Kryeministri Berisha: Në 4 vjet, qeveria ka dyfishuar buxhetin në arsim dhe do ta rrisë më tej atë
- Kryeministri Berisha bashkëbisedon me nxënës e mësues mbi zhvillimin e arsimit në Shqipëri
Gjatë vizitës në shkollën e mesme “Sadik Stavaleci”, në komunën Kashar, me rastin e inaugurimit të saj, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja, u takua dhe bashkëbisedoi me nxënës dhe stafin pedagogjik të shkollës.
I pyetur nga nxënësit në lidhje me mbështetjen që do të kenë nga qeveria nxënësit me rezultate të mira, Kryeministri Berisha tha se “për nxënësit e mirë, sipas rregullave, do të ketë gjithnjë bursë. Ndërsa për ata që aplikojnë në 10 universitetet më të mira të perëndimit dhe fitojnë të drejtën e studimit, do të kenë bursën e qeverisë, përfshi këtu rreth 100 mijë dollarë në vit. Qeveria është e gatshme të paguajë për secilin prej jush që do të fitojë të drejtën të ndjekë studimet në një nga 10 universitetet më të mira të botës deri në gjysmë milion dollarë. Ju siguroj se këtë mbështetje e kemi shumë serioze, vetëm ju kërkoj që të jeni ambiciozë, kuptohet në sensin pozitiv. Interneti, libraria virtuale ju ndihmon. Ne do të bëjmë shumë gjëra që t’ju krijojmë kushtet dhe ju të aplikoni. Ne do t’ju mbështesim. Sado që është shumë e kushtueshme, pasi 10 universitetet e para e kanë çmimin ‘të kripur’, çdo e re apo i ri që fiton të drejtën e studimit në një prej këtyre universiteteve do të ketë mbështetjen e përvitshme të qeverisë, me kusht që ai të kthehet e të punojë 7 vjet për vendin e tij.”
I pyetur nëse ekzistojnë mundësitë për binjakëzimin e kësaj shkolle me shkolla të tjera jashtë vendit, Kryeministri Berisha u përgjigj se “kjo mundësi është reale. Rruga më e shkurtër e kësaj mundësie është binjakëzimi i komunës dhe bashkisë së Kasharit me një bashki apo komunë të Italisë, Austrisë, Greqisë, Gjermanisë dhe, në kuadër të binjakëzimit të kësaj bashkie me një bashki të një vendi tjetër, atëherë binjakëzimi i shkollave është shumë më i mundshëm. Ndërkohë do të shihen edhe rrugë e mundësi të tjera. Zoti Ministër i Arsimit, do t’i japësh Drejtorisë së Shkollës udhëzuesin, në mënyrë që të angazhohen në këtë proces. Binjakëzimi është pozitiv dhe më vjen mirë që ju e kërkoni. Binjakëzimi, së pari, është një përfitim reciprok. Së dyti, ka rëndësi edhe për ne, sepse shohim se cili është standardi i shkollës me të cilin binjakëzohemi dhe në këtë mënyrë, rrisim edhe standardin e shkollave tona.”
Lidhur me standardet, Kryeministri Berisha u pyet nëse ngritja e shkollave të reja po i shërben edhe arritjes së standardeve europiane në arsim. “Qeveria e ka përparësinë më të madhe arsimin. Në asnjë sektor tjetër, ne nuk e kemi dyfishuar buxhetin, si në arsim dhe kemi bërë shumë mirë. Plani ynë është që asnjë fëmijë analfabet në Shqipëri dhe ju garantoj se, sado që të kushtojë, ne jemi të gatshëm ta përballojmë. Së dyti, çdo fëmijë që mbaron klasën e 9-të të mund të vazhdojë gjimnazin, pavarësisht se ku banon ai, mbrapa Dajtit apo në Lekbibaj, ku nuk ka shkollë të mesme, pra, kudo që të banojë, ne do t’i krijojmë mundësinë që të vazhdojë shkollën e mesme, duke e vendosur në konvikt. Në këtë mënyrë, ata do të kenë mundësi të përkushtohen në mësime dhe të mësojnë në shkolla të cilësisë më të mirë. Ne po përfundojmë një zinxhir konviktesh në të gjitha rrethet e vendit dhe mund t’i shtojmë pa asnjë hezitim, nëse është e nevojshme dhe çdo fëmijë që mbaron shkollën 9-vjeçare të ndjekë shkollën e mesme, në rast se dëshiron. Më pas, çdo i ri që mbaron shkollën e mesme të ndjekë universitetin. Meqenëse po flasim për standardet, tre vjet më parë, ne ishim 4 herë larg standardit europian me numrin e studentëve. Ne kishim gjithsej 12 studentë për 1 mijë banorë, ndërsa Europa ka 40 studentë për 1 mijë banorë. Pas tre vitesh, ia kemi dalë të kemi 32 studentë për 1 mijë banorë, por ne nuk do të ndalemi tek 40 studentë, sepse jemi komb i ri dhe duhet të kalojmë këtë numër. Nga 115 mijë studentë që kemi sot, ne duhet të arrijmë në 150 mijë studentë dhe pas kësaj, kemi kapur standardin. Edhe pas arritjes së këtij objektivi, ne do të luftojmë me çdo kusht për cilësinë në arsim. Ndaj fillimisht u përqendruam tek mësuesit. Ne donin që mësuesit të trajtoheshin me dinjitetin që u takon për misionin që kryejnë. Ne rritëm pagat e 44 mijë mësuesve dhe në datën 1 maj çdo mësues i këtij vendi merr një pagë dy herë më të madhe, sesa merrte më 1 maj të vitit 2005,” u shpreh Kryeministri.
