VENDIM PER HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR CIKLIN E LARTË TË ARSIMIT BAZË, ME KOHË TË PLOTË, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QE
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMIT, MASTER I NIVELIT TË PARË NË MËSUESI, PËR CIKLIN E LARTË TË ARSIMIT BAZË, ME KOHË TË PLOTË, SI DHE PËR MIRATIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT E TË TARIFËS SË SHKOLLIMIT NË KËTO PROGRAME, NË UNIVERSITETIN “ISMAIL QEMALI”, VLORË, NË VITIN AKADEMIK 2008-2009
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 26, 34, 42 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Hapjen e programeve të studimit, master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, në Fakultetin e Edukimit, si më poshtë vijon:
a) Në lëndën “Gjuhë angleze”
b) Në lëndën “Gjuhë italiane”.
Në përfundim të këtyre programeve lëshohet diplomë “Master i nivelit të parë (MNP) në mësuesi”, për ciklin e lartë të arsimit bazë.
2. Programi i studimit, Master i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, realizohet me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit.
3. Kuota e pranimeve në këto programe studimi, për vitin akademik 2008-2009, të jetë, si më poshtë vijon:
i) Në lëndën “Gjuhë angleze” 120;
ii) Në lëndën “Gjuhë italiane” 120.
4. Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, shpërndan kuotat e vëna në dispozicion të tij, në masën jo më pak se 30 për qind, për studentët, që kanë përfunduar, të paktën, ciklin e parë të studimeve në institucionet e tjera të arsimit të lartë, dhe jo më shumë se 70 për qind, për ata që i kanë përfunduar këto studime pranë tij. Në rastet kur nuk ka kandidatë nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, që plotësojnë kriteret, universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ka të drejtë ta plotësojë kuotën e vënë në dispozicion me studentët, që janë diplomuar në këtë universitet. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve, përcaktuar nga njësitë kryesore të universitetit “Ismail Qemali”,Vlorë, bëhen publike paraprakisht.
5. Tarifa vjetore e shkollimit për studentët, që do të regjistrohen me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, të jetë sipas nënndarjes “ii”, të shkronjës “a”, të pikës 7, të vendimit nr.1337, datë 10.10.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, cikli i dytë i studimeve dhe master i nivelit të parë, me kohë të plotë, si dhe tarifat e shkollimit për programet e studimit, të miratuara për vitin akademik 2008-2009”.
6. Kandidatët, që u përkasin shtresave sociale, si: të verbërit, të shurdhët, invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, studentët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë apo fëmijët e policëve, të rënë a të plagosur për shkak të detyrës, të të ish-të përndjekurve politikë, që fitojnë të drejtën për të ndjekur një program studimi, master i nivelit të parë në mësuesi, në institucionet publike të arsimit të lartë, të paguajnë 50 për qind të tarifës së shkollimit.
7. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi.
8. Studentët e shkëlqyer nuk paguajnë, në çdo program studimi, master i nivelit të parë në mësuesi, me kohë të plotë, në vitin akademik 2008-2009, tarifën e shkollimit në vitin akademik pasardhës.
9. Kuotat e pranimeve në këto programe, të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen, sipas institucioneve publike të arsimit të lartë dhe programeve të ndryshme të studimit, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
10. Këto programe studimi ta fillojnë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2008-2009.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë.
12. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
10/12/2008