E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi ne parashikojmë të dyfishojmë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve

- Sektori privat (i huaj) në 4 vitet e fundit ka investuar rreth 4 miliard e 200 milion dollarë. Ndërsa, sektori privat (vendas) në këto 4 vite ka investuar në Shqipëri minimumi 6 miliard dollarë. Gjatë 4 viteve që shkuan janë investuar në tërësi rreth 12 miliard dollarë, me të cilat janë krijuar përafërsisht 200 mijë vende pune.

- Në çdo sektor, bujqësi, turizëm, etj, do të ketë rritje të punësimit, të cilat do të jenë të përllogaritura mbi baza realiste dhe terma konkrete.

Kryeministri Berisha u ndal sot në  njërin prej projektligjeve të rendit të ditës i cili konkretisht është projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet METE, si autoritet kontratues dhe EVN AG, Statkraft as the Devoll Hydropower, sh.a, si bashkëkoncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektiti të HE, në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.

Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri shpjegoi se kompania austriake EVN, i ka shitur aksionet e Kaskadës së Devollit, kompanisë norvegjeze “Statkraft”, kompani kjo numër 1, në të gjithë botën për ndërtimin e HEC-ve jashtë vendit të vet, numri 1 në Evropë, për HEC që menaxhon dhe drejton në Norvegji, mbi 200 të tilla.

Kryeministri theksoi se ndërtimi i HEC-ve është një proces i cili gjeneron me mijëra vende pune, ashtu siç është faktuar nga viti 2007 e deri më sot, kohë në të cilën qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve, në mbarë vendin. “Unë mund tu them se gjatë këtyre viteve janë punësuar dhe paguar rreth 50 mijë punonjës, inxhinierë, teknikë  dhe punonjës të tjerë në fushën e studimit, projektimit dhe me gjerë. Dhe këto HEC-e kanë punësuar shqiptarë në zona më të varfëra të vendit, nga Vithkuqi, në Martanesh, në Lurë, në Luginën e Drinit dhe kudo në Dardhë, pra në zona nga më të thellat.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri bëri të ditur se me Kaskadën e Devollit, do të punësohen së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë, duke  e bërë atë veprën më gjigande në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.

Kryeministri theksoi se me nisjen vitin e ardhshëm, të dy projekteve gjigande, Kaskadës  së Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi qeveria parashikon të dyfishojë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve. Kryeministri gjithashtu theksoi se në cdo sektor do të ketë rritje të punësimit, të cilat do të jenë të përllogaritura mbi baza realiste dhe terma konkrete.

Lidhur me këtë projektligj, kryeministri u shpreh:

“Sot, në rendin e ditës kemi një seri projektvendimesh dhe projektligjesh shumë të rëndësishme. Njëri prej tyre është një projektligj që ka të bëjë me ndryshimin e kontratës së kompanive ndërtuese të Kaskadës së Devollit. Siç është marrë vesh gjatë javës që shkoi , kompania austriake EVN, i ka shitur aksionet e Kaskadës së Devollit, kompanisë norvegjeze “Statkraft”, kompani kjo numër 1 në të gjithë botën për ndërtimin e HEC-ve jashtë vendit të vet, numri 1 në Evropë, për HEC që menaxhon dhe drejton në Norvegji, mbi 200 të tilla. Marrëveshja midis dy kompanive është në përputhje të plotë me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare dhe “Statkraft” e Norvegjisë ka treguar vullnet për të filluar punimet në Kaskadën e Devollit, në mënyrë të pandërprerë, sapo të bëhet formalizimi i këtyre ndryshimeve nga qeveria dhe parlamenti shqiptar.