I pyetur nga nxënësit në lidhje me zhvillimin e shkollave profesionale, Kryeministri Berisha u përgjigje se “ky është një problem serioz për vendin. Në pamje të parë të duket i parëndësishëm, por, në fakt, është shumë thelbësor. Ne duhet të arrijmë t’ju qartësojmë se përveç shkollës është mirë të keni një profesion që të jep mundësi të punësohesh. Ne jemi vend i lirë dhe sot, mund edhe të punosh nëse ke një profesion, edhe të studiosh. Por nuk po bëhet ende sa duhet për t’u qartësuar fëmijët, e klasave të 5-a, 6-a e 7-a, që shkolla profesionale është një variant shumë pozitiv dhe dinjitoz. Një punë të mirë në këtë drejtim po bën Korça. Ata e kanë krijuar këtë bindje tek nxënësit që në klasë të 5-të dhe, në fakt, përqindja e arsimit të mesor profesional në Korçë në raport me arsimin e mesëm të përgjithshëm, ka arritur në 28 përqind. Në Europë kjo përqindje është 40-50 përqind. Ndërsa në shkallë vendi, ne e kemi të ulët këtë përqindje, 22 përqind. Kjo do të thotë se kemi qytete të tëra, ku përqindja e këtij arsimi është e ulët. Kjo do të jetë edhe sfida jonë për 4 vitet që vijnë.”
Më pas, në takimin me stafin pedagogjik të shkollës, Kryeministri Berisha siguroi se arsimi është prioritet i pandryshueshëm i qeverisë. “Në asnjë sektor, nuk u angazhuam të dyfishojmë buxhetin, si në arsim. Të dyfishosh buxhetin në 4 vjet është jashtëzakonisht e vështirë, por ne e bëmë dhe do të ecim edhe më tej. Këtë do ta bëjmë bashkërisht me mendimet dhe opinionet tuaja. Nuk ka sektor më jetik për një vend e një komb, sesa arsimi,” u shpreh Kryeministri.
Mësuesit i shprehën Kryeministrit mirënjohjen për mbështetjen që qeveria e kryesuar prej tij ka dëshmuar ndaj tyre dhe arsimit në përgjithësi. Ata shprehën falënderimet për ngritjen e një shkolle të standardeve moderne, me mjedise bashkëkohore të mësimdhënies, duke e cilësuar një investim madhor për fëmijët e kësaj komune.
Kryeministri Berisha, duke i falënderuar përzemërsisht për përkushtimin e tyre në përmbushjen e misionit të tyre fisnik, u shpreh se qeveria ka si parim të saj të synojë më tej dhe të mos kënaqet vetëm me atë që është arritur. “Ky motiv është shumë e rëndësishme. Edhe Niçe thotë se njeriu duhet të tejkalojë çdo ditë veten e tij dhe nuk ka motiv më të fuqishëm. I motivuar në këtë mënyrë, njeriu nuk rri aty ku është, por sheh që të nesërmen ta ketë më të mirë,” u shpreh Kryeministri.
Arsimimi i shoqërisë, tha më tej Kryeministri, është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi nuk ka levë më të rëndësishme për të luftuar varfërinë, sesa arsimi. “Nuk ka rrugë më të sigurt për të zhvilluar qytetarinë dhe përgjegjësinë qytetare, sesa arsimi. Ne kemi nevojë për këto, sepse ne kemi qenë një shoqëri me shumë halle, ndonëse sërish kemi, por po ecim drejt një horizonti krejtësisht të ndryshuar. Ne kemi shumë besim tek ju dhe tek roli juaj në këtë proces.”
Kryeministri Berisha kërkoi që një rëndësi e veçantë t’i kushtohet edhe moshës dixhitale, shfrytëzimit të internetit, librarisë virtuale. “Ne, - tha Kryeministri - u përqendruam tek informatika dhe ngritëm kabinetet e informatikës. Mësimi dixhital, ilustrimi i eksperimenteve, i mësimit, i hipotezave si në kimi, fizikë etj., me standarde që janë të përbashkëta për të gjitha shkollat, e bën për nxënësit më të lehtë dhe më të shpejtë kuptimin e tyre. Ne duhet të lartësohemi gjithnjë e më shumë në këtë drejtim. Ne do t’ua çojmë fëmijëve internetin edhe në shtëpi. Ne do të përpiqemi që edhe pensionistët të përdorin internetin. Ju duhet të fuqizoni kabinetin e informatikës, të grishni komunitetin dhe t’i jepni mundësi për komunikim elektronik çdokujt që nuk ka kompjuter në shtëpi.”
25/04/2009