E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë, domosdoshmëri për stadin në të cilin ndodhet sot arsimi

- Kryeministri theksoi se përcaktimet e reja ligjore synojnë kristalizimin e disa elementëve thelbësore të reformës së arsimit të lartë, siç është kristalizimi përfundimtar i sistemit “bachelor”

- Kryeministri shpjegoi se sistemi i masterit do tu japë studentëve një shans të dytë, mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar.

- Kryeministri theksoi se në rrafshin sasior dhe cilësor,Shqipëria ka një arsim të lartë tjetër, një arsim që numëron rreth tre herë, degë më shumë, se sa numëronte 4 vite më parë, numëron pothuaj tre herë më shumë studentë. Gjithashtu Kryeministri u shpreh se arsimi ka hyrë tërësisht në platformën e Bolonjës, platformë kjo e shndërruar në një platformë universale në kontinentin evropian.

Kryeministri Berisha veçoi sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, projektligjin mbi “Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”. Duke folur për këtë projektligj, Kryeministri theksoi se këto ndryshime kanë si qëllim kryesor t'i përgjigjen stadit, në të cilin ka arritur sot arsimi i lartë. “Në rrafshin sasior dhe cilësor, Shqipëria ka një arsim të lartë tjetër, një arsim që numëron rreth tre herë, degë më shumë, se sa numëronte 4 vite më parë, numëron pothuaj tre herë më shumë studentë. Arsimi ka hyrë tërësisht në platformën e Bolonjës, platformë kjo e shndërruar në një platformë universale në kontinentin evropian.”

Kryeministri theksoi se përcaktimet e reja ligjore synojnë kristalizimin e disa elementëve thelbësore të reformës së arsimit të lartë, siç është kristalizimi përfundimtar i sistemit “bachelor”,i cili do të jetë në tre vitet e para, term për të cilin, Kryeministri kërkoi që në bashkëpunim me gjuhëtaret, të gjendet fjala përgjegjëse në gjuhën shqipe.

Krahas këtij sistemi, vijoi Kryeministri, do të vendoset sistemi master i dyllojshëm, master i shkencës, master i profesionit. Për sa i përket termit “master”, kryeministri u shpreh se ai do të vazhdojë të njihet i tillë edhe në gjuhën shqipe, duke qenë se tashmë ka një përdorim ndërkombëtar.

Kryeministri shpjegoi se sistemi i masterit do tu japë studentëve një shans të dytë, mbi bazën e meritës, për të studiuar në degën e dëshiruar. “Zoti ministër i Arsimit, sapo takuam studentët dhe ajo çka më bëri përshtypje në këtë takim, ishte se kur u thashë studentëve se me këto ndryshime, ndër të tjera, ju do të keni mundësi të ndiqni edhe pasionet tuaja vura re se reagimi tyre ishte më i shkëlqyeri. Pra tek masteri, le të shohim mundësinë e dhënies së një shansi të dytë, mbi bazën e meritës, pra duke mos e cënuar aspak meritën. Kështu mendoj se një “bachelor”, për ekonomi, mund të drejtohet për një master në drejtësi, duke plotësuar ato kredite që i nevojiten.”

Kryeministri theksoi se kjo është shumë e rëndësishme, në radhë të parë për t’iu përshtatur sa më mirë tregut dhe gjithashtu për ti dhënë një mundësi të dytë studentëve, për ta gjetur veten aty ku dëshirojnë. “është e rëndësishme të respektojmë edhe pasionin e njeriut, ëndrrën e tij. Në rast se herën e parë, studenti nuk ia doli dot, që me sistemin e pikëve të ndiqte degën që dëshironte dhe në rast se ai nuk e gjen veten në atë degë që përfundon, le ti krijojmë mundësi që të bëjë një përzgjedhje në këtë sistem, i cili është një sistem botëror dhe është sistemi më i përshtatur për tregun. Sistemi amerikan e ka më të zhvilluar këtë mundësi se çdo sistem tjetër, prandaj ne duhet të marrim ku të mundemi, shembujt më të mirë.”

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha përgëzoi Ministrinë e Arsimit për propozimet në ligj, lidhur me dekoncentrimin e vendimmarrjes, duke kërkuar që ky dekoncentrim të shtrihet edhe tek vendimmarrja për kërkimin shkencor. “Asgjë nuk anemizon shkencën më shumë se centralizmi. Unë ju përgëzoj ju, për propozimet që keni në ligj, për të dekoncentruar vendimmarrjen, por nga ana tjerë paralel me këtë, unë kërkoj që të kalojë dhe vendimmarrja për kërkimin shkencor. Dekanatet dhe vetëm dekanatet, këshillat shkencore të fakulteteve janë ato që mund të përcaktojnë më mirë se kushdo tjetër, se ku të përdoren paratë për kërkimin shkencor.”

