Kryeministri Berisha: Ambicia jonë, një sistem shëndetësor eficent, i reformuar i niveleve europiane
“Zhvillimi e zgjerimi i kapaciteteve menaxheriale janë kusht vendimtar për suksesin e reformës në shëndetësi.”
“Në rast se do që asnjë reformë, në çdo fushë të mos mbete në letër duhet luftuar korrupsioni. Dhe në këtë drejtim ka një progres real. Dy studime dëshmojnë se pas vendosjes së çmimeve të referencës dhe disa praktikave të tjera ka një rënie të ndjeshme.”
Kryeministri Berisha përshëndeti sot konferencën për prezantimin e projektit të Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID), “Në mbështetje të reformës në shëndetësi”.
Kryeministri Berisha evidentoi disa nga arritjet në sistemin shëndetësor shqiptar, si rezultat reformave të ndërmarra vitet e fundit në këtë sektor, si ulja e ndjeshme e vdekshmërisë foshnjore, arritja e niveleve më të ulëta në botë të vdekshmërisë amtare, zgjerimi i teknologjive, telemjekësia, fuqizimi i sektorit privat me një efekt të drejtpërdrejtë edhe në rritjen e fuqizimin e sektorit publik, si rezultat i nxitjes së aftësive konkurruese.
Por në mënyrë të veçantë, Kryeministri u ndal në disa aspekte të rëndësishme në të cilat duhet të përqendrohen reformat dhe përpjekjet e stafeve mjekësor në vend, duke ndarë dy aspekte që i vlerësoi thelbësore për suksesin e reformës në shëndetësi: rritjen e kapaciteteve menaxheriale dhe luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri konsideroi gjithashtu të një rëndësie të madhe për fuqizimin e sistemit shëndetësor edhe rritjen e sektorit privat, i cili në bashkëpunim e partneritet me sektorin publik do të bëjnë që të rritet cilësia e shërbimit shëndetësor.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha më gjerë u shpreh:
“Së pari, dëshiroj me shumë mirënjohje të falënderoj qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, USAID-n, për angazhimin e tyre shumë serioz gjatë gjithë këtyre viteve, në procesin e transformimit të sistemit shëndetësor në Shqipëri. Angazhim ky që ka përfshirë nga shërbimi parësor e mjeku i familjes, deri tek telemjekësia dhe diagnoza më e sofistikuar. Ky kontribut e kjo ndihmë ka pasur një rëndësi të veçantë në transformimin real të sistemit shëndetësor shqiptar, nëpërmjet reformave. Transformim që sëbashku me ndryshimet e mëdha të vendit kanë realizuar disa arritje shumë të mëdha.
Vetëm pak vite më parë, vdekshmëria foshnjore në këtë vend, një tregues jashtëzakonisht i ndjeshëm, ishte i përmasave të disa vendeve afrikane. Sot nuk është në nivelin e përqindjeve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por është disa herë larg atyre përqindjeve që ka qenë pak vite më parë.
Sot, Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta në botë të vdekshmërisë amtare. Madje vitin e kaluar kjo vdekshmëri ishte zero. Natyrisht, nuk mund të jetë zero, ka qenë edhe koincidenca. Por një gjë është e sigurt që kujdesi për nënat shtatzëna ka njohur një konsolidim dhe progres real e shumë të rëndësishëm.
Mosha mesatare e shqiptarëve është rritur. Zoti ambasador, kam kënaqësi t’ju njoh se është vetëm 0.11 të vitit, nën moshën mesatare të kombit amerikan. Pra, ka një rritje të ndjeshme.
Ka një zgjerim të fuqishëm të teknologjive, ka një fuqizim të shpejtë të sektorit privat. Vetëm në një hark kohor 8 mujor, në shëndetësi ka pasur rreth 110 milion euro investime private. Sektori privat jo vetëm ka ofruar shërbime që mungonin, por ka nxitur për shkak të garës që ndez sektorin publik të zhvillojë kapacitetet e tij. Unë do t’u jap një shembull. Pak vite më parë, në spitalin qendror në Tiranë bëheshin 30 deri në 50 By pass-e. Por sapo filluan që By pass-et të kryheshin edhe nga sektori privat, sot ato janë 400 me 400, pra, trajtohen jo më 30-50 të sëmurë, por 800 të sëmurë dhe qindra e mijëra të tjerë janë me stendë apo procedurë të tjera. Ka realisht një progres thelbësor.
Një spektër sëmundjesh të injoruara, sot nuk janë më të injoruara. Është bërë e po punohet shumë në drejtim të edukimit shëndetësor, të sistemit të trajnimit të mjekëve. Por a jemi aty ku duhet? Ende nuk jemi aty ky duhet. Kjo sepse ne kemi mjekë shumë të aftë, shumë të zotë, kemi klinika të pajisura e mund t’i pajisim me çdo gjë që mund të ketë nevojë, kemi mbështetje, por nuk kemi zhvilluar dot akoma aftësitë menaxheriale. Nuk ka sukses të vërtetë pa menaxhim. Ky sistem, se sistemi tjetër ishte falimentim, kusht vendimtar për suksesin ka menaxhimin. Mirëpo hapësira e koncepti menaxherial nuk ka arritur në përmasat e dimensionet që duhet të jetë. Ne duhet ta zhvillojmë atë me shpejtësi. Ambasadori Arvizu me të drejtë theksoi se fondet tona janë sa gjysma e mesatares së vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ambasadorit i duken të vogla dhe janë, por për ne që kemi pasur një diferencë kaq të madhe me këto vende, në të vërtetë kjo prapë shënon progres. Problemi është se fuqitë tona, kapacitet tona menaxheriale nuk janë dhe me keqardhje e them këtë 50 përqind e kapaciteteve menaxheriale të vendeve të zhvilluara anëtare të BE-së, ç’ka e bën pak eficent këtë buxhet. Ndaj ndihma e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, përpjekja jonë për zhvillimin e zgjerimin e kapaciteteve menaxheriale janë kusht vendimtar për suksesin e reformës në shëndetësi.
