Kryeministri Berisha: Policia e Shtetit do përputhet me detyrimet e reja që dalin nga procesi i heqjes së vizave
Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e qeverisë, se do të vazhdojë ristrukturimi i Policisë së Shtetit, në përputhje me obligimet e reja të Shqipërisë, që dalin nga procesi i heqjes së vizave.
“Vazhdon reforma e policisë. Këtë herë jo me shkurtime, por hiqen nga objektet 200 inspektorë dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në policinë e kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave, duhet t’i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit, të luftës kundër drogës. Në përputhje me obligimet e reja madhore që dalin nga procesi i heqjes së vizave, të gjithë sektorët që kanë të bëjnë me objektivat dhe kërkesat e udhërrëfyesit duhet të konsolidohen gjithnjë e më shumë”, u shpreh Kryeministri.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se është bërë e qartë se sistemet tona janë ndër më modernet, duke informuar se një tjetër gjysmë milion euro është për fuqizimin e serverëve dhe të të gjitha potencialeve të këtyre sistemeve.
28/04/2010