E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në 4 vjet, Pogradeci qendër evropiane e turizmit dhe në trashëgiminë botërore të UNESCO-s

Koalicioni “Aleanca për qytetarin” çeli sot pasdite në qytetin e Pogradecit fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. Kryeministri Berisha, i pranishëm në këtë takim, prezantoi zotin Luan Topçiu, i përzgjedhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, si kandidat të mazhorancës për kryetar të bashkisë së Pogradecit.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve të Pogradecit, shprehu kënaqësinë që prezanton zotin Luan Topçiu për kryetar bashkie të këtij qyteti, njeriun që do të bëj që Pogradeci i kësaj dekade të jetë një nga qendrat më të fuqishme, më të bukura dhe më të mëdha turistike të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha i kërkoi banorëve të këtij qyteti të votojnë kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, pasi kjo mazhorancë vjen në këto zgjedhje me premtime të mbajtura dhe duke dëshmuar respekt e përkushtim për qytetarët. “Në këto vite ne kemi investuar për Pogradecin 50 herë më shumë se 8 vitet e mëparshme, kemi investuar më shumë se të gjitha kohërat”, shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se në këtë rreth janë ndërtuar dhe rindërtuar 80 kilometra rrugë, 16 shkolla, janë investuar 25 milionë euro në ujësjellësin e qytetit dhe 14 ujësjellës në gjithë rrethin, është investuar në dhjetëra qendra shëndetësore, po rikonstruktohet spitali, si dhe janë subvencionuar rreth 400 hektarë dru frutorë.

Kryeministri premtoi se në katër vitet që do të vijnë do të asfaltohet çdo rrugë, do të ndërtohen shkolla dhe banorët do të furnizohen me ujë 24 orë. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe infrastrukturës rrugore në këtë qark, për të cilën Kryeministri nënvizoi se me rrugët e ndërtuara dhe ato që janë në ndërtim, me tunelin dhe autostradën Tiranë – Elbasan, qytetarët mund të vijnë nga Tirana në Pogradec me gjysmën e kohën që u nevojitet tani. Unë ju garantoj, - u shpreh Kryeministri, -  se 4 vitet që vijnë gjoli dhe brigjet e tij shqiptare do të jenë në pasurinë botërore të UNESCO-s.

Por përballë kësaj alternative, tha më tej Kryeministri Berisha, është edhe alternativa e rrugës së vetme, të cilën populli shqiptar e provoi se cila ishte në 45 vite. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha u shpreh se “nuk kam ndërmend të merrem, të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda, me disfatat politike të Edi Ramës dhe as me betejat e tij politike. Por dua të theksoj dy gjëra këtu para jush. 21 vjet më parë, unë, ish mjeku që kaloja çdo verë pushimet në këtë qytet, takova në një takim me intelektualë Presidentin e asaj kohe dhe i thash se duhet të hiqte nga Kushtetuta atë nen që i jepte Partisë së Punës rolin hegjemon dhe se partia duhet të kishte atë rol që meriton me vota. Ai mu kthye dhe tha: kurrën e kurrës! Unë iu përgjigja: never say never! (Kurrë mos thuaj kurrë). Kur dje pash në televizor se si shoku Edi Rama kishte nxjerr një spot ku thoshte “kurrë më”. Dua t’i them shokut Rama: kujdes nga ‘kurrë më’ se fatin e Ramizit do të pësosh, pension të parakohshëm dhe shumë shpejt".

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Pogradecit,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar zotërinj ministra e deputetet,

I dashur z. Luan Topçiu, kandidat për kryetar të bashkisë së Pogradecit,

Kam ardhur sot në Pogradec me një kënaqësi të veçantë për të paraqitur zotin Luan Topçiu si kandidat për kryetar të bashkisë së këtij qyteti që kaq shumë e doni ju, që kam shumë e dua unë dhe mbarë Shqipëria. Luan Topçiu, qytetari juaj i shquar, biri i një familje të nderuar të këtij qyteti, njeriu që me dashurinë, frymëzimin, respektin që ka dhe ushqen për ju do të bëj që Pogradeci i kësaj dekade të jetë një nga qendrat më të fuqishme, më të bukura, më të mëdha turistike të Shqipërisë.

Unë vij sot tek ju me kënaqësi të madhe, sepse viti që shkoi ishte viti juaj, viti i Pogradecit, viti i miqve tuaj nga e mbarë bota. Këtë vit në të cilin Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, Pogradeci, perla e saj, do të presë turistë më shumë se kurrë në historinë e tij.

Ju, qytetaret dhe qytetarët e Pogradecit, keni në shpirt mikpritjen si të gjithë shqiptarët, por më shumë se gjithë të tjerët ju keni në shpirt mikpritjen e turistëve nga e mbarë bota. Kjo, sepse liqenin apo gjolin që ju e keni pjesë të shpirtit tuaj, këtë bukuri përrallore natyrore, kërkoni ta ndani me çdo shqiptar e me çdo qytetar nga e mbarë bota.

