Kryeministri Berisha inauguron rrugën Gramsh-Kodovjat, investim me vlerë 500 milionë lekë. Ndërtimi i rrugëve, shans dhe potencial i madh për punësim

- “Gjatë këtyre viteve që shkuan në sektorin e bujqësisë u punësuan 100 mijë shqiptarë. Në katër vitet që vijnë, ne do të punësojmë në këtë sektor jo 100 mijë, por 130 mijë shqiptarë”
Kryeministri Berisha inauguroi sot segmentin rrugor Gramsh-Kodovjat, një rrugë e rikonstruktuar sipas parametrave bashkëkohore, e cila krijon kushte normale transporti, duke lehtësuar lidhjen me shërbimet arsimore, shëndetësore dhe tregjet bujqësore.
Rruga Gramsh - Kodovjat me gjatësi 13,4 km dhe gjerësi 5 – 6 m është një financim i buxhetit të shtetit me vlerë rreth 500 milionë lekësh. Nga ndërtimi i kësaj rruge përfitojnë 13 mijë banorë në komunat Kodovjat, Pishaj, duke shërbyer edhe si arterie kryesore për komunat Kukur e Lenie të këtij rrethi. Investimi i shërben zonës në zhvillim nga ndërtimi i hidrocentraleve në Kaskadën e lumit Devoll.
Gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit janë investuar 8 herë më shumë se qeverisja e PS. Janë ndërtuar mbi 80 km rrugë, 25 Shkolla, 10 ujësjellësa dhe 18 ambulanca e qendra shëndetësore. Janë subvencionuar mbi 500 fermerë ose 400 ha me ullinj, bajame, vreshta, blegtori e dru frutor. Qeveria ka kontraktuar dhënien me koncesion të ndërtimit të 9 HEC-ve duke krijuar mundësinë e hapjes së vendeve te reja të punës. Ndërsa numri i bizneseve të reja është rritur në 800 nga 530 biznese që ishin në 2006.
Kryeministri Berisha në fjalën e tij theksoi faktin se qeveria është përqendruar më shumë se në çdo gjë tjetër në ndërtimin e një infrastrukture moderne, sepse beson se në këtë vend nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për tu braktisur dhe investimet në infrastrukturë, krijojnë mundësitë të mëdha dhe të jashtëzakonshme për të dalë nga varfëria, për të ndërtuar një jetë në mirëqenie.
Më pas Kryeministri u ndal në investimet që janë bërë dhe do të bëhen gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit, duke thënë se këtë rreth qeveria do të ndërtojë dhe rindërtojë çdo kilometër rrugë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh se ndërtimi dhe rindërtimi i rrugëve janë shanse dhe potenciale të mëdha punësimi, sepse rruga hap tregun dhe bën që prodhimet tuaja të mund të shiten në kohën më të shkurtër dhe me koston më të ulët të transportit.
Duke u ndalur tek premtimi i bërë për hapjen e 250 mijë vendeve të reja pune në katër vitet që vijnë, Kryeministri Berisha tha se, ky është një premtim real dhe shumë konkret. “Vetëm katër vitet që shkuan qeveria ka kredituar me grande 42 mijë familje shqiptare. Por në qoftë se ne kemi kredituar 42 mijë familje dhe krijuar dhjetëra mijëra vende pune, katër herë më shumë ka investuar në sektorin privat, në ferma në agro-biznes dhe në blegtori në vend. Gjatë këtyre viteve që shkuan në sektorin bujqësor u punësuan në bizneset e këtij sektori rreth 100 mijë shqiptarë. Çfarë premtojmë ne? Në katër vitet që vijnë të punësojmë jo 100 mijë, por të punësohen 130 mijë shqiptarë dhe unë ju jap fjalën ju, se ne do të dyfishojmë grandet për Gramshin dhe mbarë Shqipërinë, për fermerët e Gramshit dhe të mbarë Shqipërisë”, -u shpreh Kryeministri Berisha. Ai theksoi gjithashtu se qeveria katër vitet që vijnë do të dyfishojë grandin e saj për fermerët e Shqipërisë dhe do të krijojë fermat më moderne që vendi ka njohur.
Kryeministri Berisha theksoi më tej se alternativa e kësaj qeverie është investimi dhe zhvillimi, dhe tashmë këto janë të provuara, ndërkohë që përballë është një alternativë tjetër, e cila është veçse një gënjeshtër.
Një tjetër investim i madh që do të bëhet në zonë është ndërtimi Kaskadës së Devollit. Krahas saj, theksoi kryeministri, janë 9 hidrocentrale të tjera, në ndërtimin e të cilave do të punësohen të pakën 8 mijë punonjës.
