E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vite që vijnë, Kamza do të jetë një nga bashkitë më të zhvilluara të vendit

Po sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarë të Kamzës.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

“Vëllezër e motra,

Zonja e zotërinj,

Mirëmbrëma,

sot vij me kënaqësi tek ju, në këtë fushatë elektorale, pasi kemi, me punë të përbashkët, shndërruar në realitet premtimet e mëdha të katër viteve më parë. Së pari, takohemi këtu si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Së dyti, këto katër vite në bashkinë tuaj janë investuar 24 herë më shumë se katër vitet e mëparshme të qeverisë socialiste. Në katër vite, në bashkinë e Kamzës janë investuar rreth 6.5 miliard lekë, janë ndërtuar me dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë, është ripërtërirë tërësisht sistemi energjetik, janë ndërtuar shkolla dy herë më shumë se në bashkinë e Tiranës, janë ndërtuar 7 shkolla të reja dhe janë meremetuar 8 të tjera. Kamza ka modernizuar shërbimet ndaj jush.

Unë vij sot për t’ju garantuar ju se në katër vitet që vijnë, këto investime do të shumëfishohen dhe se Kamza do të jetë një nga bashkitë më të zhvilluara të vendit.

Këto katër vite, ne dyfishuam pensionet për të gjithë fermerët shqiptarë, ne i rritëm ato 50 deri në 70 për qind për pensionistët e tjerë. Këto katër vite, dyfishuam rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë çdo pensionist shqiptarë do të paguhet më mirë, se pensionistët e 6 vendeve anëtare të BE-së.

Konsolidimi dhe modernizimi i infrastrukturës suaj është zotimi im solemn, si dhe finalizimi i legalizimit dhe shpejtimi i procesit. Vëllezër e motra, armiqtë e legalizimit, që janë gjithmonë në krye të Partisë Socialiste, bënë çdo gjë që të minonin ligjin e legalizimit, por ata dështuan. Dy ditë më parë, qeveria ime vendosi të hapë tregun e letrave me vlerë për çështjen e legalizimeve. Dua t’ju informoj gjithashtu se edhe dorën e rënduar mbi taksën e infrastrukturës nuk kam ndërmend ta duroj. Unë do të jem në anën tuaj.

Katër vitet që vijnë, janë vitet, gjatë të cilave ne, së bashku, do të ndërtojmë Kamzën europiane, Shqipërinë evropiane. Kamza europiane, Shqipëria europiane do të thotë para së gjithash shqiptarët në punë. Ndaj vij sot tek ju për të kërkuar votën tuaj në mënyrë që së bashku të krijojmë 160 mijë vende pune të reja, në katër vitet që vijnë. Janë të kontraktuara investimet prej 5.6 miliard euro në mbi 104 hidrocentrale, në porte gjigande që punësojnë 30 deri në 40 mijë qytetarë, po hapim 6 parqe industriale në vend, ku do të punësohen dhjetëra e mijëra të tjerë.

Këto zgjedhje janë zgjedhje për ëndrrën tonë më të bukur, për ëndrrën tonë europiane. Ne që shndërruam në realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve dhe anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne do të shndërrojmë në realitet edhe ëndrrën europiane, do të anëtarësohemi në BE.

Jam sot këtu për t’ju dhënë ju fjalën se brenda vitit të parë të mandatit të dytë ju do të lëvizni të lirë pa viza në mbarë Europën.

Të dashur qytetare e qytetarë të Kamzës,

28 qershori po afron. Unë kam një thirrje vëllazërore për të gjithë socialistët e Kamzës, bashkuhuni me ne, sepse ju me Sali Berishën ju bashkon dashuria për Shqipërinë, me Sali Berishën ju bashkon anëtarësimi në NATO, me Sali Berishën ju bashkojnë investimet e pamata në Kamzë, me Sali Berishën ju bashkon ëndrra europiane që do të bëhet realitet. Le ta lëmë Edi Ramën me 99-shat e tij, se përveç tyre, që i përdor si sekserë për lejet e ndërtimit, nuk do njeri.

Ne ju duam juve. Ndaj më 28 qershor, pavarësisht nga bindjet politike, bashkohuni me ne. Projekti europian nuk është projekt partiak, por është projekt i identitetit tonë kombëtar, është projekt i mirëqenies sonë, i dinjitetit dhe i zhvillimit tonë.

Edhe një herë ju bëj thirrje të merrni të gjithë letërnjoftimet e reja. Ju ftoj të gjithë ju që jeni në këtë shesh të trokisni në derën e çdo miku, ta verifikoni në e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri, dëshminë më moderne të identitetit tonë, ti marrim ato për të barazuar veten me qytetarin e vendeve më të zhvilluara, ti marrim ato sepse kanë me dhjetëra e dhjetëra përdorime dhe ju do të jeni dëshmitarë të kësaj. Por ti marrim ato edhe për të votuar me një dokument modern, për t’i treguar Europës dhe botës se kush janë dokumentet tona, ja sa të përkushtuar jemi ne për zgjedhje të lira.

Më 28 qershor në Kamzë dhe në Shqipëri janë me qindra e qindra vëzhgues të huaj zgjedhjesh që vijnë nga dhjetëra e dhjetëra vende mike. Është në nderin e dinjitetin tonë t’u dëshmojmë atyre maturinë, pjekurinë, zhvillimin dhe qytetërimin tonë demokratik.

Duke ju dhënë juve fjalën se do të financoj çdo projekt të kësaj bashkie, ju ftoj ët votoni vetën 10-ën. 10-ta jeni ju, 10-ta është Kamza, 10-ta është Partia Demokratike. 10-ta është Shqipëria. 10-ta është Europa.

Edhe një herë fitore!

Rroftë Shqipëria!”


13/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›