjekjen tonë të përbashkët, me mbështetjen e madhe dhe të jashtëzakonshme të miqve tanë, ne e rivendosim Shqipërinë, pas shekuj paudhësish, pushtimesh e diktaturash, aty ku prijësi ynë legjendar e vendosi dhe e projektoi atë. U deshën shekuj udhëtimi shumë të vështirë të këtij kombi, pas vdekjes së Tij, që ne të zëmë sërish vendin që meritojmë përkrah kombeve më të zhvilluara të perëndimit dhe të botës.
Edhe një herë dua t’ju uroj për këtë ngjarje të madhe, më e madhja në historinë tonë kombëtare që pas shpalljes së pavarësisë. Ne që dolëm nga diktatura patëm fatin e hidhur që të kemi një trashëgimi nga më të vështirat, por gjithashtu, patëm edhe shansin e madh që të ndërtojmë në këtë vend demokracinë dhe tregun e lirë. Ne patëm shansin e madh që të hapim vendin drejt botës. Ne patëm shansin historik ta bëjmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, realizimi më i madh i jetës sonë, trashëgimia më e shkëlqyer që ne lëmë për fëmijët tanë dhe për brezat që vinë.
Ndaj duhet të jemi krenar për këtë. Unë jam i bindur se ju të gjithë jemi krenarë me kontributin tuaj dhe me arritjen historike të Shqipërisë.
Qytetarë dhe qytetare të Fushë Krujës,
Në këtë akt madhor historik, ne kemi pasur ndihmën e çmuar dhe të madhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe të vendeve anëtare të saj, por faktor përcaktues ka qenë burri i madh i kombit amerikan, Presidenti Xhorxh Ë. Bush, i cili solli në Tiranë, në Fushë Krujë dhe kudo në Shqipëri, mesazhin historik; Shqipëria në NATO! Dhe sot kjo është shndërruar në realitet, falë vendosmërisë së tij dhe mbështetjes së fuqishme të administratës së re të Presidentit Obama.
Për të gjithë ata që i thonë dritës-dritë, i thonë ditës- ditë, i thonë ndryshimit – ndryshim, ky është ndryshimi më i madh që qytetarët e Fushë Krujës dhe qytetarët e mbarë Shqipërisë kemi përjetuar dhe do të përjetojmë në jetën tonë. Ky është realizimi më madhështor, i atyre, të cilët të frymëzuar nga Skënderbeu dhe Rilindësit tanë projektuan Shqipërinë zonjë në perëndim. Ndaj dhe le t’ju urojmë gëzuar këtë ndryshim.
Por, unë kam ardhur sot këtu edhe për të inauguruar rikonstruksionin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për vendin, që lidh Fushë Krujën me Krujën, kryeqytetin tonë historik, qendrën e historisë sonë kombëtare.
Gjithashtu, dua t’ju premtoj ju, qytetarëve të Fushë Krujës, Krujës dhe Kurbinit se një seri veprash të tjera të mëdha do të nisin gjatë tre muajve që vinë, në mënyrë që ju brenda vitit të keni infrastrukturën më moderne dhe të keni atë infrastrukturë që meritoni si vend i zhvilluar. Po përfundon projekti i rotondos dhe do të fillojë menjëherë ndërtimi i saj. Po përfundon projekti për ndërtimin e rrugës Fushë Krujë- Milot dhe do të fillojë menjëherë ndërtimi i saj rruge. Gjithashtu do të fillojë ndërtimi i rrugës Krujë- Qafë Shtam, do të fillojë rruga për në Sari Salltik dhe autostrada do të bëhet e tëra me katër korsi. Pra, mund të themi se ky inaugurim hap vetëm serialin e një sërë inaugurimesh të tjera. Firma e ndërtimit ka marrë përsipër që në fund të muajit prill të përfundojë rrugën Fushë Krujë – Krujë. Por, unë ju jap fjalën se të gjitha këto premtime ne do t’i shndërrojmë në realitet. Besoj se ky mandat qeverisje ka bindur çdo shqiptar, pavarësisht nga përkatësia politike, se kjo qeveri premtimet i shndërron në realitet.
Gjithashtu, unë jam sot këtu për t’u zotuar se qeveria ime do të mbështesë çdo projekt të këtij qyteti; unazën e qytetit, asfaltimin e të gjitha rrugëve të prekshme tij, si dhe institucione të tjera kulturore apo sportive, për të cilat ju jeni të interesuar.
Edhe një herë, ju falënderoj për këtë pritje dhe ju gëzuar këtë ditë. Gjithashtu, unë shpreh bindjen se së bashku, në mandatin e dytë do të shndërrojmë në realitet dhjetëra e dhjetëra projekte, të cilat presin për t’u zbatuar.”
27/03/2009