Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e promovimit të librit me kujtime “Vitet shqiptare ’43-45″ të Kolonelit anglez David Smiley

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në promovimin e Librit me kujtime “Vitet shqiptare ’43-45″ të Kolonelit anglez David Smiley, i cili përmban kujtimet dhe fotot e kolonelit anglez gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri.
Në librin, e përfshirë në kolanën “Skripta manent” dhe i sjellë për lexuesin shqiptar nga UET press, financuar nga fondacioni “Patricia Nugee”, përshkruhen dy misionet e kolonel Smiley-t, në vitet 1943 dhe 1944 me luftëtarët e rezistencës shqiptare. Për nga ngjarjet dhe personazhet e trajtuara, libri përbën një ndihmesë për historiografinë shqiptare, e trajtuar në mënyrë të njëanshme gjatë viteve të diktaturës.
Kryeministri Berisha i cili drejtoi për të pranishmit një përshëndetje, përgëzoi botuesit për përzgjedhjen e një autori, i njohur si një burrë i jashtëzakonshëm dhe një legjendë e gjallë e oficerit britanik në përpjekjet dhe mbështetjen e popujve të tjerë në luftën për liri.
Kryeministri Berisha tha se parathënia e dedikuar nga ai, për këtë libër, ndonëse nuk i kushtohet direkt David Smileyt është një mirënjohje e thellë dhe një vlerësim i sinqertë i rolit që Daivid Smiley dhe misionarët ushtarakë britanikë luajtën në zhvillimet në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në ceremoni merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadori britanik në vendin tonë, Nicholas Cannon, presidentja e fondacionit zonja Patricia Nugee, si dhe studentë dhe pedagogë të UET.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj të përgëzoj botuesit e këtij libri të një autori, i cili ishte një burrë i veçantë, një burrë i jashtëzakonshëm dhe në vendin e tij të madh, David Smiley ishte një legjendë e gjallë e oficerit britanik, në përpjekjet, mbështetjen e popujve të tjerë në luftën për liri. Unë kam patur fatin ta takoj shumë herë pas vitit ‘90, David Smiley me Julian Amery, por dhe miq të tjerë që vizituan në shumë raste Shqipërinë. Ai ishte pjesëmarrës në kuvendin e parë të PD në shtator të viti ‘91. Daivid i ndiqte dhe ndoqi me një interes të madh zhvillimet në Shqipëri. Unë do ti kërkoj të falur atij sepse parathënia nuk i kushtohet direkt Davidit, por unë jam i bindur se ai do të ishte i kënaqur po të kishte mundësi ta lexonte pasi ajo është më shumë një mirënjohje e thellë, një vlerësim i sinqertë i rolit që Daivid Smiley dhe misionarët ushtarakë britanikë luajtën në zhvillimet në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, kapitull ky ndër më të ndriturit. Rrallë ndonjëherë në histori mund të gjeni një grup të kufizuar personash siç ishin këta, por që me eficencën e tyre, me guximin, mençurinë e tyre ia dolën të organizojnë një rezistencë të armatosur në Shqipëri, e cila e rreshtoi Shqipërinë në anën e aleatëve të luftës së madhe, e cila i nxorri shqiptarët në krahun e fitimtarëve. David Smiley ishte një njeri me intelekt të jashtëzakonshëm për kontributin e tij në luftën çlirimtare të shqiptarëve, ai u dekorua dy herë me Kryqin e Meritës nga qeveria e madhërisë së saj. Natyrisht ai u dekorua edhe me Urdhrin “Skënderbeg” të cilën e meritonte plotësisht.
Misionarët ushtarakë britanikë, oficerët e ushtrisë apo të ekzekutivit të forcave speciale, në Shqipëri organizuan, financuan, armatosën dhe stërvitën njësitë e Ushtrisë Çlirimtare shqiptare nga Brigada e I-rë deri në njësi të tjera. Ata bënë gjithçka dhe cilido që lexon kontributin e tyre gjen një përpjekje te jashtëzakonshme për të bashkuar shqiptarët në këtë luftë. Ata janë organizatorët e Mukjes, janë një përpjekje e jashtëzakonshme që të gjitha fraksionet, të gjitha rrymat, të bashkoheshin. E vërteta është se pushtuesi përdori dhe vazhdonte të përdorte çdo mjet dhe çdo mënyrë për të përçarë fraksionet që luftonin kundër tij.
Në tërësinë e tyre këta kanë qenë personalitete te jashtëzakonshme. Miku më i ngushtë i tij Julian Amery ishte biri, absolutisht i njërit prej personaliteteve më të shquara të historisë së Britanisë së madhe të paraluftës dhe gjatë Luftës, Leopold Amery. Të gjithë këta kanë shkruar libra për Shqipërinë, kanë shkruar libra me një dashuri dhe nje respekt të madh për shqiptarët. Njëri prej tyre Dayrell Oakley-hill shkruan në një libër të tij se “ti mund ta nxjerrësh të huajin nga Shqipëria, por nuk e nxjerr dot kurrë Shqipërinë nga shpirti i tij dhe kjo ishte e vërtetë për David Smiley, për Julian Amery, për Dayrell Oakley-hill dhe shumë e shumë të tjerë. Asnjëri prej tyre nuk e imagjinonte se Shqipëria do të përfundonte në një sistem diktatorial infernal dhe pikërisht për këtë arsye ata u angazhuan me pasion për të ndihmuar shqiptarët në kulmin e shtypjes diktatoriale të tyre, në një mision që nuk e realizoi qëllimin e tij. Me rënien e perdes së hekurt qenë ndër vizitorët e parë që erdhën në Shqipëri, me një dashuri të madhe për këtë vend. Së bashku me durim dhe me një punë të madhe organizuan dhe ndërtuan varrezën e të rënëve britanikë gjatë Luftës së II-të Botërore.
Zoti ambasador, ky vend është i mbushur me kocka, skelete të ushtrive nga më të ndryshme, por ato të bashkatdhetarëve tuaj janë të vetmet, të cilat u përkasin burrave dhe grave që luftuan për lirinë e kombit tim.
Ndaj dhe unë dua të shpreh edhe njëherë nderimin më të madh për ta, ndaj edhe njëherë ju faleminderit shumë për botimin e këtij libri."
02/10/2012