Kryeministri Berisha: Kontroll rigoroz mbi kimikatet e çdo natyre që shiten për përdorim bujqësor apo blegtoral në territorin e Shqipërisë
Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për përcaktimin e kërkesave të hollësishme për plehrat me bazë nitrat amoni, me përmbajtje mbi 28 për qind azot.”
Duke vlerësuar ndryshimet e mëdha pozitive që kanë pësuar institucionet e sektorit bujqësor, Kryeministri theksoi se ato kanë ndikuar fuqishëm dhe pozitivisht në zhvillimin e bujqësisë në tërësi. “Janë konsoliduar disa drejtime kryesore të punës në këtë sektor. E vërteta është se prodhimi bujqësor është një nga ato prodhime që pëson gjithnjë një rritje edhe më të madhe. Vitin e kaluar eksportet u dyfishuan. Projektet e mëdha kombëtare ai i ullirit, arrorëve , por ecin dhe gjithnjë e më shumë po marrin përmasa të mëdha.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi se është e një rëndësie të jashtëzakonshme kontrolli rigoroz mbi çdo kimikat të çdo natyre që shitet për përdorim bujqësor apo blegtoral në territorin e Shqipërisë, duke konstatuar se në këtë sektor jetik për vendin janë të shpeshta rastet kur këto produkte gjenden jashtë standardeve. “Tregtimi i tyre në farmaci duhet të ketë një kontroll rigoroz pasi blerësit pasi i marrin konstatojnë se ato janë të skaduara. Efektet e tyre dihet që janë polivalente , ndaj dhe njësitë e kontrollit të tyre duhet të pajisen me çdo mjet , me çdo laborator dhe të funksionojnë me përgjegjësinë maksimale. Tregtia është tregti, por standardet dhe kriteret duhet të zbatohen maksimalisht.” tha kryeministri.
Më gjerë për këtë çështje, Kryeministri u shpreh:
Kemi sot edhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, i cili është “Përcaktimi ikërkesave të hollësishme për plehrat me nitrat amoni, me përmbajtje mbi 28 % azot, që vjen nga ministria e bujqësisë, ushqimit dhe mbrojtjes së konsumatorit. Ndryshimet e mëdha që kanë pësuar institucionet e këtij sektori kanë qene pozitive, kanë ndikuar fuqishëm në një trem shumë të rëndësishëm dhe pozitiv, në zhvillimin e bujqësisë në tërësi, të blegtorisë. Janë konsoliduar disa drejtime kryesore të punës në këtë sektor. E vërteta është se prodhimi bujqësor është një nga ato prodhime që pëson gjithnjë një rritje edhe më të madhe. Vitin e kaluar eksportet u dyfishuan. Projektet e mëdha kombëtare, ai i ullirit, arrorëv , po ecin dhe gjithnjë e më shumë, po marrin përmasa të mëdha.
E një rëndësie të jashtëzakonshme, zoti Ministër, është kontrolli rigoroz mbi çdo kimikat të çdo natyre që shitet për përdorim bujqësor apo blegtoral, në territorin e Shqipërisë. Institucionet tona duhet të kenë një nga drejtimet më të rëndësishme, më themelore të punës së tyre, kontrollin e të gjitha kimikateve. Në këtë sektor jetik për vendin janë të shpeshta rastet që këto gjenden jashtë standardeve. Tregtimi i tyre në farmaci duhet të ketë një kontroll rigoroz, pasi blerësit pasi i marrin konstatojnë se ato janë të skaduara. Efektet e tyre dihet që janë polivalente, ndaj dhe njësitë e kontrollit të tyre duhet të pajisen me çdo mjet, me çdo laborator dhe të funksionojnë me përgjegjësinë maksimale. Tregtia është tregti, por standardet dhe kriteret duhet të zbatohen maksimalisht. Përdorimi i tyre vjen duke u zgjeruar. E vërteta është se prodhimi bujqësor po njeh gjithnjë rritje më të mëdha dhe do të vazhdojë të njohë. Po ndalemi tek ulliri. Faktikisht sot, Shqipëria ka dy herë më shumë dru frutorë ulliri, seç kishte tre apo katër vjet më parë. Këto janë varietete të cilat në tërësi hynë në prodhim shumë shpejt. Pra ky është një realitet që ndryshon me shpejtësi, por ne nuk duhet të injorojmë kontrollet më rigoroze në të gjitha kimikatet, qofshin ato hormone, medikamente, pesticidë, innsketicidë, cfarëdo që të jetë. Duhet që ti ndihmojmë, ti asistojmë fermerëve. Një rishqyrtim tërësor i këtij rrjeti është shumë i domosdoshëm.
31/08/2011