E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Mbështetje e plotë për investitorët, me synim rritjen e numrit të të punësuarve në mbarë vendin

Kryeministri Berisha mori pjesë, paraditen e së shtunës, në inaugurimin e fabrikës së Bimëve Medicinale, në Maminas të Durrësit, investim i kompanisë Xherdo Shpk, e mirënjohur në industrinë e mbledhjes dhe përpunimit të bimëve medicinale aromatike, si dhe në eksportimin e tyre në Evropë dhe SHBA.

Fabrika e ndërtuar sipas teknologjisë më moderne të kësaj fushe, me vlerë investimi prej 2 milion eurosh, shtrihet në një sipërfaqe 4500 m2 dhe ka disa linja përpunimi bimësh, duke realizuar gjithashtu edhe grumbullimin dhe kompostimin e mbetjeve të bimëve për plehra organike. Në fabrikë janë të punësuar 40 punëtorë me kohë të plotë dhe 1000 të tjerë sezonalë. Xherdo ofron mbledhjen dhe përpunimin e bimëve të tilla si: Sherebelë, Rigon, Dafinë, Boronicë, Trumzë, Dëllinjë e Zezë, Dëllinjë e kuqe, Trëndafil i Egër, Bar Blete, Rozmarinë e shumë të tjera. Ajo ka një kapacitet eksporti prej 1 200 000 euro.

Kryeministri vizitoi mjediset e brendshme të fabrikës ku u takua me drejtues e punonjës të saj, të cilët  e njohën nga afër me proceset e realizuara aty.

Duke përgëzuar investitorët për sukseset e arritura dhe vizionin e qartë për të ardhmen, Kryeministri shprehu kënaqësinë që ky sektor, i cili ofron potenciale të rëndësishme punësimi po shfrytëzohet me interes dhe eficencë nga shumë kompani shqiptare.

Me premtimin se krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja  e shpejtë ekonomike do të jenë objektivat madhore të 4 viteve që vijnë, Kryeministri theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të lehtësuar dhe inkurajuar investimet në mbarë vendin. Kryeministri renditi  një sërë masash , të cilat janë zbatuar me shumë efikasitet në ndihmë të biznesit, si dhe prezantoi masa të tjera ligjore që pritet të miratohen në të ardhmen. Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë fuqishëm investitorët, me synim rritjen e numrit të të punësuarve në mbarë vendin.

Fjala e kryeministrit Berisha në përurimin e fabrikës së bimëve medicinale në Maminas, Durrës:

“Së pari, unë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë punëtorët, stafin teknik dhe presidentin e nderuar të kompanisë Xherdo, për suksesin që ju inauguroni sot, në Maminas, fabrikën e përpunimit të bimëve aromatike të vendit, investim prej 2 milion eurosh, teknologji ndër më të avancuarat, tre-katërfishim i kapaciteteve prodhuese të mëparshme të kompanisë, vizion shumë i qartë për vitet që vijnë. Presidenti më siguroi se shumë shpejt, ai do të katërfishojë prodhimet e esencave dhe prodhime të tjera ,të cilat këtu funksionojnë në një cikël të mbyllur në mënyrë të mrekullueshme.

Zonja dhe zotërinj,

Investimet dhe krijimi i vendeve të punës përbën për ne, objektivin më madhor. Shqipëria ka potenciale të mëdha prodhimi, potenciale të mëdha punësimi. Le të ndalemi në sektorin e bimeve mjeksore aromatike. Shqipëria është e njohur për shkak të relievit të saj dhe të faktorëve të tjerë. Ajo ka florën, relievin, biodiversitetin më të pasur në Evropë, mbi 30 % të specieve të kontinentit ndodhen në këto 28 mijë km2. Shqipëria, nga 3200 specie të ndryshme, rreth 340 prej tyre kanë përdorim aromatik apo medikal, ai dru, shkurre, lule apo bimë të ndryshme. Në këtë sektor, aktualisht funksionojnë disa kompani, njëra është  e madhe përpunon mbi 2000 ton , të tjera janë të mesme  dhe njëra prej tyre është kjo e zotit Xhavit, e cila është modernizuar, duke u kthyer nga një punishte e thjeshtë në vitin 1995, në një fabrikë të standardeve më të larta botërore, e certifikuar në konkurse dhe panaire ndërkombëtare, e aderuar në institucionet më seroze ndërkombëtare të këtij lloji, në botë.

