Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike
- Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë fuqishmisht këtë fakultet, me të gjitha investimet e nevojshme, në mënyrë që studentët së bashku me stafin akademik te tij të shndërrohen në prodhues të shkëlqyer soft-esh.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të godinës së Fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.
Pas ceremonisë, Kryeministri vizitoi edhe disa nga laboratorët e këtij fakulteti, ku fillimisht u ndal në laboratorin e Informatikës. Kryeministri Berisha përgëzoi stafin e këtij fakulteti për punën e bërë, por edhe për aftësinë e treguar në kapacitetet investuese.
Duke përgëzuar stafin e këtij fakulteti për punën e bërë, Kryeministri u shpreh se për Shqipërinë nuk ka përparësi më të madhe sesa ICT-ja . “Ajo përbën përparësi absolute dhe në projektin tonë, po t’i kthehemi termave të fizikës, përbën Levën e Arkimedit për të shkëputur vendin nga një trashëgimi e papërshtatshme dhe për ta vendosur atë në stadin më të avancuar të moshës dixhitale. E kam pritur me shumë kënaqësi themelimin e kësaj dege në këtë fakultet. Ne do të mbështesim çdo degë në arsimin e lartë, por detyrat më prioritare të qeverisë në projektin e zhvillimit qëndrojnë në degët tuaja”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri u shpreh se ka rëndësi të jashtëzakonshme që vajzat dhe djemtë që studiojnë në këtë fakultet, së bashku me stafin akademik, të shndërrohen në bërthamë të fuqishme të këtij sektori. “Ne presim që fakultetet të shndërrohen në qendrat më të fuqishme, jo vetëm për përgatitjen e specialistëve të rinj, por të shndërrohen në qendrat më të fuqishme të kërkimit shkencor dhe në qendrat më të fuqishme të prodhimeve të soft-eve në Shqipëri. Qeveria do t’ju mbështesë fuqishmit, me të gjitha investimet e nevojshme, në mënyrë që këta djem dhe vajza, se bashku me stafin akademik, të shndërrohen në prodhues të shkëlqyer soft-esh. Ju mund të angazhoheni me imagjinatën tuaj të prodhoni soft-et më të avancuara dhe të dilni në treg. Në qoftë se ne nuk do të nxisim një iniciative të fuqishme në këtë drejtim, ne do të mbetemi në stadin e hekurave, sepse në fund të fundit këto janë thjesht hekura. Unë kam shumë besim se ju do ta kryeni këtë detyrë dhe do t’ju mbështesim shumë fuqishëm, por kërkojmë të dilni në krye të kësaj përpjekje”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më pas, Kryeministri u ndal në Laboratorin Special të Fizikës, një laborator modern i ndërtuar në kuadër të projektit “Cilësi dhe barazi në arsim”. Kryeministri Berisha la një shënim në librin e përshtypjeve në këtë fakultet.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“I nderuar zoti ministror i Arsimit dhe Shkencës,
Të nderuar deputetë,
I nderuar zoti Rektor i Universitetit Politeknik,
Zoti dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Matematik-Fizike,
Të dashur pedagogë, profesorë dhe studentë të këtij fakulteti,
Së pari ju falënderoj me shumë respekt për ftesën që më bëtë, për të marrë pjesë në inaugurimin e godinës së fakultetit tuaj, të laboratorëve modern që ju keni ngritur, si dhe dua t’ju përgëzoj për punën me përkushtim që keni bërë, brenda një kohe të shkurtër, për sistemin më të mirë, për kushtet më të mira të studimit dhe kërkimit shkencor për stafin akademik dhe për studentët e këtij fakulteti. Dua t’ju përgëzoj për përkushtimin e madh që tregoni në konsolidimin e drejtimeve të reja të fakultetit tuaj. Këto drejtime janë bazuar në dy shkencat më themelore, të matematikës dhe fizikës, të cilat u japin koncepteve inxhinierike të këtij fakulteti një të ardhme dhe leverdishmëri të madhe.
Zoti rektor, zoti dekan,
Arsimi në tërësi dhe arsimi i lartë në veçanti përcakton më shumë se çdo gjë tjetër, më shumë se çdo faktor tjetër, të ardhmen e kombit dhe të ardhmen e vendit. Në këtë kontekst, qeveria që unë kryesoj, gjatë këtyre pesë viteve të fundit, nuk ka pasur sektor apo fushë tjetër më përparësore se sa arsimi i lartë i vendit. Ajo ka pasur dhe ka besim të madh në stafin pedagogjik universitar, në botën akademike shqiptare. Nisur nga kjo, me një shpejtësi pothuajse shumë të madhe, ne kemi arritur që sot në bankat e universiteteve tona të ulen jo më 52 mijë të rinj, sa ishin në vitin 2005, por 135 mijë të rinj. Askush nuk duhet të harrojë se akoma nuk kemi arritur objektivin tonë. Ne do të bëjmë çdo gjë që të gjithë maturantët që dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë, dhe mbi bazën e meritës, t’i kenë plotësisht të hapura e dyert e tyre. Ne do të bëjmë çdo gjë që këto tre vite të kapin mesataren evropiane për numër studentësh për çdo 1000 banorë dhe ta tejkalojnë atë, sepse ne jemi kombi më i ri në Evropë.
