E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Sekretaren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë Znj. Elisabeth Walaas.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Znj. Walaas mirënjohjen  për ndihmën që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë gjatë 15 viteve dhe veçanërisht në përpjekjet e saj për integrimin në NATO.

Kryeministri theksoi se integrimi në NATO është njëri prej dy projekteve më madhore të shqiptarëve. Në këtë kontekst Kryeministri tha se po punohet në mënyrë intensive për zbatimin e reformave, luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në kuadër të reformave Kryeministri theksoi se qeveria ka nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesave dhe ka përcaktuar standarde të reja në përdorimin e fondeve publike, dhe në rritjen e transparencës në përdorimin e tyre.
 
Duke u ndalur në reformat e ndërmarra për krijimin e një klime sa më tërheqëse për investimet, Kryeministri e vuri theksin në nismat e qeverisë për reduktimin e barrës fiskale dhe burokracive.

Është reformuar administrata tatimore dhe doganore, dhe është ndërmarrë një luftë të ashpër kundër informalitetit duke çuar në rritjen e të ardhurave nga 22në 27 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto,- u shpreh Kryeministri Berisha- duke nënvizuar se kjo mundësoi miratimin e dy buxheteve suplementare në Kuvend.

Shqipëria, vijoi më tej Kryeministri, është shndërruar në vend tërheqës për investimet e huaja. “Turizmi, burimet hidrike për prodhimin e energjisë, tregu i pasurive të paluajtshme dhe pasuritë minerare janë disa nga potencialet e mëdha që Shqipëria ofron për investime”, tha Kryeministri Berisha.
 
Duke prezantuar disa nga reformat në fushën fiskale, Kryeministri Berisha tha se sipërmarrja norvegjeze është e mirëpritur për të investuar në Shqipëri.
 
Nga ana e saj Sekretarja e Shtetit në Ministrinë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Znj. Walaas u shpreh se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë procesin e reformave në Shqipëri në përpjekje për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO.

Znj. Walaas tha se arritjet e Shqipërisë janë mbresëlënëse dhe procesi i reformave është i pakthyeshëm.
“Shpresojmë që t`ju kemi së shpejti në NATO dhe mbështesim anëtarësimin tuaj. Jemi shumë të inkurajuar nga progresi që keni bërë dhe besoj se jemi pranë anëtarësimit tuaj në NATO”, u shpreh Znj, Walaas.
Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, tha se vazhdimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformimi i administratës, janë shumë të rëndësishme.

Znj. Walaas vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, ndërsa shtoi se prezenca e kompanive norvegjeze në Shqipëri është një sinjal pozitiv në thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare.
Më tej Znj. Walaas tha se performanca ekonomike e Shqipërisë është mjaft e mirë dhe mori angazhimin për të inkurajuar biznesin norvegjez për të investuar në vendin tonë, veçanërisht në sektorin e turizmit.
“Reformat kanë dhënë frytet e tyre dhe kjo është një gjë e mirë”, u shpreh më tej Sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Znj. Walaas tha se mirëpret vendimin e qeverisë shqiptare për hapjen e ambasadës shqiptare në Oslo, dhe theksoi se Shqipëria mund të shndërrohet në një portë të rëndësishme për shkëmbimet tregtare.

Kryeministri Berisha e siguroi Znj. Walaas se procesi i reformave ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme, duke nënvizuar se në vend ekziston një klimë politike shumë e mirë, dhe se po punohet në mënyrë konsensuale për realizimin e reformës zgjedhore, reformës në drejtësi dhe reformave të tjera madhore.

Gjatë takimit Kryeministri Berisha dhe Znj. Walaas biseduan edhe për zhvillimet në rajon dhe veçanërisht për situatën e re të krijuar pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Berisha theksoi se Kosova përbën një rast unik dhe nuk përbën precedent për asnjë vend tjetër, pasi ajo nuk ka qenë kurrë pjesë e Serbisë. Gjithashtu Kryeministri Berisha nënvizoi se Pavarësia e Kosovës është një faktor thelbësor për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Znj. Walaas u shpreh se Norvegjia do të finalizojë së shpejti procedurat për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa shtoi se do të punohet ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin për nxitjen e bashkëpunimit mes tyre.      
  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›