Duke vlerësuar përmirësimet e bëra në drejtim të menaxhimit të fakulteteve dhe universiteteve, Kryeministri theksoi se është i domosdoshëm një sistem i ri i rinormimit të punës së tyre. Në këtë kontekst, Kryeministri vuri theksin në nevojën e rregullimit të raportit studentë/pedagogë, nëpërmjet rekrutimit, në një procedurë transparente, të pedagogëve të rinj.

“Ju me keni dëgjuar në mënyrë konstante që qëndroj kundër fryrjeve dhe kemi punuar bashkërisht për një qeveri të vogël, por fusha ku do të ketë tolerancë janë universitetet. Universitetet duhet të jenë shtretërit e zhvillimit intelektual. Ky është parimi themelor, për sa i përket një prej misioneve të tyre, më të rëndësishme, por nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se për platformën që ne kemi përdorur për universitete me dyer të hapura, brenda 4 viteve u trefishua pothuajse numri i tyre dhe nuk është trefishuar numri i pedagogëve. 4 vite më parë raporti student/pedagog nuk ishte krejt normal, por ishte diku afër, kurse gjatë këtyre 4 viteve raporti është bërë i papranueshëm. Ne me një vendim rreth një apo dy vjet më parë shtuam një mijë vende të reja pune në universitete. Tani ne nuk duhet të ecim në këtë mënyrë, por mbi bazën e të ardhurave që ato realizojnë dhe në rast nevoje edhe të ndërhyrjes sonë, ata duhet të marrin mbi bazën e ngarkesave të reja, duhet të rekrutojnë, në procedurë transparente, numrin e pedagogëve që iu duhen për studime, kërkime, mësimdhënie, diploma, etj”

Në fjalën e tij, Kryeministri veçoi ndër të tjera edhe domosdoshmërinë e përkthimit në gjuhën shqipe, të literaturës së huaj, shkencore, bashkëkohore, e cila do të shërbejë si tekst për universitetet e vendit. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Arsimit parashikimin e buxhetit të veçantë për përkthimin dhe një bashkëpunim më të ngushtë me universitetet e Maqedonisë dhe të Kosovës, për blerjen e teksteve të përkthyera. “çështja e teksteve është një çështje shumë problematike. Nuk më vjen mirë, që mund të gjenden ende, edhe tekstet e mia në fakultetin e mjekësisë, shpresoj ti kenë ripërtërirë. Të heqim dorë nga inkurajimi i shkrimit të teksteve, le të përkthejmë tekste. është një garë botërore akademike për tekstet, nga më të mrekullueshmet dhe në këtë garë mund të nisen me mijëra, por mbijetojnë me qindra dhe ato që mbijetojnë duhet të përkthehen, duhet të shndërrohen në provë, në disponim të të gjithë inteligjencës, studentëve. Nuk them me këtë se nuk duhet të shkruhen tekste në universitetet tona, por ne duhet të inkurajojmë përkthimin e teksteve më të mira botërore. Ky është qëndrimi ynë.”

Zoti Ministër, duhet të parashikohen buxhetet për përkthim. Duhet tu kërkojmë dekanateve që të përzgjidhen dhe të përcaktohen se cilat tekste duhet të përkthehen, duhet të bashkëpunojmë me universitetet e Maqedonisë dhe të Kosovës. Qeveria e Maqedonisë ka përcaktuar një shumë të konsiderueshme për përkthim tekstesh rreth 40 milion euro, tekste të cilat janë përkthyer në shqip dhe të cilat ne mund ti blejmë, ndërkohë mund të përkthejmë tekste, mund të bashkërendojmë me ta dhe me Kosovën, të përkthejmë tekste, në mënyrë të koordinuar dhe ti përshtatim ato."

Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Ministri i Arsimit që viti i ri shkollor të nisë me sistemin e ri të buxhetimit, jo vetëm për universitetin, por për të gjithë sistemin shkollor. "Zoti ministër, viti i ri i arsimit shkollor duhet të fillojë me sistemin e ri të buxhetimit dhe jo vetëm për universitetin, por për të gjitha shkollat. Në të gjithë këtë përpjekje prindërit marrin një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm, i cili nuk mund të injorohet, përkundrazi ata do të sillen në përparësi, pasi askush nuk është më i interesuar për shkollimin e mirë të fëmijës së tij, sesa prindi, ndaj dhe ata do të kenë një zë shumë të veçantë në këtë proces.”


28/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›