Zonja dhe zotërinj, ministra, të dashur qytetarë të vendit,

Pas 30 vitesh ndërprerje të plotë të ndërtimit të HEC-ve viti 2007 e këtej shënon një epokë tjetër në këtë drejtim dhe nga 2007 e në vazhdim, qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve. Dhjetëra prej tyre kanë përfunduar ose janë në ndërtim. Ndërtimi tyre është një proces që gjeneron me mijëra e mijëra vende punë. Unë mund tu them se gjatë këtyre viteve janë punësuar dhe paguar rreth 50 mijë punonjës, inxhinierë, teknikë  dhe punonjës të tjerë në fushën e studimit, projektimit dhe me gjerë. Dhe këto HEC-e kanë punësuar shqiptarë në zona më të varfëra të vendit, nga Vithkuqi, në Martanesh, në Lurë, në Luginën e Drinit dhe kudo në Dardhë, pra në zona nga më të thellat. Por punësimi masiv në HEC fillon me Kaskadën e Devollit, e cila dom të punësojë së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe në fakt ajo është vepra më gjigande në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Është investimi më i madh në sektorin privat, në historinë e vendit. Sektori privat (investimet  e huaja) në 4 vitet e fundit ka investuar rreth 4 miliard e 200 milion dollarë. Ndërsa, sektori privat vendas  në këto 4 vite ka investuar në Shqipëri minimumi 6 miliard dollarë. Pra në tërësi gjatë 4 viteve që shkuan janë investuar në tërësi rreth 12 miliard, me të cilat janë krijuar përafërsisht 200 mijë vende punë. Por në vitet që vijnë projekti ynë parashikon që Shqipëria për investimet  e huaja direkte të arrije kapacitetin e saj.

Në vitin 2012, Shqipëria mori më shumë se kapacitet, por Shqipëria duhet të rrisë më shumë kapacitetin për të marrë. Projekti ynë është që rritja graduale të finalizohet me 2 miliardë dollarë investime të huaja në vit dhe kjo është plotësisht e mundshme. Vitin e ardhshëm në Shqipëri do të nisin dy projekte gjigande, kaskada  e Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik. Qeveria ka gjithçka gati për kaskadën e Vjosës dhe Skavicën. Pra, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi ne parashikojmë të dyfishojmë në katër vitet që vijnë numrin e të punësurve , pra jo 15 mijë, por të jenë së paku 30 mijë qytetarë në ndërtimin e HEC-ve, në ndërtimin e gazsjellësit, në ndërtimin e projekteve të tjera energjetike.

Kjo është një përqindje realiste, sepse mund të kishte parashikime edhe më të mëdha, por ne duhet të mbetemi gjithnjë në terma konkrete. Ne do të donim, por nuk parashikojmë dyfishim, punësimin në sektorë të tjerë. Në çdo sektor, natyrisht , do të ketë rritje të kalkuluar, të llogaritur të punësimit. Nuk mund të them se do të punësojmë në bujqësi 200 mijë bashkë me sektorin privat. E vërteta është se janë punësuar 100 mijë gjatë këtyre 4 viteve, nga sektori publik së bashku me sektorin privat. Sektori publik është fjala për  grantet  dhe janë 42 mijë familje që kanë përfituar nga këto grantet, nga viti 2007 e deri më sot. Por kjo është vetëm  1/5. Natyrisht do të bëjmë gjithçka që të rrisim punësimin në sektorin e bujqësisë me 25 %dhe ne do të bëjmë gjithçka që ne të rrisim punësimin në turizëm me 25 % , ndonëse ne parashikojmë një rritje të turizmit në katër vitet që vijnë, të paktën me 40 deri në 50 %. Do të bëjmë gjithçka të rrisim punësimin në bizneset bujqësore, pasi masat që kemi marrë janë masat më të fuqishmet që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë për punësimin, por ne nuk themi se do të dyfishojmë numrin e të punësuarve në bizneset në 4 vite. Jo në 4 vite, në ambicien tonë, ne do të rrisim me 30 % numrin e të punësuarve në bizneset jobujqësore të vendit. Pra në tërësinë  e vet, objektivat që ne parashtrojmë për punësimin janë realiste, plotësisht të realizueshme. Natyrisht mundësitë e reja që krijohen nuk do të mbeten pa u shfrytëzuar, por ne nuk japim shifra në erë, nuk deklarojmë njëherë 300 mijë dhe pastaj 250 mijë, jo ne llogaritjet tona i kemi sipas sektorëve dhe përveç sektorëve mekanizmat e gjenerimit të rritjes, mekanizmat  e gjenerimit të vendeve të punës, mekanizmat e reformimit të thellë të tregut të punës.


20/03/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›