Kryeministri ka garantuar kryetarin e komunës se qeveria do të investojë çdo projekt që do të hartohet për zhvillimin e komunave dhe se në Gramsh do të ketë një transformim të madh të infrastrukturës së vendit. “Rruga Gramsh-Elbasan do të fillojë brenda pak muajve ndërtimin e saj dhe jo nga ajo që ju mashtrojnë ju se do kalojë nga kodrat. Absolutisht. Ajo do jetë buzë liqenit dhe do të jetë një nga rrugët më panoramike, do jete 10 kilometra më e shkurtër”, - tha kryeministri.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri u shpreh:
"Të dashur banorë të Kodovjatit
Qytetarë dhe qytetare të nderuar
Së pari përshëndetjet më të përzemërta dhe urimin tim më të mirë për rrugën e re që inauguruam sot, rrugë e cila ndryshon në mënyrë të rëndësishme, jetesën e banorëve të Kodovjatit, Pishaj dhe shërben si arterie kryesore për komunat Kukur dhe Lenie, rrugë që ju shërben në 14 kilometrat e saj, mbi 13 mijë banorëve dhe që është një investim prej rreth 500 milion lekë dhe ky është një nga investimet e rëndësishme në rrethin e Gramshit.
Zonja dhe zotërinj,
Vëllezër dhe motra,
Qeveria jonë është përqendruar më shumë se në çdo gjë tjetër në ndërtimin e një infrastrukture moderne, sepse ne besojmë se në këtë vend, nuk ka asnjë pëllëmbë tokë për tu braktisur, ne besojmë se në Gramsh, në Mokër, në Dukagjin, në Tropojë dhe kudo, kushti vendimtarë është infrastruktura, janë rrugët, janë shkollat, ujësjellësat, kanalet vaditëse, kanalizimet, sepse toka vetë është një tokë pjellore, sepse klima është një klimë e mrekullueshme, sepse mundësitë janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme për të dalë nga varfëria, për të ndërtuar një jetë në mirëqenie.
Ndaj dhe ne, gjatë këtyre viteve në rrethin e Gramshit kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 90 kilometra rrugë. Unë jam sot këtu, për tu dhënë fjalën ju se në rrethin tuaj do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë, se Gramshi do të lidhet me Maliqin, se rruga e Gramshit do të shkurtohet në 10 kilometra të tjera me Elbasanit dhe se tuneli i Elbasanit, afron Kodovjatin afron Gramshin, me një orë më shumë me kryeqytetin e vendit, me Tiranën.
Rruga që ne ndërtojmë dhe çdo rrugë, është një shans dhe një potencial i madh për punësim, sepse rruga hap tregun dhe bën që prodhimet tuaja të mund të shiten në kohën më të shkurtër dhe me koston më të ulët të transportit. Kryetari informoi këtu se janë mbjellë rreth 20 hektarë bajame. Unë kam bindje të madhe, se në këtë zonë mund të mbillen rreth 400 hektarë bajame, se në këtë zonë vetëm në prodhimin e bajameve, mund të punësohen jo qindra, por edhe mijëra punëtorë të mrekullueshëm të Gramshit.
Rruga është punësimi, sepse rruga krijoj mundësi, fton të gjithë investitorët sipas interesave të tyre të investojnë në Kodovjat, të investojnë në çdo skaj të Shqipërisë, aty ku ka infrastrukturë moderne.
Rruga është punësim, sepse rruga me ndërtimin e saj punëson qindra, krah pune. Gjatë këtyre viteve ne kemi ndërtuar në shkallë vendi mbi 10 mijë kilometra rrugë, në të cilat kanë punuar për ndërtimin e tyre në rrugë kombëtare, autostrada, rrugë kombëtare, në rrugë dytësore , jo më pak se 58 mijë forca pune. Rruga është punësim, sepse është mundësi më e madhe shkollimi. Rruga është shëndet, sepse është mundësi e shërbimit shëndetësor më të madh.
Vëllezër dhe motra
E tërë përpjekja jonë është dhe do të jetë , të krijojmë sa më shumë vende pune, të krijojmë në katër vitet që vijnë edhe 250 mijë vende punë të reja.
Ku e bazojmë ne këtë premtim? Këtë premtim ne e kemi shumë real, e kemi shumë konkret. Vetëm katër vitet që shkuan qeveria ka kredituar me grande 42 mijë familje shqiptare. Por në qoftë se ne kemi kredituar 42 mijë familje dhe krijuar dhjetëra mijëra vende pune, katër herë më shumë kemi investuar në sektorin privat, në ferma në agro-biznes dhe në blegtori në vend. Gjatë këtyre viteve që shkuan në sektorin bujqësor u punësuan në bizneset e këtij sektori rreth 100 mijë shqiptarë. Çfarë premtojmë ne? Në katër vitet që vijnë në këtë sektor të punësojmë jo 100 mijë, por 130 mijë shqiptarë. Unë ju jap fjalën se ne do të dyfishojmë grandet për Gramshin dhe mbarë Shqipërinë, për fermerët e Gramshit dhe të mbarë Shqipërisë.
