E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Integrimi europian nuk është pazar, por kërkon angazhimin dhe përgjegjësinë e të gjithëve

Kryeministri Berisha tha sot, se integrimi europian i Shqipërisë është ëndrra e çdo të riu dhe projekti i së ardhmes së shqiptarëve, realizimi i të cilit kërkon angazhimin dhe përgjegjësinë e plotë të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë shqiptare në tërësi.

Duke përshëndetur inaugurimin e gjimnazit të ri “Hydajet Lezha”, në Lezhë, investim prej 170 milionë lekësh, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria në Europë mund të integrohet si vendi i qytetarëve, jeta e të cilëve ndryshon çdo ditë, ndaj dhe qeveria është plotësisht e angazhuar në ndërtimin e infrastrukturës arsimore moderne, një sistemi rrugor modern, sistemi të furnizimit me ujë dhe energji të standardeve europiane, në punësimin e shqiptarëve dhe rritjen ekonomike të vendit.

Në rrugën tonë të integrimit, tha Kryeministri, me gjithë sukseset e mëdha, ne kemi probleme, të cilat duhen zgjidhur. Duke përcaktuar si çështje të një rëndësie madhore për integrimin, që duhet të zgjidhet, votimin e ligjeve me 3/5 në parlament, Kryeministri Berisha i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste që këto ligje të mos kthehen “në pazar”, por t’i votojnë ato, në përmbushje të detyrimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat, si projekti më i madh i shqiptarëve.   

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal edhe në disa nga arritjet e mëdha në fushën e arsimit si ndërtimi e rindërtimi i mbi 1300 shkollave në mbarë vendin, modernizimi i infrastrukturës arsimore, mbidyfishimi i pagës së arsimtarit, rritja e numrit të studentëve, ndërsa theksoi se në këtë përpjekje të madhe, qeveria ia doli të mbajë zotimet dhe inaugurimi i kësaj shkolle, me laboratorë të ndryshëm, kabinet informatike, bibliotekë, palestër dhe kënde të tjerë sportive, është një tjetër dëshmi e zotimit të saj se arsimi është  “përparësia e të gjitha përparësive”. Kryeministri shprehu vendosmërisë për të vazhduar investimet në fushën e arsimit, me bindjen se arsimi është “dera nga ku kalon zhvillimi”.

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të gjimnazit.

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht të gjithëve ju, nxënëse e nxënës, mësuese e mësues të këtij  gjimnazi, i cili mban emrin e një prej djemve më të shquar të Lezhës, emrin e dëshmorit të atdheut, djaloshit që sakrifikoi jetën, që ju, që shqiptarët të jenë të lirë.

Sot, për Lezhën, por edhe mbarë Shqipërinë, inaugurimi i ndërtesës së re të këtij gjimnazi është një ngjarje e veçantë. Ndërtesa e re është investim prej 170 milionë lekësh, ka 32 klasa, 4 laboratorë, bibliotekë, mjedise sportive dhe të gjitha anekset e një shkolle më moderne. Ndërtesa e re që inaugurojmë sot është e denjë për çdo qytet të vendeve më të zhvilluara të Europës. Kjo ndërtesë është një dëshmi tjetër e vendosmërisë sonë për të investuar në shkollimin, edukimin e fëmijëve tanë, në kushtet më moderne dhe më të mira. Ajo është dëshmi tjetër e faktit se për këtë mazhorancë arsimi është përparësia e të gjitha përparësive, është çështja më serioze e kombit, familjes dhe shoqërisë. Për ne, arsimi është e do të mbetet çështja më serioze, sepse ne jemi të vetëdijshëm e të bindur se gjithçka pozitive kalon nga dyert e bankat e shkollës, se çdo hap drejt dijes, drejt dritës kalon nga dyert e bankat e shkollës, se çdo hap drejt mirëqenies kalon nga dyert e bankat e shkollës, çdo hap drejt prosperitetit kalon nga dyert e bankat e shkollës, çdo hap drejt të ardhmes kalon nga dyert e bankat e shkollës. Ndaj, në një hark kohor gjashtëvjeçar, ne kemi ndërtuar e rindërtuar në mbarë Shqipërinë 1300 shkolla. Në një hark kohor gjashtëvjeçar,  ia kemi dalë që sot, në bankat e shkollave të mesme të ulen 92 përqind e nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe ky është një nga treguesit e vendeve më të zhvilluara. Në një hark kohor gjashtëvjeçar, ne ia kemi arritur që për numrin e studentëve që në vitin 2005 ishte disa herë më i ulët se mesatarja europiane për 1000 banorë, sot të jemi në nivelet më lartë të mesatares europaine për 1000 banorë dhe nga 52 mijë studentë, vendi numëron sot 164 mijë studentë, në të gjitha shkollat e larta të vendit.

Në vizionin tonë suksesi i arsimit përcaktohet më shumë se nga çdo gjë tjetër nga misionarët e tij, nga mësueset e mësuesit e vendit. Ndaj edhe ne, në një përpjekje shumë të madhe ia dolëm të mbajmë zotimet tona. Mësuesi i shkollës 9-vjeçare, i cili gjashtë vjet më parë merrte 220 mijë lekë, sot merr 505 mijë lekë. Arsimtari i shkollës së mesme merrte  270 mijë lekë, sot merr mbi 570 mijë lekë. Unë ju garantoj se këto rroga do të njohin rritje dhe vetëm rritje. Shfrytëzoj rastin për të shpallur nderimin tim më të madh, për mësuesit e mësueset e vendit, sepse në një hark të shkurtër, ata ia kanë dalë të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore sistemin e edukimit të fëmijëve tanë.