Duke biseduar me presidentin, një gjë më bëri shumë përshtypje pozitive. Disa kohë më parë ne bëmë një takim dhe në atë takim ne shpallëm se do të ndihmojmë, do të mbështesim fuqishëm sektorin  e bimëve aromatike dhe mjeksore. Së bashku me ministrin e asaj kohe, u bë identifikimi i të gjithë parcelave se ku ndodheshin. Ishin gjithsej 100 ha sherebelë të kultivuar. Ndërsa sot janë 2000 ha. Sherebela e vendit është absolutisht një nga varietetet ose ndofta varieteti më i  mirë që ekziston dhe mbulon mbi 60 % të tregut evropian. Sherebela është një nga potencialet e mëdha dhe ne zotohemi gjatë viteve që vijnë të katërfishojmë sipërfaqen e mbjellë me sherebelë në jug dhe në veri të vendit.

Sot janë mbi 100 mijë familje fermerësh në verilindje dhe juglindje të cilat marrin të ardhura shtesë me bimët mjekësore që mbledhin. Sot qeveria ka krijuar një kuadër ligjor shumë të përshtatshëm për mbështetjen e tyre. Qeveria do të subvencionojë farat dhe fidanët, do të subvencionojë krijimin e fermave të bimëve medicinale, sherbelës dhe bimëve të tjera. Qeveria do të bëjë gjithçka me pushtetin vendor për mbrojtjen nga shkatërrimi të plantacioneve natyrale të tyre, të cilat janë një pasuri e madhe. Kapaciteti vjetor i këtyre bimëve është rreth 200 mijë ton prodhim në vit. Ne jemi vetëm në hapat e para. Eksportet e tyre janë vetëm 30 milion dollarë. E vërteta është që ato mund të rriten jo 10, por 20 herë. Me 10 herë mund të rritet vlera e tyre vetëm nëpërmjet përpunimit, shndërrimit të tyre në esenca, por mund të rritet shumë më tepër me të gjithë ndikimet në rritjen e mbjelljes së sipërfaqes së tyre.

Zonja dhe zotërinj,

Krijimi i vendeve të punës, rritja e shpejtë ekonomike do të jenë objektivat madhore të 4 viteve që vijnë. Shqipëria me reforma të thella ia doli që të mos bjerë në recension dhe ju jeni dëshmitarë të gjallërisë së biznesit dhe të jetës ekonomike në të katër anët e vendit. Kudo po ndërtohet sot, si në një asnjë vend tjetër përreth. Kudo ndërtohen rrugë, autostrada dhe vepra të tjera publike. Kudo po investohet. Në një hark kohor të shkurtër, vetëm në fushën e agrobiznesit ne kemi inauguruar 4-5 fabrika të rëndësishme në të katër anët e vendit. Ne do bëjmë gjithçka që kjo klimë për biznesin të njohë përmirësime të mëdha, do të bëjmë gjithçka që punëtorët, inxhinierët, teknikët, të shpërblehen me rroga më të mëdha. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale prej 10%, duke krijuar një shpërblim më të mirë për punën nga fonde të cilat ishin parashikuar të vinin në buxhetin e shtetit dhe këtu përfitojnë mbi 200 mijë punëtorë ose më shumë. Ne do të bëjmë gjithçka  për të lehtësuar, për të inkurajuar investimet. Xhaviti të gjitha këto i ka marrë me tvsh. Çdo investim që do të bëjë tani  e tutje do të jetë pa asnjë tarifë, doganore, pas asnjë taksë të vlerës së shtuar. Me vendimin që morëm, ne mund të jemi ndofta i vetmi, ose ndër më të paktat vende në planet që kemi hequr çdo lloj takse mbi kapitalin. Ne nuk kemi patur taksë mbi kapitalin financiar, por kemi patur tvsh dhe tarifa doganore mbi të gjithë kapitale të tjera. Ato nuk do të ekzistojnë më, sapo në dy javët e ardhshme të votohet në parlament projektligji që ne dërguam.

