Kryeministri Berisha: Gramshi së shpejti do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarë të Gramshit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Gramshit,
vëllezër dhe motra,
Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë time më të madhe që takohem sot me ju, në këtë shesh, si qytetarë të një vendi anëtarë të NATO-s, si qytetarë të një rrethi, në të cilin nisin dhe do të nisin projekte ndër më madhoret e këtij vendi dhe të mbarë Evropës. Unë vij këtu me kënaqësinë për punën që kemi bërë së bashku në këto katër vite. Në katër vite ne rrethin e Gramshit, shpresoj se çdo qytetar i këtij rrethi e ka të qartë se qeveria ime ka investuar 6.8 herë më shumë, se sa qeveria e mëparshme. Por sot unë nuk jam këtu për të numëruar me dhjetëra e dhjetëra rrugë shkolla, ujësjellësa që ne kemi ndërtuar, por jam këtu për tu zotuar para jush, se katër vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, çdo rrugicë të lagjeve tuaja. Jam sot këtu, për tu zotuar se në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në çdo fshat të këtij rrethi dhe do të fusim ujin e pijshëm brenda çdo familjeje. Jam këtu për tu dhënë fjalën se në 4 vitet që vijnë të gjitha shkollat e Gramshit do të jenë të reja ose të rindërtuara. Në katër vite ne ia dolëm të dyfishojmë pensionet për të gjithë fermerët e Gramshit dhe të gjithë Shqipërisë, ia dolëm të rrisim 50 deri në 70 % pensionet për të gjithë pensionistët e qytetit të Gramshit dhe mbarë Shqipërisë. Në 4 vite dyfishuam rrogat e infermiereve që 4 vite me parë merrnin 15 mijë lekë të vjetra. Ne dyfishuam rrogat e mësuesve dhe sot mësuesit e fëmijëve tuaj dhe ata ta mbarë Shqipërisë kanë rroga 2 herë më të larta se 4 vite me parë.
Në 4 vite fondin e ndihmës ekonomike ne e rritem nga 7 miliard në 13,9 miliard. Por besoj se gjëja me e madhe që ne realizuam këto 4 vite është horizonti i ri në qe hapëm para Gramshit dhe gjithë Shqipërisë për 4 vitet që do të vijnë. Është kjo punë që ne kemi bërë së bashku, është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, është ndërtimi i 5900 km rrugë, është sjellja e Shqipërisë në krye te rritjes ekonomike ne Evropë, është vendosja e Shqipërisë e dyta në botë për klimën e biznesit, është lufta pa kompromis që kemi bërë kundër korrupsionit, ato të cilat bëjnë të mundur që unë sot përpara jush dhe mbarë shqiptarëve të parashtroj platformën e Gramshit evropian, e Shqipërisë evropiane. Gramsh evropian do të thotë para së gjithash që qytetarët e Gramshit të kenë punë. Unë ju garantoj ju se në 4 vitet që vijnë vetëm me HEC e Banjës dhe me hidrocentrale të tjera të kaskadës së Devollit do të punësohen rreth 7000 punonjës. Por ky është vetëm njëri, nga një seri hidrocentralesh të tjera, të cilët janë në ndërtim e sipër apo nisin ndërtimin. Gjithashtu disa Hidrocentrale të vogla me kapacitet nga 4,7 deri në 20 megavat, hynë të gjitha në prodhim brenda këtij mandati. Dhe që të gjitha së bashku janë të barabarta me HEC e Ashtës.
Gramshi së shpejti do të jetë në krye të përpjekjeve të qeverisë sime për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale.
Qytetarë të Gramshit,
Ju jeni të vetëdijshëm se cila është varfëria ekstreme që trashëguam ne, por ju të jeni të sigurte se për mua ka vetëm një armik dhe ky armik është varfëria. Me përkushtimin më të madh në këto 4 vite duke dyfishuar pensionet ne fshat, duke dyfishuar rrogat e ulëta, si dhe ndihmën ekonomike ne kemi nxjerre nga pragu i varfërisë mbi 400 mije shqiptarë. Sot unë zotohem para jush se brenda vitit 2010 në këtë rreth nuk do të ketë qytetar shqiptar që të marrë më pak se dy dollarë në ditë. Shqipëria nuk eshtë më Shqipëria e viteve te shkuara. Vetëm këto 4 vjet Shqipëria ka rritur të ardhurat për frymë nga 3200 dollarë në 4200 dollarë. Unë zotohem këtu para jush dhe çdo shqiptari se do të bëjë çdo gjë për shpërndarjen e ndershme të këtyre të ardhurave. Duke respektuar liritë më të mëdha ekonomike, ne do të bëjmë rritjen më të fuqishme të rrogave dhe pensioneve se çdo herë tjetër. Në Evropë nuk shkohet me xhepa bosh ndaj dhe unë kam bërë në 4 vite rritjen më të madhe se në çdo vend tjetër, të rrogave dhe pensioneve. Deri tani kemi parakaluar 2 vende të BE-së dhe unë zotohem se në 4 vitet që vijnë do të parakalojmë 6 vende të BE. Ne ju bëjmë thirrje nga ky shesh të gjithë qytetarëve të Gramshit, të gjithë shqiptarëve demokratë, socialistë, të çdo lloj bindje, të bashkohemi së bashku në projektin tonë evropian. Ëndrra evropiane është ëndrra e të gjithë shqiptarëve. Ëndrra evropiane është projekti më i bukur për fëmijët tanë. Ne që anëtarësuam Shqipërinë në NATO, do të bëjmë realitet ëndrrën tuaj evropiane. Këto ditë Evropa u bë më blu se kurrë në historinë e saj, zgjedhësit e 24 vendeve anëtare të BE, votuan qendrën e djathtë, votuan partitë simotra të PD. Ne jemi ata që kemi miqtë më të mëdhenj në Bruksel , Paris, Londër, Berlin, Romë e, kudo në botë.
Qytetarë të Gramshit,
Thirrja ime për të gjithë ju, për të gjithë socialistët, për anëtarët e partive të tjetra për të gjithë gramshiotët pa parti, është mos harroni se Edi Rama në parlamentin shqiptar votoi kundër koncesionit të Kaskadës së Devollit, kundër të gjitha koncesioneve, mos harroni se, ai votoi kundër rritjes se rrogave dhe të pensioneve dhe ne muajin prill kur ne kishim parashikuar rritjen me te madhe te tyre ne një rast unik dhe te paprecedent Edi Rama që me grupin e vet drejtues i kanë rrogat e tyre miliona lekë kerkonte që të mos rrisja rrogat tuaja, të mos rrisja pensionet tuaja. Natyrisht që unë ju dëgjoj ju, merrem me interesat tuaja, me interesat e familjeve tuaja, me interesat e Gramshit dhe te gjithë Shqipërisë, ndaj dhe le të vazhdojmë se bashku, të ecim drejt 28 qershorit të sigurte në një fitore madhështore ,të sigurte në fitoren e projektin tonë evropian. Edhe njëherë ju përshëndes vëllazërisht dhe ju garantoj se në 4 vitet që vijnë, ky rreth do të jetë krejt tjetër, nga Gramshi i sotëm, do të jete një rreth evropian, sikundër e gjithë Shqipëria do të jetë evropiane."
12/06/2009