Kryeministri Berisha: Punësimi i të rinjve shqiptarë do të meritojë të gjithë vëmendjen dhe përkushtimin e qeverisë, si një çështje jetike për mbarë shoqërinë

Kryeministri Berisha mirëpriti sot, në mbledhjen e rradhës së Këshillit të Ministrave, dy të rinj, përfaqësues të gjimnazistëve dhe nxënësve të shkollave të mesme të vendit, anëtarë të lëvizjes shqiptare dhe botërore “Arritje rinore” (Junior Achivement) të cilët ndoqën mbledhjen në kuadër të programit të tyre të titulluar “Një ditë lider”.
Kryeministri i vlerësoi të rinjtë për rezultatet e shkëlqyera në lëndët mësimore, si dhe për përfaqësimin dinjitoz që ata iu bënin bashkëmoshatarëve të tyre, në projekte të këtij lloji.
Kryeministri tha se nisma “Arritje rinore” pjesë e së cilës janë dhe të rinjtë shqiptarë, e mbështetur nga qeveria shqiptare është një mundësi e re për brezin e ri për tu njohur me tregun e punës, vlerësimin e këtij tregu në përputhje me ambiciet me ëndrrat e tyre.
Me vlerësimin më të madh për këtë lëvizje rinore, kryeministri premtoi se qeveria do ti përkushtohet maksimalisht, punësimit të të rinjve shqiptarë. “Punësimi i të rinjve pas shkollimit të tyre është jetik, jo vetëm që ata të ndërtojnë të ardhmen , por është jetik edhe për shoqërinë, në mënyrë që shoqëria dhe vendi të mund të shfrytëzojë potencialin energjik, vizionin, mençurinë e tyre sa më mirë dhe sa më shpejt, në mënyrë që familja e tij, ai vetë, të shohë produktin e investimeve në shkollë, por dhe shoqëria ta shohë një gjë të tillë.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri u shpreh se një mekanizëm i rëndësishëm punësimi për të rinjtë do të jetë dhe Mikrokrediti dhe biznesi social, të cilët do tu vijnë në ndihmë kryesisht të rinjve me që u përkasin shtresave më të varfra shoqërore, të cilët për shkak të gjendjes së tyre ekonomike janë të përjashtuar nga mundësitë e tjera që ofron shoqëria. “Biznesi social do tu besohet të rinjve kështu që do të bëjmë gjithçka për të krijuar mundësi të mëdha për punësimin e të shkolluarve në shkollat e mesme, për punësimin e tyre që po mbarojnë universitet.” tha kryeministri.
Gjithashtu, kryeministri bëri të ditur se së shpejti një ligj i ri do të miratohet në parlament, nëpërmjet të cilit qeveria do të marrë përsipër çdo lloj detyrimi tatimor për çdo të ri të punësuar tre vitet e para.
Duke prezantuar të rinjtë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Sot në këtë mbledhje kemi dy përfaqësues të shkëlqyer të gjimnazistëve dhe nxënësve të shkollave të mesme të vendit, anëtarë të një lëvizje shqiptare dhe botërore “Arritje rinore” “Junior Achivement” dhe që janë në këtë mbledhje në përputhje me programin e tyre “Një ditë lider”.
Lili Salca është gjimnazist nga gjimnazi i përgjithshëm i Kuçovës, një nxënës i shkëlqyer, me nje kurrikul shumë të veçantë, një i ri me ambicie poliedrike pozitive, në një seri fushash dhe po kështu kemi sot Nereida Xhangollin, gjimnaziste në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” e të Korçës, e cila shquhet për përkushtimin , pasionin e saj për një seri fushash me shumë interes, por ajo çka dua të them unë se këta dy të rinj që na nderojnë ne kaq shumë sot në “Një ditë lider” janë më të vërtetë përfaqësues të një nisme shumë të rëndësishme të qeverisë shqiptare, nismë e cila synon që të rinjtë e vendit ti njohë, tu japë mundësi të njihen me tregun e punës, vlerësimin e këtij tregu në përputhje me ambiciet me ëndrrat e tyre.
Ky projekt përfshin në të gjithë vendin 3727 nxënës dhe nxënëse të klasave të 11 dhe 12 dhe synon zgjerimin e tij të mëtejshëm. Vitin e ardhshëm projekti do të përfshijë mbi 11 mijë nxënës dhe rreth 150 shkolla. Projekti është sot pjesë e kurrikulës të shkollave të mesme. Projekti ka një seri programesh. Ky i këtij viti është “Një ditë lider”, kurse programe të tjera do të jenë në matematikë, ICT dhe shkenca të tjera të ndryshme, sipas pasionit të të rinjve dhe dëshirës së tyre. Ky projekt është mbështetur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan dhe unë shpreh mirënjohjen time më të thellë. Presidenti i këtij fondi dhe bordi i tij ka treguar një interes shumë të veçantë për këtë projekt dhe suksesin e këtij projekti. Si nismë “Arritjet rinore” është themeluar në SHBA, në vitin 1919 dhe sot funksionon si një rrjet i mrekullueshëm botëror prej më shumë se 10,7 milion të rinj nga mbarë bota. Përfaqësuesit tanë që janë këtu sot do të kenë një aktivitet më të zgjeruar kombëtar në muajt që vijnë dhe nga muaji tetor do të ndodhen sipas konkurrencës në një aktivitet botëror në Londër ku unë jam i sigurtë se do të konkurrojnë me dinjitet të madh. Lini dhe Nereida janë në këtë projekt, në studim dhe shqyrtim të vendit të tyre të punës në të ardhmen dhe mendoj se një nga kushtet më themelore që njeriu të mund të shpalosë të gjithë potencialin e tij si intelektual, të gjithë imagjinatën, të njohë fushën të cilën do të përzgjedhë, ta ketë atë një fushë pasioni shpirtëror dhe të përqendrojë energjitë e tij në realizimin e saj. Ka bashkëmoshatarë të tyre të cilat kanë shkuar të takojnë Presidentët e kompanive të mëdha të sektorit privat, por ky kontigjent pati shansin të nisë me “Një ditë lider”, pra këta janë nxënës dhe nxënëse që takojnë nivelet më të larta të biznesit, të politikës dhe sot prekin të gjitha mundësitë, të gjithë problematikën e të qenit lider në fusha të ndryshme.