Ne po bëjmë gjithçka për punësimin, kemi hequr çdo detyrim fiskal për çdo të ri të punësuar. Ne  e bëjmë këtë sepse ne jemi një komb i ri, kemi një moshë mesatare shumë të re, krahasuar me kombe të tjera në Evrope, pra kemi një numër të madh të rinjsh dhe duhet të bëjmë gjithçka që ti sistemojmë në punë, në mënyrë që energjitë e tyre të shpalosen në punë, në interesin më të mirë të familjeve të tyre dhe të vendit.

Këto janë masa që ne po miratojmë tani, por ne nuk do të reshtim kurrë së përpjekuri për klimën më të shkëlqyer të biznesit në Shqipëri.

Ne i kemi premtuar shqiptarëve se do të krijojmë gjatë 4 viteve të ardhshme 250 mijë vende pune të reja. Askush nuk duhet të çuditet. Ky është një premtim shumë realist. Ne e bazojmë këtë sepse gjatë 4 viteve që shkuan, që ishin vitet e kulmit të krizës në Evropë dhe më gjerë, bizneset tona që paguajnë taksa në organin tatimor janë rritur me 30 %. Dhe në qoftë se marrim xhiron e tyre, ajo është rritur shumë më tepër. Është rritur me 30 % punësimi në biznesin jo bujqësor dhe këtë 30 përqindësh, gjatë 4 viteve që vijnë, ne do të bëjmë gjithçka për ta rritur edhe më tej. Ne jemi realistë. Me këtë paketë të re që ne vendosëm, ne i çlirojmë të ardhura biznesit. Biznesi nuk do të paguajë tvsh, nuk do të paguajë tarifa doganore, por do të investojmë me një kosto 20-30 % më të ulët sesa investonte më parë. Dy javë më parë takova një kompani të madhe, e cila do të investojë  një nga HEC gjigande. “Kjo- më tha- është një lehtësim për ne, kjo na kursen ne rreth 100 milion euro.” Pra ne po i krijojmë biznesit mundësi që të rritet me së paku 30 % në 4 vitet që vijnë dhe kjo rritje nuk po them se do të krijojë 60 mijë apo 80 mijë vende pune, por një gjë është e sigurtë që do të krijojë mbi 40 mijë vende pune.

Ne  e bazojmë  premtimin tonë për punësimin tek turizmi. Sot në turizëm, sipas të gjitha statistikave janë të punësuar 150 mijë shqiptare. Ne besojmë dhe jemi të sigurtë se në 4 vitet që vijnë, nga 4,7 milion turistë, ne do të arrijmë të marrim 6 milion turistë minimumi. Pra ne do të shtojmë në sektorin e turizmit, se paku edhe 30 mijë punëtorë të tjerë.

Sot, janë në ndërtim e sipër apo janë ndërtuar rreth 50 Hec-e, por kemi kemi firmosur kontrata për koncesion për 360 hec-e. Ju do të jeni dëshmitarë se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i veprës energjetike më të madhe në Evropë, kaskadës së Devollit, investim prej rreth 1 miliard dollarë, i cili do të punësojë 4 deri në 5 mijë punëtorë, por janë me dhjetëra hec-e të tjera. 3 muaj më parë, unë isha në Lapaj, në luginën  e Drinit, ku inauguruam një HEC 15 megavat. Sipërmarrësi më tha se për atë hec, kishin punuar 2500 punëtorë dhe mbi këtë hec ishin 5 të tjera që po ndërtoheshin mbi shpatet e vargmaleve midis Kukësit dhe Peshkopisë. Ne hoqëm tvsh-në e hekurit për ndërtimin e Hec , si lëndë kryesore. Pra, ne llogarisim që gjatë 4 viteve që vijnë në ndërtimin e Hec-ve të punësohen jo 15 mijë, por së paku 30 mijë qytetarë shqiptarë dhe që janë në zonat, nga më të thellat malore.

Ne jemi konkretë, jemi realë. Ne vijmë tek ju mbi bazën e shifrave tërësisht realiste dhe aspak të fryra. Nga 2007 deri më sot, ne kemi subvencionuar 222 mijë familje fermash në fshat. Shkoni në fshatin shqiptar dhe shihni, në qoftë se ne kemi subvencionuar 1, fermerët vetë kanë investuar së paku 3 deri 4 herë më shumë. Isha në komunat e Fierit. Kryetari i komunës së Krujanit më tha se – kemi 300 mijë rrënjë ullinj, nga të cilat 70 % janë të reja, 230 mijë janë të reja, vetëm 70 mijë janë të vjetra Nuk i kemi subvencionuar ne, të gjitha ato. Ne kemi subvencionuar vetëm disa prej tyre, pjesën dërrmuese  e kanë subvencionuar vetë fermerët dhe kanë krijuar fermat e tyre.

