Kryeministri Berisha: Në katër vitet e ardhshme kërkojmë besimin tuaj se kemi mbajtur fjalën e dhënë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Pogradecit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetarë të Pogradecit,
Mirëmbrëma dhe përshëndetje vëllazërore.
Unë vij sot me gëzim të madh në këtë qytet, së pari sepse Pogradeci, ky djep i mendimit intelektual perëndimor të kombit, mblidhet sot në këtë shesh, si qytet i një vendi anëtar të NATO-s, duke realizuar kështu ëndrrën e madhe të shqiptarëve, misionin e gjigandëve të Pogradecit, Poradecit dhe Kutelit dhe të mbarë qytetarëve të këtij qyteti, por edhe të gjithë Shqipërisë. Unë vij sot këtu tek ju gjithashtu me një gëzim të veçantë, sepse ne mblidhemi sot në këtë shesh pasi gjolin tuaj të dashur, mrekullinë e madhe natyrore të Europës dhe të botës, liqenin e Ohrit dhe të Pogradecit e pastruam dhe ndërtuam impiantin më modern të pastrimit të ujërave dhe e përgatitëm atë për ta vendosur në trashëgimin botërore natyrore, ashtu siç e meriton.
E nisa fjalën time me gjolin, sepse zor se mund të gjesh qytetar më të lidhur shpirtërisht me këtë liqen të mrekullueshëm që ka frymëzuar dhe frymëzon kryeveprat e letrave dhe arteve pamore shqiptare.
Jam sot përpara jush për t’ju zotuar se ne sërish do të qëndrojmë tek liqeni, se nga Lini në Pogradec do të ndërtohet kolektori dhe asnjë pikë ujë i ndotur nuk do të derdhet në ujin e këtij liqeni të bekuar. Prapë le të qëndrojmë tek liqeni, nga Lini në Pogradec nga Pogradeci në Tushemisht, e tëra do të jetë shëtitorja më e gjatë e kombit, do të jetë e tëra me trotuare, me ndriçimin më të bukur, me pemët dhe zbukurimet, që kjo shëtitore meriton. Por, ne mblidhemi sot këtu pasi premtimet tona i kemi shndërruar në realitet. Në katër vite ne ia dolëm të vendosim në piedestal mësuesin shqiptar, edukatorin e fëmijëve tanë, të dyfishojmë rrogat e tyre, rrogat e infermierëve dhe mjekëve, të ndërtojmë dhe rindërtojmë 120 shkolla në mbarë vendin. Në katër vite në ia dolëm të dyfishojmë pensionet e fermerëve shqiptarë dhe të rrisim me 20% deri në 70 % në qytet. Në katër vite ne ia dolëm, që Pogradecin dhe Shqipërinë, ta bëjmë të përshtatshëm për të aplikuar si vend anëtar në Bashkimin Europian. Në katër vite ne ia dolëm të lartësojmë më shumë se kurrë emrin e Pogradecit dhe Shqipërisë, të dalim në krye të rritjes ekonomike, kjo është vepra juaj, djersa juaj, mundi juaj dhe reformat tona.
Në katër vite ne ia dolëm të renditemi të parët në rajon dhe në dhjetëshen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. Ne ia dolëm të zëmë vendin e dytë në botë për suksesin e reformave në klimën e biznesit. Sukses cili shprehet me dhjetëra e dhjetëra koncesione. Vetëm në hidrocentrale janë në ndërtim apo fillojnë ndërtimin në vitin 2009, 104 hidrocentrale. Me dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera të cilat do të realizojnë industrializimin më modern të Shqipërisë. Në katër vite këtu në Pogradec ne asfaltuam, në bashkinë dhe komunat e tij, me dhjetëra e dhjetëra rrugë, investuam në këtë rreth në total dhjetëra herë më shumë se qeverisja e mëparshme. Ne e bëmë këtë për dashurinë e madhe që kemi për ju, për Pogradecin dhe shqiptarët. Në katër vite në u treguam fermerëve të Pogradecit, të Korçës dhe Shqipërisë që ata nuk janë dhe nuk mund të jenë harruar, se për ne nuk ka Shqipëri të zhvilluar pa fshatin e zhvilluar.
Me këtë platformë ne investuam 1.6 miliardë dollarë dhe jam këtu për tu zotuar përpara fermerëve të Pogradecit se në katër vite që vijnë çdo projekt i tyre për rritjen e prodhimit, për përpunimin e këtyre prodhimeve do të financohet nga qeveria shqiptare. Jam këtu për t’iu zotuar atyre, se të gjitha inputet që do të përdoren për të gjitha kulturat bujqësore do të subvencionohen përfshirë këtu edhe naftën, në baze të sipërfaqes së mbjellë.