Meqë janë këtu, unë dua ti garantoj ata, se qeveria ka një vlerësim shumë të madh për këtë lëvizje dhe se qeveria ka një përkushtim të madh dhe total për punësimin e të rinjve. Vetë përparimi i madh që iu bë arsimit gjatë këtyre viteve në kuptimin që është dyfishuar buxheti për arsimin, në kuptimin që është investuar shumë në figurën e mësuesit dhe besoj që mësuesi duhet të jetë në epiqendër të reformës sonë. Ne po bëjmë një përpjekje shumë të madhe në inkurajimin për hapjen dhe konsolidimin e arsimit profesional. Kemi arritur që 92 % e atyre që mbarojnë klasat e 9-ta të hyjnë në shkollat e mesme, 72 % e atyre që mbarojnë maturat të hyjnë në shkollat e larta. Pra ky mekanizëm krijon shanse të mëdha punësimi për të rinjtë sepse një i ri i shkolluar, i krahasuar me moshatarin e tij të pashkolluar, ka shanse dy herë më të mëdha për punësim se sa ai tjetri. Por, edhe në tërësi shkollimi juaj e bën vendin shumë më tërheqës për investitorët e huaj, shumë më të besueshëm, sepse në fund të fundit kompanitë e huaja do të menaxhojnë bizneset e tyre me shqiptarët dhe në bashkëpunim me shqiptarët. Edhe kjo është një mundësi tjetër pra që krijohet nëpërmjet shkollimit. Por përveç kësaj qeveria do të kalojë së shpejti, ligjin në parlament, nëpërmjet të cilit ne do të marrim përsipër çdo lloj detyrimi tatimor për çdo të ri të punësuar tre vitet e para. Mendoj se është një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të drejta që kemi marrë sepse punësimi i të rinjve pas shkollimit të tyre është jetik, jo vetëm që ata të ndërtojnë të ardhmen, por është jetik edhe për shoqërinë, në mënyrë që shoqëria dhe vendi të mund të shfrytëzojë potencialin energjik, vizionin, mençurinë e tyre sa më mirë dhe sa më shpejt, në mënyrë që familja e tij, ai vetë, investimin që bëri në shkollë ta shohë produktin e tij , por dhe shoqëria një gjë të tillë.
Prandaj jam i bindur se kjo masë do të ketë efekte pozitive, sikundër jam i bindur se disa masa të tjera siç do të jenë përfshirja e të rinjve në grante dhe kredi për fillestarët edhe kjo do të jetë një mundësi që ato të krijojnë biznese. Mikrokrediti dhe biznesi social do të jetë një mekanizëm tjetër punësimi për të rinjtë, kjo kryesisht për ata, të cilët u përkasin shtresave më të varfra, të cilët për shkak të gjendjes së tyre ekonomike janë të përjashtuar nga mundësitë e tjera që ofron shoqëria. Biznesi social do tu besohet të rinjve kështu që do të bëjmë gjithçka për të krijuar mundësi të mëdha për punësimin e të shkolluarve në shkollat e mesme, për punësimin e tyre që po mbarojnë universitet.
Do të bëjmë gjithçka për rritjen e cilësisë. Ne jemi të vetëdijshëm se në këtë drejtim kemi shumë për të bërë, por gjatë 4 vjecarit që vjen, ne nuk po presim zgjedhjet për të zbatuar programin e 4 vjecarit, por po fillojmë zbatimin e tij, sikundër ju garantoj se masa të tjera të tjera të rëndësishme do të zbatohen dhe në vazhdim. Por e rëndësishme është që të vendosen një seri mekanizmash që të garantojnë punësimin e tyre dhe në Shqipëri në nivele të barabarta, sepse në qoftë se nuk bëhet një përkujdesje e veçante, shkalla e papunësisë tek të rinjtë do të dyfishohet në krahasim me grupmoshat e tjera.
Tani, duke u thënë dhe njëherë mirëserdhët do ta ndiqni këtë mbledhje në pjesën e hapur mediatike dhe ne jemi shumë të gëzuar që ju kemi sot përfaqësues të gjeneratës suaj në këtë mbledhje. Majlinda po sheh me shumë interes se kur Nereida do ti zerë vendin, pra do të jetë në vendin e saj, sikundër secili ministër përfshirë dhe kryeministrin ka një ndjenjë të vogël xhelozie, por dhe simpatie të madhe për të rinjtë.
20/03/2013