Unë vij sot këtu, gjithashtu, i bindur se këto vite ne kemi dëshmuar respektin tonë të madh ndaj jush, dashurinë dhe përkushtimin tonë. Në këto vite ne kemi investuar për Pogradecin 50 herë më shumë se 8 vitet e mëparshme, kemi investuar më shumë se të gjitha kohërat.

Në rrethin tuaj ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 80 kilometra rrugë. Jam sot këtu për tu zotuar se në rrethin tuaj gjatë 4 viteve që vijnë do të asfaltojmë dhe rindërtojmë çdo rrugë të qytetit dhe fshatrave tuaja.  Në rrethin tuaj ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 16 shkolla. Jam sot këtu për tu zotuar para jush se 4 vitet që vijnë, me qeveritarët tuaj vendorë, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në këtë rreth. Në ujësjellësin tuaj modern kemi investuar 25 milionë euro, ndërsa në mbarë rrethin kemi ndërtuar 14 ujësjellës. Jam sot këtu për tu zotuar se qyteti dhe banorët e rrethit tuaj do të furnizohen me ujë 24 orë. Në rrethin tuaj ne kemi investuar në dhjetëra qendra shëndetësore, po rikonstruktojmë spitalin. Sikundër, kemi subvencionuar rreth 400 hektarë dru frutorë. Pogradeci sot është në ritme të shpejta zhvillimi.

Qytetare dhe qytetarë të Pogradecit,

Për ne gjëja më e çmuar është koha juaj. Ne nuk zëvendësojmë dot punën që bëni, por ne bëjmë gjithçka që t’ju kursejmë kohën. Me rrugët që ne ndërtuam dhe po ndërtojmë, me tunelin dhe autostradën Tiranë – Elbasan, ne sjellim Tiranën në Pogradec dhe Pogradecin në Tiranë me gjysmën e kohën që nevojitet tani. Me autostradën Korçë – Qafë Plloçë,  ne bëmë që Korça dhe korçarët të dynden në Pogradec gjatë verës dhe në çdo sezon. Me autostradën Qafë Plloçë – Librazhd që po ndërtojmë ne bëjmë sërish që Pogradeci të afrohet me Tiranën gjithnjë e më shumë. Në ndërtim e sipër është shëtitorja e bukur Lin – Tushemisht. Unë ju garantoj ju se ajo do të jetë vepër e qeveritarëve vendor këtë 4 vjeçar që vjen.

Qytetare dhe qytetarë të Pogradecit,

Kjo është alternativa jonë. Kjo është alternativa e interesave tuaja, e vizionit tuaj, e halleve dhe derteve tuaja, alternativa e një Pogradeci tërësisht evropian, alternativa e një Pogradeci me liqenin e tij trashëgimi botërore natyrore. Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë gjoli dhe brigjet e tij shqiptare do të jenë në pasurinë botërore e UNESCO-s.

Krahas kësaj alternative është ajo e rrugës së vetme, e rrugës pa kthim, e rrugës që shqiptarët më shumë dhe më tragjikisht se çdo komb tjetër e provuan në 45 vite. Unë nuk kam ndërmend të merrem, të harxhoj qoftë edhe 30 sekonda, me disfatat politike të Edi Ramës, as me betejat e tij politike. Por dy gjëra do të theksoj këtu para jush. 21 vjet më parë, unë, ish mjeku që kaloja çdo verë pushimet në këtë qytet, takova në një takim me intelektualë Presidentin e asaj kohe dhe i thash se duhet të hiqte nga Kushtetuta atë nen që i jepte Partisë së Punës rolin hegjemon dhe se partia duhet të kishte atë rol që meriton me vota. Ai mu kthye dhe tha: kurrën e kurrës! Unë iu përgjigja: never say never! (Kurrë mos thuaj kurrë). Kur dje pash në televizor se si shoku Edi Rama kishte nxjerr një spot ku thoshte “kurrë më”. Dua t’i them shokut Rama: kujdes nga ‘kurrë më’ se fatin e Ramizit do të pësosh, pension të parakohshëm dhe shumë shpejt.

Sepse ne jemi burra dhe gra të lirë. Jemi njerëz të pasionit të lirisë. Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe se rruga më e mirë është ajo drejt Evropës. Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe ajo është rruga e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve. Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe ajo është rruga e infrastrukturës moderne, e rrugëve të reja, e shkollave të reja, e ujësjellësve, kanalizimeve. Ne besojmë se gjithmonë ka një rrugë më të mirë dhe rruga më e mirë është ajo drejt Europës, rruga pa viza, lëvizja e lirë.

Ata le të vazhdojnë në rrugën e vetmisë, ndërsa ne të gjithë së bashku do të jemi të bindur se gjithnjë ka rrugë më të mira dhe se s’do reshtim kurrë së kërkuari, së gjeturi, së udhëtuari në to.

Edhe një herë ju përshëndes, ju uroj 8 majin. Të gjithë së bashku për Pogradecin e kësaj dekade, për Pogradecin europian, për Pogradecin në krye të qendrave turistike të rajonit dhe të Europës.

Faleminderit!”


09/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›