E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit te Shqiperise, në takimin e 5-të ndërkombëtar të kryeparlamentareve gra, në Vjenë. Rritja ekonomike në Shqipëri, më e madhja në Europë, ka ndikuar në mirëqënien e familjes dhe, në mënyrë të veçantë, të gruas.

  Kryetarja e Kuvendit te Shqiperise, Jozefina Topalli, mori pjesë në takimin e 5-të ndërkombëtar të kryeparlamentareve gra, që u organizua në Vjenë nën kujdesin e  kryetares së Parlamentit të Austrisë, znj.Barbara Prammer.   Dhuna kundër grave dhe  kriza  financiare ndërkombëtare u identifikuan si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht  zhvillimit social  dhe ekonomik  të tij. Në fokus të debatit ishte domosdoshmëria e një vizioni të ri për të shmangur pasojat e krizës me masa, që, vërtet kanë qëllime të mira, por, prej të cilave gratë nuk përfitojnë.    Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë argumentoi se kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton, së pari gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës.   Zonja Jozefina Topalli ofroi modelin e Shqipërisë si një vend, që nëpërmjet zbatimit  të  një paketë të guxishme fiskale dhe dyfishimit të të ardhurave, edhe nga lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, ka realizuar rritjen më të madhe ekonomike në Europë, duke ndikuar në mirëqënien e familjes shqiptare dhe,  në mënyrë të veçantë, të gruas.   Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm  nëpërmjet politikave protektive për grate, por, para së gjithash, ndryshimi vjen nga ajo çka gratë bëjnë për vetveten.   Si e para grua në krye të Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e nisi detyrën e saj edhe me angazhimin për tu përfshirë totalisht dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi, me veprim konkret për forcimin e rolit të gruas në familje dhe shoqërinë shqiptare. Në takimin me homologet e saj, Jozefina Topalli e vleresoi si një arritje thelbësore të demokracisë shqiptare dyfishimin e numrit të deputeteve gra, duke u shprehur optimiste edhe për rritjen e numrit të grave në qeverinë e ardhshme.   Gjatë takimit në Vjenë, Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë ndau me koleget e saj përvojën e një turi dy vjeçar në mbështetje të grave dhe ndërgjegjësimit për rolin që ato duhet të luajnë në shoqëri. Unë kam ndjerë dhe kuptuar- nënvizoi znj. Jozefina Topalli se energjia, përkushtimi, pasioni i gruas janë vlera të jashtëzakonshme  të cilat sjellin progres dhe unë jam e sigurtë se ne të gjtha ndajmë të njëjtën ndjesi dhe përvojë se gratë janë një thesar, por jo tërësisht i zbuluar nga shoqëria
Takimi i 5-të i kryeparlamentareve në Vjenë vlerësoi si prioritare partneritetin me median në përballimin e kësaj sfide në Objektivat e Mijëvjeçarit.

 

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›