Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9-vjeçare “Sali Gjuka”, në Urën Vajgurore, Berat
Kryeministri Berisha, i cili ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të shkollës 9-vjeçare “Sali Gjuka”, në Urën Vajgurore, Berat, tha se investimet në arsim dhe përkujdesi financiar ndaj arsimtarëve është një proces në zhvillim. Kryeministri garantoi përfundimin e ndërtimit apo rindërtimit të të gjitha shkollave në vend, rritjen e mëtejshme të pagave në arsim, internet në çdo klasë dhe fokus të veçantë në rritjen e cilësisë.
Qeveria, tha Kryeministri, ka përparësuar arsimin në programin e saj dhe në gjashtë vite janë ndërtuar e rindërtuar 71 përqind e të gjitha shkollave të vendit, ndërsa pagat e mësuesve janë rritur me 147 përqind, krahasuar me vitin 2005. Vetëm në qarkun e Beratit, në një periudhë gjashtë vjeçare, janë ndërtuar apo rindërtuar 70 shkolla.
Pasi vizitoi ambientet e shkollës, Kryeministri Berisha e konsideroi inaugurimin e kësaj shkolle, investim me vlerë 67 milionë lekë dhe e standardeve bashkëkohore, me 23 klasa, 4 laboratorë dhe mjedise sportive, një tjetër dëshmi e vëmendjes që i është kushtuar modernizimit të infrastrukturës arsimore.
Kryeministri garantoi se qeveria do të vazhdojë ta konsiderojë orientim prioritar arsimin, duke shtuar vëmendjen dhe investimet për një shkollim sa më cilësor të të rinjve shqiptarë dhe kusht për një Shqipëri të zhvilluar. “Ne besojmë, - tha Kryeministri, - se investimi më i shkëlqyer për të ardhmen është investimi për mendjen, për dijet e fëmijëve tanë, e brezave që vijnë.”.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që krahas dyfishimit të buxhetit në sektorin publik, në Shqipëri po konsolidohet me shpejtësi sektori privat në fushën e arsimit, ku sot janë 540 institucione arsimore private. Sektori privat ka një kontribut të vyer në zhvillimin e arsimit në vend dhe, ndërsa buxheti për arsimin gjashtë vite më parë ishte rreth 25 miliardë lekë, sot, buxheti për arsimin në sektorin publik e privat është mbi 50 miliardë lekë.
Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit të shkollës “Sali Gjuka”.
“Është një nder e kënaqësi e veçantë që për mua, që inaugurojmë sot sëbashku godinën e re që mban emrin e një prej figurave të shquara të kombit shqiptar, burrit që vuri firmën në dokumentin e pavarësisë, tribunit të vërtetë popullor Sali Gjuka. Ju uroj: Gëzuar shkollën e re!
Shpreh gjithashtu kënaqësinë se kryetari i bashkisë sapo më informoi se nga të gjitha shkollat e kësaj bashkie, 9 shkolla 9-vjeçare dhe gjimnazi, kanë mbetur pa përfunduar një kat në një prej shkollave dhe disa punime në gjimnazin e ri në përfundim. Unë dua ta përgëzoj kryetarin, i cili, në përputhje me një orientim themelore të mazhorancës, ka përcaktuar arsimin si përparësi madhore dhe ka bëtë çdo gjë, për të siguruar trojet për të ndërtuar shkollat, ku do të mësojnë fëmijët e kësaj bashkie.
Për ne, për këtë mazhorancë, shkollimi është dhe mbetet përparësi e të gjitha përparësive. Në një hark kohor gjashtë vjeçar, ne kemi ndërtuar e rindërtuar në mbarë vendin 1300 shkolla. Ne kemi ndërtuar e rindërtuar në qarkun e Beratit 70 shkolla. Ne kemi bërë e do të bëjmë gjithçka që vogëlushët tanë, fëmijët tanë të shkollohen në shkolla të standardeve më të mira europiane. Sapo vizitova kabinetin e informatikës, ku nxënësit kundronin në internet, u ndala në dy klasa, në njërën po zhvillohej një orë biologjie dhe në tjetrën një orë fizike, ku mësimi zhvillohej me video projektor. Ne kemi pajisur e do të pajisim të gjitha shkollat e vendit me mjetet më moderne. Më i pari projekt dhe më i madhi i Shqipërisë dixhitale ishte internet në çdo shkollë dhe sot, në këtë standard, ne krahasohemi me vendet më të zhvilluara. Por, sërish, ne nuk jemi të kënaqur, sepse do të shtrijmë teknologjinë e informacionit në çdo klasë, në çdo orë mësimi, në të katër anët e vendit.
Për ne, arsimi është dh mbetet kryefjala e të gjithë përpjekjeve tona, leva e Arkimedit për të ndërtuar për shqiptarët në Shqipëri, të ardhmen më të ndritur që meritojnë. Ne besojmë se çdo hap drejt shkollës është hap drejt dijes, është hap drejt punësimit, hap drejt mundësive dhe shanseve reale, hap drejt begatisë. Ndaj sot ndjehemi të kënaqur, sepse në një hark kohor të shkurtër, ia kemi dalë që për një sistem jetik, për çdo komb që synon zhvillimin, i cili gjashtë vjet më parë po rrokullisej, të shënojmë disa nga rekordet më të mira të disa vendeve më të zhvilluara në Europë. Kështu, analfabetizmi që po rritej me shpejtësi po ecën drejt zeros. Në rast se numri i nxënësve që ndiqnin shkollat e mesme nuk i kalonte 60 përqind të atyre që mbaronin klasat e 9-ta, tani ka arritur në 92 përqind në shkallë vendi dhe ky është një nga nivelet më të larta në Europë. Në rast se gjashtë vjet më parë, numri i studentëve në Shqipëri ishte katër herë më i ulët për 1000 banorë dhe Shqipëria kishte 52 mijë studentë, sot, Shqipëria ka mbi 162 mijë studentë, në të gjitha shkollat e saj të larta publike e private. Sot, Shqipëria pranon në universitete mbi 71 përqind të të gjithë atyre që mbarojnë maturën dhe ky është një nga treguesit më të mirë të vendeve më të zhvilluara.