Ku e bazojmë ne premtimin për punësimin tuaj? Ne e bazojmë premtimin për punësimin tuaj, në zhvillimin e fuqishëm të turizmit, ju vetë i njihni mirë potencialet e mëdha turistike të Gramshit, të cilat janë vetëm në fillimet e tyre. Ndërtimi i infrastrukturës moderne të Gramshit. Ndërtimi i infrastrukturës moderne në mbarë Shqipërinë, do të bëjnë që turizmi, i cili punëson në vit rreth 150 mijë qytetarë, të punësojë më shumë gjatë katër viteve që vijnë, së paku 30 deri në 40 mijë qytetar. Ku e bazojmë ne premtimin tonë për punësimin e qytetarëve shqiptarë. Ne e bazojmë në krijimin e klimës së mirë për biznesin. Duke ardhur këtu po lexoja statistikat. Gramshi kishte gjithsej 500 biznese, sot ka 800 biznese. Me ndërtimin e infrastrukturës, me zhvillimin e turizmit, ne do të bëjmë gjithçka, që gjatë katër viteve që vijnë Gramshi të ketë së paku 1200 biznese, po kështu Shqipëria të rrisë numrin e bizneseve së paku me 30 përqind dhe punësimi i bizneseve jo bujqësore të rritet me 30 përqind. Llogaritë tona për punësimin nuk bazohen në fantazira, por bazohen në rritje, të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë i vetmi vend në rajon, që gjatë katër viteve që shkuan jo vetëm të mos rritet papunësia, por të shënojë ulje të saj. Ne bazojmë punësimin, sepse ne zotohemi të ndërtojmë infrastrukturën, të ndërtojmë rrugën, të ndërtojmë ujësjellësat , kanalizimet, kanalet vaditëse brenda mandatit që vjen në të katër anët e Shqipërisë. Ne bazojmë punësimin, sepse në me heqjen e TVSH për të gjitha inputet bujqësore, me heqjen e TVSH për të gjitha makineritë që nevojiten për bizneset e të gjitha llojeve për prodhim, me heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që paguan nën 30 mijë lekë, për heqjen e çdo detyrimi tatimor, për çdo të ri të punësuar për tre vitet e para, ne do të bëhemi në mënyrën më të padiskutueshme vendi më tërheqës për biznesin shqiptar dhe biznesin Rajonal, Europian dhe më gjërë.
Vëllezër dhe motra,
Shqipëria katër vitet që shkuan, mori investime të huaja 316 përqind më shumë se katër vitet para tyre. Shqipëria katër vitet që shkuan, mori rreth 4.2 miliard dollarë investime të huaja. Shqipëria katër vitet që vijnë, do të marrë së paku 6 miliard dollarë investime të huaja me këtë paketë të re lehtësirash biznesin që ne vendosëm. Shqipëria katër vitet që shkuan ju dha grande dhjetëra mijëra fermerëve për të krijuar fermat e tyre. Shqipëria katër vitet që vijnë do të dyfishojë grandin e saj për fermerët e Shqipërisë dhe do të krijojë fermat më moderne që vendi ka njohur. Ne e bazojmë punësimin dhe zhvillimin, sepse në katër vitet që vijnë , turizmi nga 4.7 milion do të jetë së paku 6.7 milion në vitin 2017. Ne e bazojmë punësimin tuaj, sepse në katër vitet që vijnë Shqipëria dixhitale, Shqipëria e internetit, do të jetë në nivelet më të larta në Europë dhe në Botë dhe do të punësojë në këtë sektor dhjetëra mijëra punëtorë.
Ne e bazojmë punësimin, sepse katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka për të nxituar artizanatin në mbarë vendin dhe do të krijojmë grande për artizanët, do të krijojmë grande, të cilat do të ndihmojnë ata për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre. Këto janë llogaritë tona dhe këtyre iu duhet tu besoni, sepse këto janë të provuara, ekzistojnë dhe një alternativë tjetër, e cila është gënjeshtër, gënjeshtër dhe vetëm gënjeshtër.
Vëllezër dhe motra
Një nga potencialet më të mëdha tuajt janë ujërat. Nga fundi i këtij viti dhe vitin që vjen këtu në Gramsh fillon ndërtimi i njëri prej projekteve më të mëdha në Evropë që është Kaskada e Devollit. Kompani më e mëdha e botës për ndërtimin e hidrocentraleve Statkraf , do të nisë ndërtimet shumë shpejt, për ndërtimin e Kaskadës së Devollit. Por krahas kësaj janë nëntë hidrocentrale të tjera, të cilat do të ndërtohen vetëm në sektorin e ndërtimit të hidrocentraleve. Në Gramsh do të punësohen të pakën 8 mijë punonjës në të gjitha hidrocentralet që do të ndërtohen. Në Gramsh do të ketë një transformim të madh të infrastrukturës së vendit. Rruga Gramsh-Elbasan do të fillojë brenda pak muajve ndërtimin e saj dhe jo nga ajo që ju mashtrojnë ju se do kalojë nga kodrat. Absolutisht kjo rrugë do të jetë buzë liqenit dhe do të jetë një nga rrugët më panoramike, do jete 10 kilometra më e shkurtër.
Edhe njëherë ju përshëndes vëllazërisht dhe ju garantoj zoti kryetar se do të financojmë çdo projekt të komunës suaj, çdo projekt të komunave të këtij rrethi, i cili do të njohë një nga urbanizimet më të shkëlqyera, do të lidhte me Korçën do të shkurtojë distanca me Tiranën, do të lidhte me Skraparin do të kalohet nga të gjitha anët.
Gëzuar rrugën!
Faleminderit."
21/03/2013