Kryeministri Berisha: Reformat e qeverisë sime kanë nxjerrë nga varfëria 200 mijë shqiptarë, në 4 vjet
- Kryeministri Berisha inauguron dy shkolla të reja në Kashar, investime me vlerë rreth 1.7 milion euro
Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite, një vizitë në komunën e Kasharit, gjatë së cilës inauguroi përfundimin e dy shkollave të reja, shkollës së re 9-vjeçare në fshatin Kashar Qendër dhe shkollën e mesme “Sadik Stavaleci” në fshatin katund i Ri, të komunës Kashar. Ndërtimi i dy shkollave të reja u realizua nga buxheti i shtetit, me një investim me vlerë rreth 1.7 milion euro. Dy shkollat e reja, me rreth 1700 nxënës, janë të pajisura me mjedise moderne të mësimdhënies, me laboratorë të ndryshëm mësimorë, kabinete informatike, palestër dhe terrene sportive.
Pasi vizitoi ambientet mësimore, Kryeministri Berisha tha në 4 vjet, arsimi ka pësuar një transformim rrënjësor, në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve, janë ndërtuar të reja ose rindërtuar 1012 shkolla, më shumë se gjysma e shkollave të vendit dhe premtoi se gjatë 4 viteve të ardhshme, do të ndërtohen ose rindërtohen të gjitha shkollat kanë mbetur. “Fëmijët shqiptarë, - tha Kryeministri - do të mësojnë në shkolla moderne evropiane.”
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për rezultatet e publikuara nga studimi më i fundit mbi varfërinë, sipas të cilit, brenda viteve 2005-2008, varfëria në vend është ulur nga 18 përqind në 12 përqind.
“Kjo qeveri ia doli të nxjerrë nga skamja e varfëria, para së gjithash, duke rritur pagat e pensionet dhe duke krijuar vende të reja pune, jo 10-20 apo 60mijë, por 200 mijë shqiptarë. Unë ju garantoj se me këto investime që kemi bërë, në 4 vitet që vijnë, jo 200 mijë, por, së paku, edhe 300 mijë që kanë mbetur do t’i nxjerrim nga varfëria,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi tepër pozitiv edhe përfundimin e këtij studimi, sipas të cilit, të ardhurat për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në Shqipëri dhe në botë dhe shpenzimet për to, në tre vjet, janë rritur 57 përqind. “Kurrë ndonjëherë më parë, - tha Kryeministri - nuk kemi investuar për të ardhmen, sa ç’kemi investuar në këto tre vjet.”
Kryeministri Berisha u shpreh se mazhoranca do të përdorë të gjithë mbështetjen që Kashari të shpallet bashki, sepse i plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë.
Në përshëndetjen tij në shkollën 9vjeçare në Kashar Qendër, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, ju uroj me gjithë zemër shkollën e re madhështore që keni ngritur këtu, në Kashar, për fëmijët tuaj. Shkolla 9-vjeçare e Kasharit është një investim prej rreth 1 milion euro dhe është e pajisur me të gjithë teknologjinë dhe kushtet më optimal për mësimin e fëmijëve të kësaj zone.
Ne kemi kënaqësi të veçantë të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në këtë vend, në mënyrë që fëmijët dhe vogëlushët tanë, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat të shkojnë në shkolla të reja. Shkolla është shtëpia e dytë e fëmijëve tanë. Le të bëjmë sakrifica për t’i bërë ata me shtëpi të re.
Unë dua t’ju informoj se në këto 4 vite, ne kemi ndërtuar nga themelet ose kemi rindërtuar 1012 shkolla. Ne kemi rindërtuar nga themelet ose kemi rindërtuar më shumë se gjysmën e shkollave të vendit. Dua t’ju premtoj se gjatë 4 viteve që vijnë të gjitha shkollat e tjera që kanë mbetur ose do të ngrihen nga themelet, ose do të rindërtohen plotësisht. Fëmijët shqiptarë do të mësojnë në shkolla moderne evropiane.
Këto 4 vite ne kemi bërë një transformim rrënjësor të arsimit në Shqipëri. Kudo që shkoj, unë takon mësuesit e mësueset tona, i vështroj ata drejt në sy dhe shoh optimizëm, gëzim e kënaqësi në fytyrat e tyre, sepse ata e shohin përpjekjen e madhe të qeverisë për t’i vendosur në piedestalin që meritojnë mësuesit dhe nxënësit.