Të dashur studente dhe studentë,
Ne do të bëjmë çdo gjë që të krijojmë kushtet më moderne për shkollim sa më cilësor tuajin. Unë vizitova këtu një laborator për të cilin dekani më informoi se kushton rreth 800 mijë dollarë. Absolutisht, nuk do të ketë asnjë kufizim në financimin e teknologjive më moderne dhe më të avancuara për pajisjet e universiteteve, fakulteteve dhe departamenteve tona. Ne e marrim arsimin e lartë si çështjen më serioze të vendit. Ne kemi 2-3 fishuar investimet dhe jemi gati t’i rrisim ato. Ne kalojmë sot në qeveri një vendim shumë të rëndësishëm dhe i propozojmë Parlamentit një projektligj shumë të rëndësishëm për arsimin e lartë. është modifikim i ligjit ekzistues, i cili nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç se të detyrojë ekzekutivin të qëndrojë në lartësinë e kërkesave të këtyre degëve.
Zoti rektor, zoti dekan,
Thirrja ime miqësore për ju, si dhe për të gjithë rektorët dhe dekanët e tjerë në vend, është që të punoni me shpejtësi për t’iu përgjigjur me staf pedagogjik numrit të rritur të studenteve në universitetet tona. Unë do t’ju rrëfej diçka. Unë, pothuajse çdo ditë, mbroj me fanatizëm taksapaguesin shqiptar nga numri i burokratëve, sepse çdo rrogëtar rëndon mbi shpatullat e tyre. E kam bërë këtë me rezultate dhe efiçencën më të madhe. Por ka vetëm një sektor, ka vetëm një fushë, për të cilin unë bëj thirrje të shtoj numrin e pedagogëve dhe punonjësve, kjo është fusha e arsimit të lartë, e universiteteve.
Unë ju bëj thirrje të rekrutoni, mbi bazën e garës dhe konceptit të hapur, djemtë dhe vajzat më të mira, të shkolluar në këto fakultete dhe fakultetet në mbarë botën. Unë e di se kjo është një faturë jo e thjeshtë financiare, por jam i bindur se është në interesin më të mirë të vendit ta përballojë atë. Ne kemi një raport të papërshtatshëm pedagog-student dhe ky raport u krijua për shkak të rritjes, pothuajse të rrufeshme, të numrit të studentëve në shkollat tona. Ndaj, me shpejtësi ne duhet të rekrutojmë dhe rrisim numrin e pedagogëve.
Ne në qeveri vendosim sot t’i propozojmë Parlamentit për të rishqyrtuar çështjen e normës së pedagogëve. Propozojmë një normim më liberal të tyre, në mënyrë që fakultetet, departamentet, universitet, të jenë shtretërit e ngrohtë të zhvillimit, të gëlimit, të avancimit, të mendimit intelektual kombëtar. Të tilla janë dhe kanë qenë ato në të gjitha kohërat. Ne do të bëjmë çdo gjë që ta inkurajojmë këtë. Unë kam besim se ne sikundër do të kapim mesataren evropiane, pas dy viteve, për numrin e studentëve për 1 mijë banorë, ne do të kapim mesataren e vendeve më të përparuara, anëtare të OECD-së, në numrin e pedagogëve për studentë.
Të dashur studentë,
Një tjetër detyrë e madhe është angazhimi juaj, së bashku me pedagogët tuaj, në kërkimet shkencore. Nuk ka asgjë më tërheqëse, më të magjishme, për të rinjtë dhe të rejat në rrafshin universitar, sesa angazhimi i tyre në tema studimore dhe në kërkime shkencore, së bashku me pedagogët e tyre. Kjo është në kuadrin e diplomave, në kuadrin e studimeve që bëjnë departamentet, por kjo është përcaktuese edhe për cilësinë dhe perspektivën e mësimdhënies dhe botës akademike në tërësi. Ne presim që universitetet, fakultetet e Informatikës dhe ICT-së të udhëheqin procesin e shndërrimit të Shqipërisë manuale në Shqipëri dixhitale. Unë kam besim të plotë se imagjinata dhe përkushtimi juaj, përbën bazën më të fuqishme për realizimin e këtij objektivi.
Shqipëria dixhitale është një Shqipëri që ecën e sigurt në kursin e orës globale; një Shqipëri që shkëputet me guxim të madh nga trashëgimia e saj e prapambetur; një Shqipëri që kap kohën e humbur.
Zoti dekan,
Juve, si dhe të gjithë drejtuesve të fakulteteve të ngjashme, ju bëj thirrje të mos kurseni asgjë për të vendosur kutikulat më të mira; të mos kurseni asgjë për një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar dhe për të marrë me kontratë për një apo dy vite specialistët më të shquar të fushave, në mënyrë që këto kapacitete t’i zhvillojnë dhe fakultetet tona. Të bëhet çdo përpjekje, të rrisim çdo ditë e më shumë cilësinë dhe efiçencën e mësimdhënies në arsimin e lartë.
Pas një shqyrtimi të gjatë, ne vendosim sot të konsolidojmë sistemin e Bachelor dhe Master. Sërish, edhe këtu, ne do t’i adresohemi liberalizmit. Ai është parim i artë. Askush nuk duhet të ketë frikë prej tij. Këtu ka studentë të shkëlqyer në fushën ku punojnë, por ka edhe të tjerë që mendjen e kanë këtu, por zemrën e kanë diku tjetër. Ne do t’u japim edhe atyre mundësi që në rast se nuk kanë gjetur veten e tyre gjatë tre viteve të studimit në fushën që kanë studiuar, të kenë mundësi të ndjekin masterin që duan, mbi bazën e krediteve që do të marrin. Ne do të përpiqemi të hapim dyer dhe dritare për pasionet tuaja shpirtërore, për pasionet tuaja profesionale.
Edhe një herë dua të përgëzoj pedagogët, pedagoget, veçanërisht rektorin e Universitetit të këtij fakulteti dhe të gjitha shkollave të larta të vendit, si dhe t’i ftoj ata që të vazhdojnë me përkushtim të madh garën e dijes, garën më fisnike e më të rëndësishme të një kombi dhe një shoqërie.
Faleminderit!”
28/04/2010