E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në këtë katër vjeçar, Durrësi do të njohë një fuqi që nuk e ka pasur kurrë më parë në rrafshin industrial, turistik e energjetik

Kryeministri Berisha: Në këtë katër vjeçar, Durrësi do të njohë një fuqi që nuk e ka pasur kurrë më parë në rrafshin industrial, turistik e  energjetik

Gjatë vizitës dje në qytetin e Durrësit, Kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e unazës së re të qytetit, investim me vlerë 120 milion lekë.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projekt si një nga veprat më të rëndësishme të transportit të këtij qyteti, duke theksuar se në Durrës janë edhe një seri projektesh të mëdha, si nyja moderne e Shkozetit që është në ndërtim e sipër, unaza, parku energjetik, parku industrial, etj.

Kryeministri siguroi se qeveria do të punojë për të shndërruar çdo ditë premtimet në vepra. “Ju garantoj se në kohën më të shkurtër do të fillojë ujësjellësi i ri i Durrësit dhe ky qytet në një hark kohor të shkurtër do të marrë ujë 24 orë. Ky do të jetë një nga vendimet më të para të qeverisë sime”, vijoi Kryeministri.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:

``Së pari ju përshëndes përzemërsisht. Së dyti, shpreh kënaqësinë se po festojmë fitoren, duke inauguruar fillimin e punimeve të unazës së Durrësit, një nga veprat më të rëndësishme të transportit të këtij qyteti.

Ky mandat është mandati i ndryshimeve më të mëdha të Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë. Ju dhe mbarë shqiptarëve që votuat ndryshimin, ju garantoj se ndryshimi do të ketë shpejtësinë më të madhe në historinë e këtij vendi. Në Durrës janë një seri projektesh të mëdha. Është në ndërtim e sipër nyja moderne e Shkozetit, unaza, parku energjetik, parku industrial. Në këtë katër vjeçar, Durrësi do të njohë një fuqi që nuk e ka pasur kurrë më parë në rrafshin industrial, në rrafshin turistik, në rrafshin energjetik dhe në të gjitha aspektet.

Shqiptarët më 28 qershor firmosën projektin e Durrësit evropian, Shqipërisë evropiane. Nga ky projekt nuk ka të humbur. Nga ky projekt ka vetëm të fituar. Në këtë projekt, të gjithë ata, që kanë si ëndrrën më të mirë të jetës së tyre Shqipërinë e integruar në Bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë, punësimin, shkollimin dhe kujdesin shëndetësor të standardeve evropiane, do ta gjejnë të realizuar.

Ndaj le të vazhdojmë të shndërrojmë çdo ditë premtimet në vepra. Ju garantoj se në kohën më të shkurtër do të fillojë ujësjellësi i ri i Durrësit dhe ky qytet në një hark kohor të shkurtër do të marrë ujë 24 orë. Ky do të jetë një nga vendimet më të para të qeverisë sime. Studimet janë bërë dhe burimet janë identifikuar. Asgjë nuk do ta pengojë qeverinë dhe cilido që të jetë investimi i nevojshëm do të bëhet dhe ky qytet do të furnizohet 24 orë me ujë.

Edhe një herë ju përshëndes dhe ju garantoj se programi për të cilin ju votuat do të bëhet çdo ditë realitet dhe i prekshëm nga ju.``


19/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›