Nga të gjitha reformat më e vështira është reforma në shëndetësi. Po t’i marrësh të gjitha me radhë e t’i listosh për vështirësi, shëndetësia është para e nuk ka të dytë e të tretë, pasi nuk ka asgjë tjetër më komplekse, më delikate e më thelbësore, sesa çështja e shëndetit. Ne kemi krijuar një Task Forcë e po punojmë dhe duhet të përgëzoj të gjithë klinikat, shërbimet për punën që kanë bërë e bëjnë, por sërish shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje që reformën duhet ta bëjmë çështje debati me të gjithë stafin mjekësor. Ne duhet ta bëjmë çështje debati, sepse është jetike që të kuptojmë se duhet të ndryshojë. Shumica juaj ka punuar në klinika jashtë. Unë i kisha mik profesorin me të cilin punoja në Francë, por absolutisht nuk vendoste dot për asgjë në rrafshin ekonomik, para asaj që quhej survejanca, ose kryeinfermierja. Ajo e kishte të gjithë përgjegjësinë. Ky zotëri më merrte në shtëpinë e tij apo restorant për shkak se ishim miq, por ç’kishte probleme që i administronte menaxherja e pavionit ky nuk përfshihej. Ndaj ka një rëndësi jetike të instalojmë sa më shpejt mekanizmin e ri financiar, të zhvillojmë sa më shpejt kapacitetet menaxheriale dhe ju garantoj që në themel të të gjithë përpjekjes sonë për sukses qëndron dhe duhet të qëndrojë lufta kundër korrupsionit. Kjo është vendimtare. Në rast se do që asnjë reformë, në çdo fushë të mos mbete në letër duhet luftuar korrupsioni. Dhe në këtë drejtim ka një progres real. Dy studime dëshmojnë se pas vendosjes së çmimeve të referencës dhe disa praktikave të tjera ka një rënie të ndjeshme. Por çdo gjë që paguhet dhe Kushtetuta e ligji parashikon ndryshe është dhunim i rëndë e serioz i të drejtave të qytetarit. Përveç të tjerash krijon edhe një deformim të madh. Ne po punojmë, por do të vlerësoja dhe kërkoja nga USAID që, me ndihmën të shkëlqyer që na dha, pasi ideja e e-taksa, one stop shop për licencat e lejet që të gjitha kanë pasur në themel luftën kundër korrupsionit, të përqendrohemi me të gjithë potencialin tonë për transparencën dhe lutën kundër korrupsionit. Unë jam optimist. Katër vite më parë, për të regjistruar një biznes shqiptarët paguanin 4200 euro dhe u duheshin 42 ditë, pra ishte një proces hektik, korruptiv. Sot, Shqipëria është 27 përqind më lart se mesatarja e vendeve më të zhvilluara të botës të OECD, për regjistrimin biznesit dhe kjo në sajë të transparencës që ka marrë ky proces. Ndaj të përqendrohemi në këto dy aspekte kryesore, aspekti menaxherial dhe lufta kundër korrupsionit.
Një aspekt tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është qëndrimi ndaj sektorit privat. Duhet ta kuptojmë se ky sektor është shumë i rëndësishëm. Duke theksuar këtë, në mënyrë absolute qeveria do të rrisë në mënyrë të pandërprerë buxhetin për sektorin publik dhe kjo nuk ka asnjë shmangie, por sektori privat gjithashtu është i domosdoshëm. Duhet ta konsiderojmë si të tillë për shumë aspekte. Në fund të fundit, ne duhet të jemi të bindur se e drejta e qytetarit për të zgjedhur shërbimin është një e drejtë e ligjshme dhe ne duhet të shkojmë drejt saj. Sot, ne nuk e kemi të mundur ta respektojmë plotësisht, por nuk mund të mos e përcaktojmë si një horizont për t’u arritur. Ndaj të bëjmë gjithçka që shërbimet tona të jenë më të mira. Kjo në bashkëpunim, në partneritet me sektorin privat, i cili ka hapur një faqe të re në sistemin shëndetësor shqiptar. Unë ju dhashë shembullin e By pass-eve se ai më është raportuar, por shembuj të tjerë si p.sh në spitalin amerikan që sapo inauguruam tek Fakulteti i Mjekësisë më njoftuan që, në një periudhë kohore të shkurtër, 60 zonja kanë marrë shërbimin që meritonin, shërbime shumë të rëndësishme e delikate, të cilat i merrnin kryesisht jashtë apo prisnin në radhë në spitalet tona. Pra, e them këtë edhe në aspektin që sektorin privat ne duhet ta konsiderojmë një partner të domosdoshëm, me të cilin të bashkëpunojmë.
Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që këtë reformë ta shndërrojmë në një sukses dhe jam i bindur se ndihma e mbështetja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara përbën një garanci më të madhe, në ambicien tonë për një sistem shëndetësor eficent, të reformuar, të niveleve europiane. Faleminderit.”
08/04/2011