Kryeministri Berisha në Laç: Qeveria do të financojë çdo projekt për Kurbinin, një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit

- Do t’i rikthejmë Kurbinit një nga tregjet më të mëdha të trojeve shqiptare, tregun e Milotit. Do të ndërtojmë gjimnazin e ri të qytetit të Laçit. Sistemet e ujësjellësve e kanalizimeve do t’i ndërtojmë në çdo fshat, në çdo lagje të këtij rrethi.
Kryeministri Berisha ishte sot në Laç ku prezantoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” për kryetar bashkie të këtij qyteti, z. Bardhi Rica.Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Kryetarja e Parlamentit, zonja Jozefina Topalli, deputetë të zonës, etj.
Kryeministri vlerësoi kandidaturën e zotit Rica për kryetar bashkie të këtij qyteti dhe siguroi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt për Kurbinin, një nga rrethet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit, një nga zonat më të fuqishme të prodhimeve industriale e bujqësore.
Kryeministri siguroi se me Bardh Ricën e qeveritarët e tjerë vendorë, do të punohet për ndërtimin e Landfill-it në këtë rreth. Gjithashtu, në partneritet me sektorin privat, do të rindërtohet tregu i Milotit, duke i rikthyer Kurbinit një nga tregjet më të mëdha të trojeve shqiptare. Do të ndërtohet gjimnazi i ri i qytetit, ndërsa në çdo fshat e lagje të këtij rrethi do të ndërtohen sistemet e ujësjellësve e kanalizimeve. Kryeministri tha se do të bëhet gjithçka për tërheqjen e investimeve të huaja, për punësimin e qytetarëve të Kurbinit.
Duke vënë në dukje investimet në katër vitet e kaluara, Kryeministri tha se në këtë rreth janë ndërtuar 90 kilometra rrugë, me vlerë 84 milionë euro, 14 sisteme ujësjellës e kanalizime, 16 shkolla, 6 qendra shëndetësore, janë subvencionuar 270 ha vreshtari e dru frutorë.
Kryeministri tha se alternativa tjetër që ofrohet, ajo “e rrugës së vetme”, është një rrugë pa kthim. “Nga Kurbini dua t’i them dy fjalë zotit Rama; i nderuar zotëri, të gjithë shqiptarët kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rruga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund t’ua zërë, mund t’ua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë çka besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjmë më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që na zhvillon, na përparon”, tha Kryeministri.
Në përshëndetjen e tij të plotë drejtuar banorëve të Kurbinit, Kryeministri u shpreh:
“Të dashur qytetarë, vëllezër e motra të rrethit të Kurbinit,
Të nderuar deputetë,
I dashur Kryetar i ardhshëm i Bashkisë, z. Bardh Rica,
Fjala e parë që më buron nga shpirti dhe zemra në këtë shesh është mirënjohja më e thellë ndaj jush, grave dhe burrave të Kurbinit, djemve dhe vajzave, për mbështetjen e jashtëzakonshme, besimin e palëkundur tek Partia Demokratike, tek projekti i saj për Kurbinin e mbarë Shqipërinë.
Sot kam ardhur këtu për t’ju dhënë fjalën e nderit se, në 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt që kryetari i Bashkisë suaj, kryetarët e komunave të rrethit të Kurbinit, do të hartojnë për Kurbinin, një nga rrethet më të fuqishme turistike të Shqipërisë, për Kurbinin, një nga epiqendrat kryesore të zhvillimit të vendit, për Kurbinin, një nga zonat më të fuqishme të prodhimeve industriale e bujqësore, për Kurbinin, me një infrastrukturë më moderne në të katër anët e këtij rrethi.
Gjatë katër viteve që shkuan, në këtë rreth të mrekullueshëm kemi ndërtuar 90 kilometra rrugë, me vlerë 84 milionë euro, kemi ndërtuar 14 sisteme ujësjellës e kanalizime, 16 shkolla, 6 qendra shëndetësore, kemi subvencionuar 270 ha vreshtari, dru frutorë e bimë are. Po përfundon mbikalimi në autostradë, ndërkohë që sot kanë nisur punimet për rikonstruksionin e plotë të rrugës Fushë Krujë – Milot.
Së bashku me Bardh Ricën e qeveritarët e tjerë vendorë, do të përcaktojmë dhe nisim punimet për Landfill-in, në mënyrë që kjo të jetë një nga zonat më të pasura në Shqipëri, më tërheqëse për turizmin. Në partneritet me sektorin privat, ne do t’i rikthejmë Kurbinit një nga tregjet më të mëdha të trojeve shqiptare, tregun e Milotit. Do të ndërtojmë gjimnazin e ri të qytetit të Laçit. Sistemet e ujësjellësve e kanalizimeve do t’i ndërtojmë në çdo fshat, në çdo lagje të këtij rrethi.
