E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë, Paskuqani do shndërrohet në një nga zonat më të kushtueshme të vendit

Kryeministri Berisha u takua sot në mbrëmje me banorë të Paskuqanit, në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Vëllezër e motra,

Zonja e zotërinj,

Para së gjithash dëshiroj t’ju përshëndes vëllazërisht. Ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore. Së bashku me ju, me punën, mundin dhe djersën tuaj, me mbështetjen e fuqishme të qeverisë do ta shndërrojmë Paskuqanin në një prej bashkive më të zhvilluara të vendit. Socialistët nuk i dhanë votat për shndërrimin tuaj në bashki, por kësaj here do të mbledhim aq shumë vota sa nuk do të ketë nevojë për votat e tyre.

Dua t’ju falënderoj për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Partisë Demokratike dhe qeverisë sime, t’ju falënderoj për ndërtimet e mrekullueshme. Ju i keni shndërruar këto kodra në rajonin ndër më të bukurin të Tiranës dhe Shqipërisë.

Në katër vite, në Paskuqan, ne investuam 24 herë më shumë, sesa ata të cilët kanë mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime. Në katër vite, ne investuam mbi 1 miliard e 100 milion lekë (të reja), investuam në rrugë Paskuqan-Kamëz, Paskuqan-Varreza, Paskuqan-Kodërkuqe. Faktikisht, Paskuqani po merr të gjithë infrastrukturën moderne që meriton, në shkolla, ujësjellës, në shërbimin shëndetësor, në rrjetin elektrik. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë në këtë bashki nuk dot ketë pëllëmbë rrugë të paasfaltuar. Katër vitet që vijnë, ju do të keni ndërtimet më moderne.

Katër vitet që vijnë, Paskuqani do të shndërrohet në një nga zonat më të kushtueshme të vendit. Legalizimi po ecën. Para dy ditësh vendosa të hap tregun e letrave me vlerë. Hapja e tregut të letrave me vlerë është interesi i 800 mijë shqiptarëve, që i kanë marrë ato dhe që pas rebelimit u përpoqën t’ua shndërrojnë në letra pa vlerë. Tani ato bëhen letra me vlerë. Tregu i letrave me vlerë ndihmon edhe të gjithë banorët, të gjithë qytetarët që legalizimet t’i bëjnë me një çmim edhe më të arsyeshëm.

Këto ditë më kanë informuar se edhe taksën e infrastrukturës juve jua rëndojnë shumë. Nuk do të pranoj asgjë të rënduar mbi supet e qytetarëve. Shteti nuk bazohet mbi peshën e tij të rëndë mbi supet e qytetarëve. Përkundrazi, shteti është i detyruar të lehtësojë qytetarët.

Këto katër vite kanë qenë vite, në të cilat çdo banor i kësaj bashkie ka ndjerë ndryshimin, ka ndjerë interesin direkt të qeverisë. Të gjithë atyre që e kanë ndjerë këtë ndryshim, që i besojnë këtij ndryshimi, i kërkojmë votën. Të gjithë ata, të cilët janë të bindur se katër vitet që shkuan ishin vitet e dyfishimit të pensioneve, të dyfishimit të rrogave të mësuesve dhe infermierëve, vitet e investimeve të mëdha në infrastrukturë, vitet e anëtarësimit në NATO, vitet e Shqipërisë në prag të lëvizjes së lirë, i ftoj të na japin votën për Paskuqanin europian, për Shqipërinë evropiane. Projekte të mëdha do zhvillohen në këtë zonë. Së pari, për lidhjen tuaj me Tiranën do të ndërtojmë një seri urash që janë në projekt. Ju e dini që socialistët të gjithë investimin e bënë në dy këmbë ure. Do të ndërtojmë bulevardin gjatësor të Tiranës, do të vazhdojmë rritjen e pensioneve, pensionet e fermerëve do të barazohen me pensionet e qytetit. Në rritjen e pensioneve dhe rrogave ne do të lëmë mbrapa qytetarët e 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Ju bëj thirrje të mos i jepni asnjë votë Edi Ramës. Socialistë të Paskuqanit, në rast se mendoni për një moment do ta gjeni veten 10 herë më afër me Sali Berishën, sesa me Edi Ramën. Në qoftë se Edi Rama, për hir tuaj, do të donte Paskuqanin, do t’i bashkonte votat me ne që ju të bëheshit bashki. Asnjë votë për të. Të bashkohemi së bashku në projektin tonë europian, të bashkohemi së bashku për rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve, për asfaltimin dhe ndërtimin e rrugëve të tjera, për shkolla moderne, për lëvizjen tonë të lirë në mbarë Europën, për përgatitjen e Shqipërisë në mandatit tonë të dytë për anëtare të BE-së.

Vëllezër e motra,

28 qershori po vjen. Më 28 qershor, siç e shihni, shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë 22 marsin. Ju bëj thirrje secilit prej jush. Këto ditë, verifikoni me çdo njeri të dashur tuajin, me çdo mik, me cilindo që njihni, në i kanë marrë apo jo letërnjoftimet. Merrini letërnjoftimet dhe të votojmë me dinjitet, të votojmë si qytetarë europiane, me dokumentet më moderne, të votojmë për t’i dëshmuar Europës dhe botës se zgjedhjet e lira janë përkushtimi ynë absolut, se ne me demokracinë dhe vlerat e saj duam të bashkohemi me ju, se ne nuk kërkojmë prej askujt asgjë që nuk na takon, por jemi të zotë e të aftë të ndërtojmë në këtë vend shoqërinë demokratike,  jemi të zotë e të aftë ta zhvillojmë këtë vend. Katër vitet që vijnë, ne do të krijojmë 160 mijë vende të reja pune. Kanë filluar të ndërtohen ose do të ndërtohen 104 hidrocentrale, 6 parqe industriale e dhjetëra e dhjetëra fabrika re uzina e vepra ët tjera të rëndësishme, në të cilat do të punësohen 160 mijë shqiptarë.

Edhe një herë ju bëj thirrje  të bashkohemi. Ju bën thirrje 28 qershorin ta shndërrojmë në festën e madhe të besimit tonë tej njëri-tjetrin tek vetja, tek Shqipëria.

Rrofshi ju!

Rroftë Paskuqani!

Rroftë Shqipëria!"


13/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›