E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Demokratë, të pa parti, socialistë dhe të të gjitha bindjeve ju bëj thirrje të bashkoheni me ne për një Tiranë europiane.

Kryeministri Berisha takoi sot në mbrëmje qytetarë të Kombinatit. Në fjalën e tij Kryeministri u shpreh:

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kombinatit,
Vëllezër e motra,
Zonja dhe zotërinj mirëmbrëma,

Së pari dua të përulem me nderim të madh përpara jush për mbështetjen e jashtëzakonshme që i dhatë Partisë Demokratike katër vite më parë. Të shpreh kënaqësinë që kjo mbështetje, ky besim, kjo votë u shndërrua në realizimin e njërit prej projekteve më madhore të të gjitha kohërave tona dhe të kombit shqiptar, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kjo mbështetje u shndërrua në lartësimin e emrit të Shqipërisë më shumë se kurrë në historinë e saj. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Shqipëria, është vendi që ka aplikuar për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian. Shqipëria, është vendi që me gjithë problematikën e saj,por në kohën e krizës më të rëndë botërore qëndron në krye të rritjes ekonomike. Është vendi që në katër vite u rendit i dyti në botë për klimën e biznesit, më i miri në rajon, në dhjetëshen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Por, mbi të gjitha, Shqipëria këto katër vite ia doli me reforma të thella, të shtohet në vendin lider për investime të huaja, të dyfishojë rroga e pensione, të nxjerrë 400 mijë shqiptarë nga varfëria.

Sot jam këtu tek ju për të kërkuar besimin tuaj, votën tuaj për një mandat të dytë. Ua kërkoj këtë votë jo për ato që realizuam në mandatin e parë, por për horizontin e ri që sëbashku do të kapim në mandatin e dytë, 2009-2013. Ju ftoj të bashkohemi për të vazhduar ndryshimin, për të realizuar brenda vitit të parë të mandatit të dytë lëvizjen e lirë të shqiptarëve pa viza në mbarë Europën. Ju bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin për të bërë Shqipërinë vendin e infrastrukturës rrugore më moderne ne rajon dhe në Europë. Për të furnizuar shqiptarët 24 orë me ujë kudo që ndodhen, për të mbështetur biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave tona rurale. Ju ftoj ju të vazhdojmë ndryshimin për të punësuar shqiptarët, puna dhe punësimi do të jenë kryefjalë e mandatit tim të dytë.

Vetëm 6 muajt e fundit ne kemi firmosur e kanw nisur e do tw nisin punimet në sipërmarrje gjigande, një investim  prej 5.6 miliardë euro. Vetëm hidrocentralet që kanë nisur të ndërtohen dhe do të ndërtohen, do të mund të punësohen mbi 60 mijë qytetarë shqiptarë. Në 6 parqet e mëdha industriale të vendit do të krijohen mbi 40 mijë vende pune. Dhjetëra mijëra vende pune të tjera do të krijohen me ndërtimin e porteve gjigande, aeroporteve, boshteve më të shkurtra, rrugëve të vendit, ujësjellësave e kanalizimeve.  Por, gjenerator kryesor i punësimit është dhe do të mbetet biznesi. Ne që e bëmë Shqipërinë vendin me taksat më të ulëta në Europë, ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin më të suksesshëm për biznesin në Europë.

Qytetare dhe qytetarë të Kombinatit,

Demokratë, të pa parti, socialistë dhe të të gjitha bindjeve, ju bëj një thirrje vëllazërore: bashkohuni me ne në projektin tonë të madh, të Tiranës europiane, të Shqipërisë europiane. 

Bashkohuni me ne sepse ky projekt nuk është thjeshtë çështje e një partie, ky projekt është projekti i shpirtit, mendjes dhe zemrës të çdo shqiptari. Si projekti më i bukur për begatinë e tij, për punësimin e tij, për shkollimin e fëmijëve të tij, për punësimin e fëmijëve të ij, për shërbimet shëndetësore, për infrastrukturën moderne.

Socialistë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë mendoni për një moment, cfarë ju lidh juve me Edi Ramën. Asgjë nuk ju bashkon. Ai nuk ju do ju, ai do nëntëdhjetë e nëntëshat e tij, me të cilët bën pazaret e fëlliqura të lejeve të ndërtimit.

Kurse me Sali Berishën ju lidh projekti europian, ju lidhin rrogat e pensionet më të larta se 6 vende të tjera të Bashkimit Europian, ju lidh krijimi i 160 mijë vendeve të punës, ju lidh lëvizja e lirë brenda vitit të parë, ju lidh besimi i madh që ka Europa dhe bota tek Sali Berisha dhe tek Partia Demokratike.

