E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kryetari i ri i ILDKP-së duhet të ketë mbështetjen sa më të gjerë të opozitës

Kryeministri Berisha ftoi sot gjatë mbledhjes së Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, deputetët e shumicës që preferencën për përzgjedhjen e kryetarit të ri të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, t`ia lënë opozitës.

Duke vlerësuar se ky institucion ka një rëndësi shumë të madhe për shtetin, Kryeministri theksoi se ILDKP duhet të ketë mbështetjen sa më të gjerë të opozitës. “Dua të shpreh vlerësimin për të gjithë përpjekjet e bëra për konsolidimin e këtij institucioni  i cili edhe njëherë e theksoj është i një rëndësie shumë të veçantë për vendin, për demokracinë, për ligjin, për luftën kundër korrupsionit në tërësi”, u shpreh Kryeministri.

Duke nënvizuar se nga seanca dëgjimore në komisionin parlamentar përkatës, për dy kandidaturat, njëri me profesion gjykatës dhe tjetri prokuror, nuk ka patur asnjë vërejtje, Kryeministri Berisha theksoi se duhet rënë dakord që meqenëse ILDKP-ja është një institucion kontrolli, opozita të ketë një zë më përcaktues se mazhoranca në zgjedhjen e kryetarit të këtij institucioni.

“Unë do t`ju ftoj që përzgjedhjen t`ia lëmë opozitës. Të jetë opozita ajo që të përcaktojë preferencën e vet. Duhet ta bëjmë këtë se jemi në pushtet. Nuk është kjo se opozita nuk verifikohet, edhe ajo verifikohet nga ky Inspektoriat dhe nuk duhet ta quajmë person të opozitës sepse ky nuk është person i opozitës, por përzgjedhjen do ta bëjë opozita. Mendoj se  do të ishte në interesin më të mirë të vendit. Në qoftë se opozita ka një preferencë ose mendon se njëri prej tyre përmbush më mirë detyrën ne të votojmë bashkërisht atë që mendon opozita. Në rast se opozita mendon se duhet të jetë një votim i lirë dhe cili të marrë vota më shumë të zgjidhet, unë sërish do të bija dakord me opozitën. Ky institucion kontrolli duhet të ketë mbështetjen më të gjerë të mundshme nga opozita”, u shpreh Kryeministri Berisha duke shtuar se nuk duhet që i zgjedhuri të jetë vetëm me votat e mazhorancës.


06/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›