Kryeministri Berisha: Ne jemi komb që duhet të mësojmë për të ndërtuar të ardhmen, por duke njohur dhe atë që përjetuam
- Qeveria shqyrton disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
- Nderimi i kujtesës kombëtare është i domosdoshëm
Kryeministri Berisha u ndal sot, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, në shqyrtimin e amendimit të ri të Ligjit “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Kryeministri u shpreh se me këtë amendim zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë, duke qenë se në ligjin ekzistues është bërë një interpretim jo korrekt i veprave për të cilën janë dënuar gjatë diktaturës, kundërshtarët regjimit. “Janë etiketuar për vepra që nuk i kanë kryer kurrë, janë trilluar shpifje, akuza ndër më monstruozet vetëm e vetëm për të konsoliduar mekanizmin shtypës mbi qytetarët e këtij vendi. Dokumentet autentike faktojnë platformën e pohuar me gojën e diktatorit dhe shkrimin e tij, platformën e eliminimit të kundërshtarëve politikë pa gjyq dhe pa asgjë, platformën e zbatimit verbërisht të çdo urdhri, të armiqve të betuar të kombit shqiptar që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare”, u shpreh kryeministri.
Duke e vlerësuar këtë një proces të mirëpritur, Kryeministri theksoi, në mënyrën më të padiskutueshme se e drejta duhet të mbizotërojë. “Nuk bëhet fjalë këtu për të zbutur asnjë qëndrim ndaj kolaboracionistëve. Kolaboracionizmi ka marrë ndëshkim botëror, por bëhet fjalë për ata të cilët u ekzekutuan për bindje të drejta politike, për qëndrime të qarta kombëtare, ndaj dhe duhet ditur që ky ligj është një ligj që do të ketë dinamizmin e domosdoshëm.” tha kryeministri
Kryeministri bëri të ditur se ligji ndryshon gjithashtu dhe një rregull për ata që janë mbi 85 vjeç, duke mbajtur një qëndrim tjetër në kohën për dëmshpërblimin e tyre.
Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Kulturës që të sjellë sa më shpejtë ne qeveri vendimin për ngritjen e muzeut në Spaç. “Spaçi duhet të rindërtohet, të simbolizojë që të gjithë egërsinë e diktaturës. Ne nuk mund të shkojmë drejt 100 vjetorit pa ridimensionuar, siç ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Kujtesa kombëtare është e domosdoshme, vendosja e kujtesës, nderimi është i domosdoshëm.” u shpreh kryeministri
Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:
Një ndër çështjet që do të shqyrtojmë sot është amendimi ri i ligjit “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist” Më këtë amendim zgjerohet spektri i atyre që përfitojnë, pasi në ligjin ekzistues është bërë një interpretim jo korrekt i veprave për të cilën janë dënuar gjatë diktaturës, kundërshtarët e regjimit. Janë etiketuar për vepra që nuk i kanë kryer kurrë, janë trilluar shpifje, akuza ndër më monstruozet vetëm e vetëm për të konsoliduar mekanizmin shtypës mbi qytetarët e këtij vendi.
Është një proces i mirëpritur dhe e drejta duhet në të gjitha rastet të ngadhënjejë. Dokumentet autentike faktojnë platformën e pohuar me gojën e diktatorit dhe shkrimin e tij, platformën e eliminimit të kundërshtarëve politikë pa gjyq dhe pa asgjë, platformën e zbatimit verbërisht të çdo urdhri, të armiqve të betuar të kombit shqiptar që themeluan Partinë Komuniste Shqiptare, serbëve Mugosha, Popovic, Tempo. Ndaj dhe bazuar në histori, në mënyrën më të padiskutueshme, e drejta duhet të mbizotërojë.
Nuk bëhet fjalë këtu për të zbutur asnjë qëndrim ndaj kolaboracionistëve. Kolaboracionizmi ka marrë ndëshkim botëror, por bëhet fjalë për ata, të cilët u ekzekutuan për bindje të drejta politike, për qëndrime të qarta kombëtare, ndaj dhe duhet ditur që ky ligj është një ligj që do të ketë dinamizmin e domosdoshëm.
Historia nuk ka folur, është tragjike se edhe pas 20 vitesh historia nuk ka zbardhur të vërtetën tragjike që pësoi ky popull në mënyrën më të pamerituar, por edhe në mënyrën më mizore. Po të marrësh diktatorin, që të gjitha këto diktatura që bien njëra pas tjetrës, ju garantoj se këta mizorë, secili prej tyre nuk është gjë tjetër, veçse një nxënës i keq i Hitlerit shqiptar të pasluftës. Kjo është e vërteta, ndaj dhe në të gjithë këtë, për Enver Hoxhën tragjike është se ka një histori të tërë të shpifur, të trilluar në funksion të kultit të tij dhe ende shqiptarët dhe bota nuk ka veprat e barbarive të tij.
Ky është realiteti. Kështu është dhe historia, shumë e cunguar. Njeriu që ndërtoi shtetin prapë mbetet i skajuar. Ai është Mbreti Zog. Përse mbetet i skajuar sepse në propagandën e tij, diktatori vendosi një mal shpifjesh mbi sundimin e tij. E vërteta është që në histori i pari ndërtoi shtet dhe histori dhe nuk e bazoi atë në luftën e klasave, ndërtoi një shtet, në një kohë kur elementet aventurierë, të cilët donin me pyka dhe qyta të përmbysnin çdo javë një qeveri, nuk ishin të pakët, por ai ndërtoi shtetin. Vendosi ligjin. Një gjë është e sigurtë dhe historia do të dale siç është. Nuk është kurrë historia dhe nuk ka qenë kurrë vetëm me të mira, vetëm me lavdira. Historia është histori dritëhijesh, por u ndala në këtë moment sepse e konsideroj shumë të drejtë propozimin që ka bërë Ministria e Drejtësisë për amendimin e këtij ligji.
Ministria e Kulturës duhet të sjellë sa më shpejtë ne qeveri vendimin për ngritjen e muzeut në Spaç. Spaçi duhet të rindërtohet, të simbolizojë që të gjithë egërsinë e diktaturës. Ne nuk mund të shkojmë drejt 100 vjetorit pa ridimensionuar, sic ishte historia jonë, pa qëllime hakmarrëse. Në Shqipëri nuk pati hakmarrje. Ju e shihni Çian Çini shqiptar jep intervista kundër qeverisë. Kjo është e vërteta. Nuk ka patur dhe nuk ka këtu tendenca, por kujtesa kombëtare është e domosdoshme, vendosja e kujtesës, nderimi është i domosdoshëm. Ne jemi komb që duhet të mësojmë për të ndërtuar të ardhmen, por duke njohur dhe atë që përjetuam. Ky ligj ndryshon gjithashtu dhe një rregull për ata që janë mbi 85 vjec mbahet një qëndrim tjetër në kohën për dëmshpërblimin e tyre. Pra unë e konsideroj një ligj shumë të rëndësiëhm dhe shumë të drejtë.
31/08/2011