Pra në 4 vite në sektorin bujqësor dhe agrobiznes janë krijuar mbi 100 mijë vende pune. Këtu unë ju siguroj se 4 vitet që vijnë, ne do të dyfishojmë grantet, kreditë, për sektorin bujqësor të vendit. Unë nuk them se do të krijohen 200 mijë vende pune me këto,por ju garantoj se do të krijohen së paku 130 mijë vende pune të reja dhe kjo përbën një përgjigje të mirë ndaj papunësisë.

Pesë vite më parë, punësimin në teknologjinë  e lartë të informacionit nuk ekzistonte, ndërsa sot janë 13300 punëtorë , teknikë e inxhinierë që paguhen në këtë fushë. Asnjë vend nuk ka ecur sa Shqipëria dhe ne kemi hedhura baza të fuqishme që 4 vitet që vijnë, Shqipëria të ngjitet në nivelet më të larta të teknologjisë së informacionit dhe ju garantoj ju se 4 vitet e ardhshme në këtë sektor do të krijohen së paku edhe 50 mijë vende pune të reja.

Unë u ndala këtu, në këto sektorë ku besoj do përmbushin plotësisht besimin tonë realisht për 250 mijë vende pune. Por ne, nga ana tjetër do të bëjmë gjithçka për tregun  e punës, do të bëjmë gjithçka për kualifikimin dhe formimin e qytetarëve shqiptarë sipas profesioneve dhe këtu jemi në fillimet. Ne kemi informatizuar plotësisht zyrat e punës dhe sot ato janë plotësisht të standardeve më moderne që ekzistojnë. Po ky është një hap i parë i rëndësishëm, një hap tjetër shumë i rëndësishëm është kualifikimi i punëtorëve. Gjatë viteve që vijnë ne do të përcaktojmë një kuadër shumë të favorshëm ligjor, për sipërmarrësin, për kualifikimin e punonjësve të tij, aty në sektorin ku punojnë apo ku të duan ata, aty ku mendon se  e gjen më mirë njeriu veten apo shfaq talentin e tij.  Ne do të bëjmë gjithçka që të krijojmë punë, bazuar se në parimin se çdo punë është më e mirë se ndihma shtetërore, e cila ve në gjumë dhe topit njeriun dhe familjen. Alternativat tona janë realiste, me shifra konkrete. Kur nisëm prodhimin e sherbelës bëheshe fjalë për 100 ha, të cilat sot janë bërë 2000 mijë. Nuk them se do të rrisim me 20 herë 4 vitet që vijnë, por mund ta rrisim atë me 4 deri në 5 herë. Xhaviti më tha se do të rrisë 4 herë. Pra në këtë mënyrë ne shumëfishojmë rritjen dhe potencialet e prodhimit.

Ka një alternativë tjetër, e cila bazohet në dy shtylla, alternativa e mashtrimit, e Shqipërisë së gënjeshtërt. Shqipëria nuk është parajsë, është shumë larg të qenit e tillë. Shqipëria nuk është bulevard, as kopsht me lule, por Shqipëri e gënjeshtërt nuk është. Shqipëria është një realitet i vlerësuar jo nga një, por nga personalitetet më të shquara të fushës së zhvillimit të ekonomisë, është një realitet i konsideruar histori e vërtetë suksesi. Është e konsideruar e tillë, sepse shqiptarët më shumës e të gjithë të tjerët me mund dhe djersen e tyre, në  një hark kohor të shkurtër ia kanë dalë të ecin me shpejtësi drejt mëkëmbjes, ia kanë dalë të zgjidhin problemet madhore.