Duke arritur këto tregues, ne sigurisht synojmë ta çojmë më tej përparësimin në fushën e arsimit. Ne do të bëjmë gjithçka, ashtu siç ngjitëm sëbashku këto shkallë, të ngjisim shkallë të tjera të dijes, të rrisim cilësinë në shkollat tona e të kapin nivelet e cilësisë së vendeve të zhvilluara. Ne kemi besim të madh se do ta arrijmë këtë, sepse kemi arsimtarë të shkëlqyer, mësuese e mësues të përkushtuar e me dashuri të madhe për ju, fëmijë, që bëjnë gjithçka për t’ju ndriçuar mendjen jo vetëm me dije, por me vlera, para së gjithash, që bëjnë gjithçka që, sëbashku me prindërit, t’ju mëkojnë me edukatën e vlerat qytetare. Ne jemi të sigurt se do ta arrijmë këtë, sepse prindërit tuaj, të dashur vajza e djem të kësaj shkolle, pavarësisht nga mundësitë e tyre ekonomike, pavarësisht nga niveli i tyre arsimor, të gjithë kanë një pasion prindëror të jashtëzakonshëm për shkollimin tuaj. Ata sakrifikojnë më shumë se çdo prind tjetër në Europë për shkollimin e vajzës e djalit të tyre. Kjo përbën një përgjegjësi të larët për qeverinë shqiptare, në mënyrë që shkollimi i fëmijëve të arrijë cilësitë më të larta. Ne kemi besim se do të arrijmë cilësinë që meritojmë, sepse ne kemi vendosur mësuesin e në epiqendër të të gjitha reformave në arsim. Në gjashtë vite, ju garantoj se, si në asnjë vend tjetër në Europë e në botë, rrogat e mësuesve janë rritur 147 përqind dhe ketë ne e konsiderojmë një proces të vazhdueshëm. Gjashtë vjet më parë, rroga e kryeministrit të vendit ishte sa 9 rroga arsimtarësh. Sot, kjo rrogë është sa 4.5 rroga arsimtarësh. Unë ju garantoj se kjo diferencë do të ngushtohet më tej, sepse ne do të rrisim gjithnjë rogat e mësuesve tanë. Do të bëjmë gjithçka që ata të përmbushin me dinjitet të madh misionin e dijes.
Të dashur nxënëse e nxënës, mësues e mësues të shkollës “Sali Gjuka”,
Shqipëria në këto vite ka bërë një kapërcim të madh në kohë. Ajo, ndonëse ende nuk është vend i zhvilluar, në disa aspekte rreshtohet ndër vendet më të zhvilluara dhe jam i kënaqur se këta tregues kanë lidhje para së gjithash me qytetarin e jetën e tij, me jetëgjatësinë dhe kushtet e tij shëndetësore, me kushtet e shkollimit të tij. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që të ndryshojë çdo ditë e më shumë për mirë, jeta e qytetarëve të Beratit, të fshatrave të Beratit e të mbarë Shqipërisë.
Ne besojmë se çdo ndryshim ka kusht vendimtar shkollimin e mirë. Ne besojmë se investimi më i shkëlqyer për të ardhmen është investimi për mendjen, për dijet e fëmijëve tanë, e brezave që vijnë. Gjashtë vite më parë, në mbarë qytetet e vendit, klasat ishin të mbushura me 40-55 nxënës. Sot, në tërësi klasat janë me 25-30 nxënës. Sot, përsëri ka shkolla me dy turne. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që në zonat rurale të mos ketë asnjë shkollë me dy turne. Në gjashtë vite, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 71 përqind të shkollave të vendit. Mandatin e ardhshëm do të ndërtojmë e rindërtojmë çdo shkollë të re në këtë vend, në çdo fshat e qytet, kudo që ndodhet.
Në rast se buxheti për arsimin gjashtë vite më parë ishte rreth 25 miliardë lekë, sot, buxheti i shtetit për arsimin në sektorin publik e privat është mbi 50 miliardë lekë. Krahas dyfishimit të buxhetit në sektorin publik, në Shqipëri po zhvillon e konsolidohet më shpejt se çdo vend tjetër, kontributi i sektorit privat në fushën e arsimit. Mbrëmë mora statistikat e fundit nga Ministria e Arsimit dhe rezulton se sot, në Shqipëri janë 540 institucione arsimore private, një nga më të bukurat është korpusi i universitetit që inauguruam sëbashku dy javë më parë, në Berat. Duke përgëzuar të gjithë ata që vendosin të investojnë në arsim i siguroj se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin tyre. Ata, të cilët ia dolën gjatë zhvillimit të tyre të angazhojnë sektorin privat në arsim, qëndrojnë sot, në krye të cilësisë, në krye të dijes së botës dhe ne do të marrim shembullin e tyre.
Edhe një herë ju uroj suksese dhe ju garantoj zoti kryetar se gjimnazin dhe shkollën e mbetur do ta përfundojmë së shpejti, në mënyrë që Ura Vajgurore të jetë nga ato qytete që ka ndërtuar e rindërtuar 100 përqind të të gjitha shkollave dhe institucioneve arsimore të saj. Faleminderit.”
03/10/2012