Gjatë këtyre viteve zemra juaj bujare, mikpritja juaj fisnike ka bërë që popullata e qytetit të Kurbinit të rritet 3 herë. Unë ju jap fjalën se do të bëjmë gjithçka për tërheqjen e investimeve të huaja, për punësimin e qytetarëve të Kurbinit.
Në këtë fushatë, në qendër të saj ne kemi vendosur qytetarin, hallet, dertet, djersën, mundin, interesat, vizionin e tij, respektin e pafund ndaj tij. Ndaj edhe këtë muaj e kemi muaj dialogu të ngushtë me njëri-tjetrin. Këtë muaj nuk ka qeveritarë, por ka qytetarë e vetëm qytetarë. Këtë muaj, me këshilltarët tuaj, me kandidatët për qeveritarë vendorë, ju do të hartoni projektet e katër viteve që vijnë, në mënyrë që në krye të 4 viteve ju të ndiheni si qytetarë të një qyteti, të një lagjeje, të një fshati, të një komune të zhvilluar.
Të gjithë ju jeni të bindur se ne premtimet i shndërrojmë në realitet. Së bashku, ne që nisëm këtë rrugë në kulmin e varfërisë e mjerimit, sot kemi bërë realitet disa nga ëndrrat më të bukura tonat e të fëmijëve tanë. Sot Kurbini dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, kanë lirinë e tyre më të sigurt se kurrë në historinë tonë kombëtare. Sot ne, me zemrën tonë të bardhë, me mikpritjen tonë fisnike, bëmë që Shqipëria, në sajë të bukurive të saj përrallore, të shpallet këtë vit “E bukura e dheut” dhe të presë këtë vit më shumë turistë nga e gjithë bota. Ne që 20 vjet më parë jetonim të rrethuar me kufij me tela me gjemba, sot lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Evropën.
Ka shumë arsye që ne të duam njëri-tjetrin, të respektojmë njëri – tjetrin, sepse këto janë veprat tona, këto janë arritjet tona, këto janë ëndrrat tona të bëra realitet. Tani, së bashku kemi edhe një horizont tjetër, kemi edhe një objektiv tjetër, Kurbini, Shqipëria vendi i zhvilluar deri në vitin 2017. Unë ju garantoj se do ta realizojmë plotësisht dhe se kjo ëndërr mbarë shqiptare do të jetë realitet.
Dy ditë më parë, Brukseli do të thoshte se ekonomia shqiptare, jo vetëm që nuk është në krizë, por është në vrapim, në vrapim sepse ju jeni burra e gra që djersini nga mëngjesi deri në darkë, në vrapim, sepse qeveria juaj ka ndërmarrë reformat më të thella, në mbështetje të ekonomisë, në vrapim sepse ky vend është vend e tokë e bekuar dhe i ka të gjitha pasuritë përrallore që i ka dhënë Zoti e natyra.
Ndaj edhe ne, le të bëjmë se bashku përpjekjen e madhe për ta shndërruar këtë ëndërr në realitet, për të ecur drejt Evropës si vend i zhvilluar, si vend në të cilin qytetarët e vet do të mëkëmben gjithnjë e më shumë.
Vëllezër e motra,
Kjo është alternativa jonë, alternativa e mundit, djersës, e premtimit, e mbajtjes së fjalës, e shkollave, kanalizimeve, turizmit, kopshteve e fermave të zhvilluara private. Në këtë alternativë secili ka rrugë e tij, rrugën që zgjedh, rrugën me të cilën ai mendon të ndërtojë më mirë jetën e tij. Krahas kësaj alternative, na doli edhe ajo “e rrugës së vetme”. Nga Kurbini dua t’i them dy fjalë zotit Rama; i nderuar zotëri, ne të gjithë që jemi këtu, të gjithë shqiptarët kudo që janë, kanë së paku 2 rrugë; njëra është rroga e Zotit dhe mjerë ai që kujton se mund t’ua zërë, mund t’ua pushtojë rrugën e Zotit besimtarëve të tij. Tjetra është rruga e lirisë, rruga që na bën ne të mundur që të zgjedhim atë çka besojmë dhe mendojmë se dimë dhe mund të bëjmë më mirë, atë që ne na duhet, që na shërben, që na zhvillon, na përparon. Kurse ajo që ofron shoku apo zotëria, është rruga e vetmisë, rruga pa kthim. Por ai ka bërë zgjedhjen e tij.
Ne le të bashkohemi në këtë alternativë. Për ne, ju jeni të parët, për ne qytetari është i pari, për ne Kurbini është i pari, për ne Shqipëria është e para.
Rrofshi ju, rroftë Kurbini, rroftë Shqipëria”.
11/04/2011