Qytetarë të Pogradecit,
Në katër vite ne kemi realizuar ndryshime të mëdha kemi mbajt premtime të mëdha, por sot unë askujt nuk i kërkoj votën për këto që kemi bërë. Jo, për këto unë i kërkoj besimin sepse kam mbajtur fjalën e dhënë dhe kjo ka qenë një arritje e madhe. Unë e kam mbajtur fjalën në mënyrë që të mund të takohem me ju në rrugët e Pogradecit, në sheshet e tij, por edhe të gjithë Shqipërisë, pra në të gjitha qytetet shqiptare, në fshatrat e këtij vendi me ballin hapur. Të kemi respekt për njëri tjetrin, të shohim njëri tjetrin drejt në sy si burrat, të cilët nuk dinë se çfarë është mashtrimi. Por unë votën sot e kërkojë për diçka tjetër, votën e kërkoj për Pogradecin europian, për Shqipërinë evropiane. Kërkoj votën tuaj dhe sërish do ta nis nga liqeni, në mënyrë që gjithë bregun e tij ta bëjmë një nga brigjet më të bukura të Europës, nga Lini në Tushemisht. Unë kërkoj votën tuaj, në mënyrë që rrogat dhe pensionet tuaja të cilat sot janë 30% më të larta se në dy vende anëtare të Bashkimit Europian, në katër vitet që vijnë të jenë më të larta se 6 vende anëtare të Bashkimit Europian. Ju i meritoni plotësisht ato dhe unë zotohem përpara jush për to.
Unë kërkoj votën tuaj për të bërë që që fshatrat e Pogradecit por edhe të mbarë Shqipërisë të llamburitin si lagjet e qyteteve. Unë kërkojë votën tuaj që si pogradecarët dhe shqiptarët të kenë nivelin e papunësisë nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në katër vitet që vijnë unë zotohem këtu, se do të krijoj 160 mijë vende pune. Në katër vitet që vijnë Shqipëria do të ketë nivelin europianë të studentëve për frymë. Në katër vitet që vijnë nuk do të ketë qytetar shqiptarë që të ketë të ardhura nën 2 dollarë në ditë. Në katër vitet që vijnë fermerët e Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë do të ndihen fermerë europian, se ne do të shumëfishojmë investimet për urbanizimin për sistemin e vaditjes, kullimit, për përpunimin bujqësor, për nxitjen e prodhimit, për shkollat, kopshtet, për ujësjellësit dhe kanalizimet në mbarë këtë vend. Në katër vite që vijnë unë kërkoj votën tuaj që t’ua japim Shqipërinë shqiptarëve në pëllëmbë të dorës, të ndërtojmë boshtet e shkurtra rrugore, në mënyrë që ju, Tepelena, Vermoshi, Tropoja të zbresin në Tiranë, në kryeqytetin e tyre, me më pak se gjysmën e kohës që ju duhet tani.
Qytetarë të Pogradecit,
Unë i bëj thirrje mençurisë tuaj, në 28 qershor të vendosni në interesin tuaj më të mirë. Zoti Edi Rama ka ndërmarrë këtë fushatë, fushatë mashtrimi, tre ditë më parë, do të deklaronte me zëdhënësin e tij, se bashkia e Pogradecit ka marrë zero lekë nga qeveria e Sali Berishës. Më duhet ti them zotit Rama se këtu nuk ka veshgjatë , por edhe sikur veshgjatë të kishte ne nuk do ta besonim.
Urdhëro Zoti Rama, të dalim këtu në shesh nëse dëshiron dhe le tu themi qytetarëve se cilat janë projektet e Sali Berishës, në rrugë në shkolla në kanalizimi çdo ditë në këtë rreth. Përfaqësuesit e Edi Ramës deklaronin në parlament, se ne Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë, mësuesit marrin sot 270 mijë lekë, por hajde zoti Rama dhe gjej një mësues në Pogradec që të thotë se marrë nën 400 mijë lekë, dhe unë pastaj do të jap të drejtë ty. Çdo ditë kur dëgjoj atë dhe zëdhënësit e tij, ndjej dhimbje dhe keqardhje të thellë, sepse me nihilizmin e tyre më duket se ata lëndojnë qytetarët shqiptarë. Unë nuk them se nuk kemi halle, unë nuk them se nuk kemi shumë punë për të bërë, por unë ju them se projekti i Shqipërisë europiane, dhe i Pogradecit europian, është projekti më ambicioz i jetës sime, por unë ju them ju se ne sëbashku ndërtuam 5900 kilometra rrugë, ne sëbashku ndërtuam dhe rindërtuam nga e para 1012 shkolla, 720 ujësjellës, qindra e qindra qendra shëndetësore, në katër vitet që vijnë Shqipëria do të jetë krejt tjetër. Prandaj dhe thirrja ime vëllazërore për të gjithë ju këtu, por edhe për të gjithë socialistët, por edhe të gjithë qytetarët pa bindje politike por edhe të partive të ndryshme bashkohuni me ne në ëndrrën tonë europianë. Në jemi burrat dhe gratë që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne jemi ata që dyfishuam rrogat dhe pensionet si asnjë vend tjetër në europë, në jemi ata që asfaltuam në katër vite 5900 km rrugë, ne jemi ata që çamë malet për të bashkuar kombin, ne jemi ata që bëmë premtimet realitet. Ëndrra evropiane është ëndrra e çdo shqiptari, bashkohuni me ne, çoni votën tek në, besimi tek ne është projekti më i bukur për çdo shqiptarë, për fëmijët e çdo shqiptari, për Shqipërinë për kombin.
Rroftë Pogradeci, rroftë Shqipëria!
28 qershori, ju bëj thirrje që të gjithë të merrni letërnjoftimet, të gjithë të votoni, votoni 10-ën. Pogradeci është 10-a. Pogradeci nuk mund të votojë tjetër përveçse, 10, 10 dhe vetëm 10.
Rroftë Pogradeci, rroftë Shqipëria!”
12/06/2009