Zonja e zotërinj

Ne ecim çdo ditë drejt projektit tonë të madh integrimit të Shqipërisë në Europë. Shqipëria në Europë nuk mund të integrohet pa shkolla moderne dhe ne po i ndërtojmë ato. Shqipëria në Europë nuk mund të ndërtohet pa sistem rrugor modern dhe ne po e ndërtojmë atë. Shqipëria në Europë nuk mund të ndërtohet pa sistemin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike të njëjtë me atë të qytetarëve europianë dhe ne po bëjmë gjithçka për ta arritur atë. Shqipëria në Europë nuk mund të integrohet si streha varfërore e saj, por si vendi i qytetarëve, jeta e të cilëve ndryshon çdo ditë dhe ne po bëjmë gjithçka për punësimin e tyre, po bëjmë gjithçka për rritjen ekonomike të vendit.

Por, sërish, në rrugën tonë, me gjithë sukseset e mëdha, ne kemi probleme, të cilat duhen zgjidhur. Të dashur nxënëse e nxënës, në rast se në një hark kohor gjashtëvjeçar janë ndërtuar e rindërtuar mbi 1300 shkolla, mbi 10 mijë kilometra rrugë, janë mbidyfishuar rroga e pensione kjo ka qenë dëshmi e vullnetit të hekurt politik, dëshmi e vendosmërisë sonë për të mbajtur premtimet. Natyrisht, ka pasur ligje e vendime që kanë kërkuar 3/5 në parlament, që kanë kërkuar të votohen bashkërisht me opozitën, por është  e dhimbshme, sesi kreu i opozitës zgjodhi bllokimin e tyre, vetëm e vetëm duke besuar se në këtë mënyrë dëmton qeverinë, por duke harruar se në këtë mënyrë shkelmon mbi ëndrrën e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Të dashur nxënës e nxënës, ju bëj thirrje juve, bashkëmoshatarëve tuaj në mbarë Shqipërinë, mos harroni kurrë një moment historik për ju, për shqiptarët, për lirinë e dinjitetin e tyre, momentin e heqjes së vizave. Në këtë moment, ky zotëri mori një kuti nën sqetull dhe vrapoi nëpër Shqipëri me sloganin “Hap kutitë të lirosh vizat”, si dëshmi e vullnetit të tij për të penguar këtë akt madhor, këtë arritje historike të qytetarëve shqiptarë. Natyrisht, vizat nuk kërkonin vendime me 3/5 dhe ato nuk u penguan dot. Shikoni tani, të dashur nxënëse e nxënës, jemi në prag të një vendimi të madh, të cilin ky zotëri e bllokoi dy vite me radhë. Sapo marrin vesh që statusi mund të jepet, kanë tërhequr deputetët dhe çdo ditë largohen nga Komisioni i Ligjeve, për të mos votuar ligjin për Gjykatën e Lartë. Dhe për këtë kërkon pazar, pazar e vetëm pazar. Për vizat kërkonte pazar: hap kutitë të të çlirojmë vizat. Tani kërkon: më jep Fierin të të lirojmë statusin. Të dashur nxënëse e nxënës, për mua, për mësuesit tuaj, për prindërit tuaj, për shqiptarët, statusi është i një rëndësie jetike, por statusi merret e meritohet duke respektuar institucionet, duke respektuar ligjet. Më duhet të informoj se pretendenti i partisë së tij për kryetar qarku i Fierit ka paditur në Gjykatën e Apelit, kryetarin aktual të qarkut dhe Gjykata e Apelit ka vendosur që ky të qëndrojë në detyrë. Kryetari pretendent për qarkun i Partisë Socialiste ka paditur në Gjykatën e Lartë kryetarin aktual të qarkut dhe Gjykata e Lartë ka vendosur që kryetari aktual të qëndrojë në detyrë. A mund të imagjinoni një kryeministër, një zyrtar të shkelmojë dy vendime gjykatash, vetëm e vetëm se kundërshtari i tij pranon për të drejta vendimet që janë në favor të tij dhe kërkon të hedhë poshtë politikisht vendimet që nuk i pëlqejnë! Gjykatat janë të tilla, vendosin në shumë raste në kundërshtim me atë që njeriu dëshiron, por rrugë tjetër përveç apelimit, rrugë tjetër përveç respektimit të vendimit nuk ka e nuk mund të ketë.

Ndaj i them edhe një herë zotit Rama, mos shkelmo ëndrrat e këtyre të rinjve, lëri pazaret se nuk janë pazaret ato, mbi të cilat këto vajza e djem ndërtojnë të ardhmen e tyre. Le të votojmë e të përmbushim detyrimet, pasi këta në mendje, në shpirt e në zemër kanë projekte të mëdha. Në ëndrrën e tyre qëndron Shqipëria e së nesërmes, qëndron Shqipëria me të gjithë bukuritë e saj, me të gjithë zhvillimin e saj.

Edhe një herë ju përshëndes, ta gëzoni këtë ndërtesë të re, kaq të bukur, që e meritoni plotësisht. Faleminderit."


02/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›