Ju, demokratë, socialistë dhe qytetarë të të gjitha prirjeve me Sali Berishën ju lidhin interesa jetike të zhvillimit të biznesit në Shqipëri. Këto katër vite kanë qenë vite të pothuajse dyfishimit të ardhurave për frymë në këtë vend.

Ktheni sytë tek Edi Rama dhe mendoni pse nuk del në krye të listës tuaj, të dashur socialistë Ka frikë nga Tirana. E di se Tirana do të jetë fundi i tij politikë, e di se Tirana do t’i jap duart njëherë e përgithmonë njeriut që mban peng planin e rregullimi të kryeqytetit vetëm e vetëm për tu prerë gjoba pronarëve të Tiranës. Njeriu që e ka shndërruar kryesinë aktuale të Partisë Socialiste në nëntëdhjetë e nëntësha dhe Shpk. Njeriu që nga 500 leje ndërtimi, 70% i merr për vete me eftimët dhe shkrelët e tij. Njeriu që nuk dorëzon projektin për ndërtimin e unazës së madhe, por e konsideron si plackën e oborrit të tij. 

Çfarë ju lidh ju, qytetare dhe qytetarë të Tiranës me njeriun që ka vendosur Tiranën në klubin e katër vendeve më të korruptuara të planetit për lejet e ndërtimit. Cfarë ju lidh ju qytetarë të Tiranës me njeriun që nuk vë dot veten në listë për tu provuar sërish përpara jush. Vëje zoti Rama veten në listë, nëqoftëse fiton jep prapë po deshe dorëheqjen dhe bëhu kryetar bashkie, ose sille ligjin dhe po të votojmë, sille të ndryshojmë ligjin. Po e di ti se kur votoi ty Tirana, votoi Nehat Kullën, votoi lepujt e tu që të vijnë mbrapa.  Kur votoi ty Tirana votoi Koço Kokdhimën, që merr sëbashku me ty të gjitha tenderat e kryeqytetit. S’të voton ty Tirana, s’të voton ty Shqipëria, prandaj nuk del në listë ti.

Qytetarë dhe qytetare të kombinatit,

Edi Rama festoi dje 18 vjetorin apo 70 vjetorin e partisë së tij. E vërteta historike është se ajo parti 18 vjet më parë, parti e krimeve më monstruoze, ndërroi vetëm emrin. Por e vërteta tjetër është se ne këto 18 vjet ajo parti ia doli të anëtarësohet në internacionalen socialiste. Kurse që kur e morri Edi Rama dhe e shndërroi në klubin e nëntëdhjetë e nëntshave, partia e tij voton kundër çdo ligji sepse do të shkuarën. Partia e tij voton kundër rritjes së rrogave, kundër rritjes së pensioneve, voton kundër aplikimit  për vend anëtar në Bashkimin Europian, voton kundër gjykatës kushtetuese. Por nuk sjell në Këshillin e Rregullimit të Territorit planin e rregullimit urbanisitik të Tiranës. Pra nuk kishte përvjetor më të trishtë që mund të bënte një parti.

Edhe njëherë socialistë të të gjithë Shqipërisë bashkohuni me ne, për ëndrrën tonë shqiptare dhe dashurinë tonë për Shqipërinë, dashurinë për njëri tjetrin, për fëmijët tanë, në takimin tonë me Europën, me të ardhmen.

28 qershori është dita e madhe, është 22 marsi i dytë. Ndaj dhe ne do të marrim të gjithtë pjesë në votime. I bëj thirrje të gjithë atyre që nuk kanë marrë akoma letërnjoftimet ti marrin ato, si dëshmi e vullnetit tonë të hekurt për të patur dokumentat më moderne të identitetit, për t’u barazuar me qytetarët e vendeve më të zhvilluara, por edhe për të votuar me dinjitetin më të madh, në liri të plotë për t’u bashkuar me Europën ashtu siç e meritojmë.

Qytetare dhe qytetarë të Kombinatit,

Tre ditë më parë, në përputhje me premtimin tim u riktheva në treg letrat me vlerë. Ky vendim është një dëshmi tjetër për ata që besojnë tek ne se do të zhgënjehen kurrë. Janë këtu në Kombinat disa qindra familje, t’i gëzojnë banesat e tyre, Sali Berisha do t’i privatizojë. Asgjë nuk më pengon pa kompletuar privatizimin e tyre.

Në 28 qershor të gjithë votoni 10-ën, keni votuar vetveten, 10-a jeni ju, 10-a është më e mira, më i miri, 10-a është fitorja, 10-a është Shqipëria, 10-a është Partia Demokratike, 10-a është Europa e cila mezi po pret Shqipërinë blu, fitoren tuaj, fitoren tonë, fitoren e mbarë Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!” 


14/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›