Të dashur mësuese dhe mësues të Kasharit dhe mbarë Shqipërisë,
Një maji po vjen dhe është dita kur ne dyfishojmë pagat tuaja. Ne mbajmë një premtim solemn para fëmijëve tanë, para jush dhe para të gjithë shqiptarëve. Por më 1 maj, nuk dyfishohen vetëm pagat e mësuesve, më 1 maj dyfishohen rrogat e të gjithë nënave e baballarëve tanë në Kashar e mbarë vendin, dyfishohen pensionet e të gjithë atyre që shkrinë mundin, djersën, mendjen dhe muskujt në kooperativat bujqësore dhe fermat. Më 1 maj e tutje, ata do të marrin dy herë më shumë sesa merrnin në vitin 2005. Më 1 maj, infermieret e mjekët e vendit do të marrin dy herë më shumë, sesa merrnin në 2005. Më 1 maj, pensionistët e Shqipërisë në qytete, do të marrin 48 deri në 70 për qind më shumë, sesa merrnin në 2005.
Këto ditë, u botua një studim, i cili jepet dy lajmet ndër më të gëzueshmet për çdo shqiptar. Lajmi i parë që kjo qeveri, brenda tre viteve 2005-2008, ia kishte dalë të ulë varfërinë në vend nga 18 përqind në 12 përqind, se kjo qeveri ia doli të nxjerrë nga skamja e varfëria, para së gjithash, duke rritur pagat e pensionet dhe duke krijuar vende të reja pune, jo 10-20 apo 60mijë, por 200 mijë shqiptarë. Unë ju garantoj se me këto investime që kemi bërë, në 4 vitet që vijnë, jo 200 mijë, por, së paku, edhe 300 mijë që kanë mbetur do t’i nxjerrim nga varfëria. Së dyti, ky studim kishte një lajm tjetër jashtëzakonisht të gëzueshëm, se për herë të parë, ne, shqiptarëve, na kanë tepruar jo pak lekë, pasi kemi siguruar ushqimin. Për herë të parë, në tërë ekzistencën tonë.
Çfarë kemi bërë ne me këto lekë? Më shumë se çdo gjë tjetër, çdo familje shqiptare ka investuar për fëmijët e vet. Të ardhurat për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në Shqipëri dhe në botë, shpenzimet për to, sipër këtij studimi në tre vjet janë rritur 57 përqind. Kurrë ndonjëherë më parë, nuk kemi investuar për të ardhmen, sa ç’kemi investuar në këto tre vjet.
Sot, ne inaugurojmë këtë shkollë, gëzojmë këtë ditë, gëzohemi për këta fëmijë, ndoshta më të qetë e të sigur se kurrë në jetën dhe historinë tonë, sepse sot, ne kemi miq më shumë se kurrë. Sot, ne jemi aletaë të kombeve më të fuqishme të botës. Sot, ne kemi mbështetjen dhe simpatinë e burrave më të fuqishëm të planetit. Sot, ne kemi të qartë rrugën që ndjekim. Ndaj ju bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin që kemi nisur. Të gjithë atyre, të cilët binden se Shqipëria, këto 4 vite, ka ndryshuar më shumë, për të gjithë ata që binden se anëtarësimi në NATO është ndryshim historik, të gjithë atyre që binden se investimet në arsim, infrastrukturë janë më të mëdha se në tërë historinë tonë, të gjithë atyre që binden se dyfishimi i rrogave, pensioneve përbën një ndryshim shumë të madh në jetën e shqiptarëve, të gjithë atyre që binden se kjo qeveri i ktheu Shqipërisë emrin e mirë, sigurinë, zhduku bandat, vendosi rendin dhe lufton me vendosmëri korrupsionin, këtyre ne u kërkojmë votën, të vazhdojmë këtë ndryshim të thellë e të madh që kemi nisur. Vota për mandatin e dytë është votë për pensionet tuaja, është votë për fëmijët tuaja, për shkollat e tyre, për mësuesit e fëmijëve tuaj, është votë për infrastrukturën tuaj. Ne do do të inaugurojmë edhe shkollën tjetër dhe në të dyja këto shkolla së bashku, 1700 nxënës të kësaj zone hyjnë në shkolla të reja. T’i gëzojnë, sepse i meritojnë!
Të dashur qytetarë të Kasharit,
Kam kënaqësi t’ju informoj se kjo mazhorancë do të përdorë të gjithë mbështetjen e vet për t’ju shpallur juve bashki, pasi ju e meritoni plotësisht. Kashari do të shpallet bashki, sepse këtu keni një zonë të urbanizuar më mirë se çdo lagje e Tiranës, Kashari do të shpallet bashki, sepse numëron mbi 2 mijë biznese, do të shpallet bashki, sepse inauguron dy shkolla të mesme, Kashari do të shpallet bashki sepse i plotëson të gjitha kushtet për të qenë e tillë.”
25/04/2009