E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ligji për prokurorinë, fryt i një bashkëpunimi shumëmujor midis institucioneve shqiptare dhe misioneve ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT

- Projektligji i cili i përmbahet një modeli që ka ekzistuar prej 18 vitesh, pavarësisht ndryshimit të qeverive,  krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi si dhe përgjegjshmërisë të këtij organi para ligjit.

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e tij radhës mori në shqyrtim projektligjin “Për  organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë i ndryshuar”. Lidhur me këtë projektligj të rëndësishëm, Kryeministri Berisha u shpreh se ai është fryt i një bashkëpunimi të gjatë shumë mujor midis institucioneve dhe një ekspertize të shkëlqyer të dy misioneve që asistojnë institucionet e vendit në fushën e ligjeve, EURALIUS dhe OPDAT.

Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për hartimin e tij, në mënyrë të veçantë Ministrin Alibeaj dhe stafin e tij, Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që ta shqyrtojë këtë draft, duke paraqitur të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet , për të kaluar më pas në një miratim të përbashkët.

“Shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjithë ata që kontribuuan, Ministrin Alibeaj dhe stafin e tij për punën shumë të mirë që kanë bërë ,por shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje opozitës që këtë draft ta shqyrtojë, të bëjë vërejtjet e veta, të paraqesë mendimet, sugjerimet dhe ta miratojmë bashkërisht. Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e këtij institucioni,opozita aq sa qeveria duhet të jetë e interesuar për një institucion të pavarur akuze në variantin për të cilin ka një dakortësi të plotë ,

Me tej, kryeministri Berisha u shpreh se “Ky model që është në vazhdimësinë  e një modeli që ka ekzistuar këtu prej 18 vitesh, pavarësisht nga ndryshimet e qeverive, krijon të gjitha garancitë e pavarësisë së tij nga ekzekutivi sikundër të gjitha garancitë e varësisë së tij nga ligji, e përgjegjshmërisë së tij para ligjit. Shpresoj që opozita  të shohë në këtë institucion, domosdoshmërinë e pavarësisë dhe funksionimit të tij, sipas ligjit, si interesi më i mirë i opozitës, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Ndaj dhe unë shpresoj që të arrijmë në një lloj mirëkuptimi.”


10/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›