Sot, në shumë se 320 mijë familje shqiptare kanë më shumë se 1 banesë. Asnjërën prej tyre nuk ua ka ndërtuar shteti, por i kanë ndërtuar vetë me mundin dhe djersën, por kanë qenë rregullat, të cilat ia u kanë bërë të mundur këto. Në kulmin e krizës bizneset u rritën me 30 %, pikërisht në periudhën 2009-2012. Eksportet në këtë periudhë u dyfishuan dhe këto janë realitete. Pra, ne kemi një Shqipëri reale, kjo që është, me sukseset  e saj, me dhimbjet e saj, por një Shqipëri që zhvillohet, jo një Shqipëri e gënjeshtërt.

Shtatë vjet më parë unë vizitova një fermer që kishte sera të mrekullueshme në Berat, që prodhonte prodhime të cilësisë më të lartë. E gjeta në gjendjen më të mjerueshme depresive, sepse më tha – “të gjithë këto unë i prodhoj, por për 300 metra rrugë të prishur, askush nuk vjen të mi marrë. Kamionët nuk kalojnë këtej.” Dhe është e lehtë të thuash se rrugët nuk krijojnë vende pune apo ti referohesh Afrikës. Unë kam respekt për qytetarët e të gjithë vendeve të botës, por nuk ka qytetarë, zoti Rama, që punojnë më shumë se qytetarët shqiptarë, prandaj duhet të respektosh mundin dhe djersën e tyre.

Flet për taksa, por të pyesni ju, Presidentin e Xherdës, se si arriti të zmadhojë biznesin e tij, absolutisht një nga faktorët kryesorë ka qënë ulja  e taksave, sepse të dashur punëtorë, kontributet shoqërore, para 6 vitesh nuk kanë qenë 15 % për sipërmarrësin, kanë qenë 30 % dhe ky 15 % u hoq dhe i dha Xhavitit mundësinë për të investuar. Tatimi mbi të ardhurat  personale nuk ka qenë 10 %, por ka qenë 23 %. Zbritja në 10 % i krijoi mundësi që ato fonde ti përdorë për ju, për të investuar, për të rritur rrogat, për të përmirësuar kushtet e fabrikës. Pra ideja e taksës progresive, është ideja e shkatërrimit të vendeve të punës, është ideja e dekurajimit të investimeve. Sepse në qoftë se ti sipërmarrësit i heq interesin për të investuar edhe ai nuk ka interes për të punësuar. Përkundrazi në qoftë se për një rast do të kalohej në taksën progresive, akti i parë që do të ndodhte do të ishte shkurtimi i madh i punëtorëve në sipërmarrjet shqiptare. A mund të përfytyroni ju një politikan, i cili thotë se “gjykata është një kasaphanë dhe unë do ta zëvendësoj atë me Zyrën Cakulli në Këshillin e Ministrave?” Zotëri, sado të drejte, sado të ndershëm, sado të kristaltë të jemi ne politikanët, kurrë mos e dhëntë Zoti  që politikanët të marrin në dorë drejtësinë dhe të mendosh se mund të zëvendësosh një trupë gjykuese apo gjykatat, me një zyrë që hap me gjobëvënës  në kryeministri, siç kishte ndër mend zoti Rama. Kjo është të mendosh se si të ecësh në kundërshtim me të gjitha rregullat e një shoqërie të lirë, e një biznesi të lirë, e një ekonomie të lirë.

Por le ta leme në fantazinë  e tij, le të vazhdojmë me vepra, le të vazhdojmë me fabrika të reja, me investime të reja, të vazhdojmë këtë proces zhvillimi në 4 vitet që vijnë , për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar, në një vend evropian, të bëjmë gjithçka për të marrë statusin dhe hapur negociatat gjatë 4 viteve në BE, çka do të thotë shumëfishim i madh i investimeve direkte, nga mbarë Evropa në Shqipëri, do të thotë shumëfishim i investimeve të BE, në infrastrukturën e Shqipërisë, do të thotë një perspektivë e madhe e re për shqiptarët.

Edhe një herë gëzuar ju, për këtë fabrikë të mrekullueshme që keni ndërtuar dhe ju garantoj për mbështetje të plotë. Zoti president, të gjithë ambiciet tuaja që shprehët aty, janë ambicie pozitive, që synojnë para së gjithash, rritjen e kapaciteteve prodhuese, rritjen e numrit të punësuarve, rritjen e numrit të fermerëve që do të përfitojnë nga angazhimi në sektorin e  bimëve aromatike mjekësorë, rritjen në tërësi ekonomike të vendit dhe punësimit në vend.


23/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›