E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë do të 2 - fishohet numri i të punësuarve në sipërmarrjet e biznesit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e çeljes së edicionit të nëntë të Panairit të Punës, i cili organizohet nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në datat 13-14 maj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se në këto kohë shumë të veçanta, kur vihen në diskutim vlera të mëdha, politikat tona për reformat ekonomike dhe për krijimin e vendeve të punës, po e kalojnë më së miri këtë provë.

Duke i shprehur mirënjohje të gjithë sipërmarrësve në Shqipëri, Kryeministri vlerësoi se në rast se gjatë këtyre katër viteve qeveria shkurtoi në administratë rreth 30 për qind të vendeve të punës, bizneset punësuan rreth 80 mijë punonjës të përhershëm në sipërmarrjet e tyre. “Premtimi dhe zotim im është që gjatë katër viteve që vijnë ky numër të 2 – fishohet”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Presidenti i Bordit të Drejtorëve z. Philip H. Bay, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pjesëmarrjen, vlerësoi se Shqipëria është një vend i hapur për investime. “Në rajon dhe në Evropë, shoqëritë dhe kompanitë janë duke pushuar njerëzit nga puna, ndërsa në Shqipëri ne po punësojmë njerëz.  Shqipëria është e hapur për biznese”, u shpreh ai.

Në këtë edicion, 30 kompani më të njohura në vend nga fusha e telekomunikacionit, bankave, ndërtimit, prodhimit, studiove auditues, etj., kanë hedhur në tregun e punës 170 vende të lira për pozicione si ekonomist, jurist, financier, inxhinier, arkitekt, operator teknik dhe agjent shitjeje.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;

“ Së pari dëshiroj t’ju falënderoj nga zemra për organizimin e këtij panairi, i cili është shumë i rëndësishëm, Panairit të Punës. Do të vazhdoj aty ku ju, (zoti Philip H. Bay), e përfunduat. Shqipëria është e hapur ndaj bizneseve – thatë ju në fjalimin tuaj. Ndërsa ajo që do të them unë është se; Shqipëria do të jetë gjithnjë e më hapur për biznese. Këto janë kohëra shumë të veçanta, janë kohë kur vihen në diskutim vlera të mëdha dhe politikat tona për reformat ekonomike, për krijimin e vendeve të punës, po e kalojnë më së miri këtë provë.

Kam qenë gjithnjë tepër i bindur se politika më e mirë janë taksat e ulëta. Një ditë u kënaqa shumë kur zbulova një studim mjaft të rëndësishëm të “Oxfordit” dhe ky studiues, pas një studimi shumë të gjatë dhe serioz, erdhi në përfundimin se; ‘çdo dollar amerikan i ulur për taksën e fitimit, do të thotë 0. 54 dollarë për punëtorin’. Pra, ajo që mendohej se godet kapitalistin, u faktua se godet punëtorin me politikën e taksës së lartë.

Natyrisht, unë jam i inkurajuar se Shqipëria po i reziston krizës. Nëse do të më pyesni mua, unë mund të them se nuk di ndonjë arsye më të madhe se fakti që këto taksa të ulëta sipërmarrësit, anëtarë të Dhomës Amerikane e Tregtisë dhe të të gjitha Dhomave të Tregtisë, i kanë shndërruar në vende punë, i kanë shndërruar në investime, i kanë shndërruar në fuqizime të sipërmarrjeve të tyre. Ndaj dhe unë dua ti garantoj të gjithë anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe të gjithë biznesmenët shqiptarë se për mua dhe qeverinë time situata aktuale e ekonomisë evropiane dhe botërore është një apel i madh dhe i fuqishëm; të zgjerojmë sa më shumë hapësirat për biznesin, të lehtësojmë sa më shumë barrën burokratike apo fiskale mbi të, t’i ofrojmë atij lehtësirat më të mëdha në kontratat ndër më të leverdishmet për të.

Një ditë, një gazetar më tha se nuk po dëgjoj të flitet për ‘Shqipëria 1 euro’. Mua më erdhi mirë për këtë sepse nisma “Shqipëria 1 euro” u bë një praktikë e zakonshme dhe nuk flet më njeri për të. Ne jemi përpjekur të inkurajojmë krijimin e vendeve të reja të punës, por siç ka provuar historia e zhvillimit të gjitha përpjekjet e tjera, përveç se atyre të tregut dhe lirisë së tij, janë përpjekje afatshkurtra dhe me kosto shumë të lartë. Detyra e qeverisë është të kontribuojnë ndjeshëm në aftësimin e punëtorëve, në kualifikimin e tyre, në trajnimin dhe ritrajnimin e tyre, përshtatjen e tërë sistemit arsimor me tregun dhe kërkesat e tij, ndërsa të tjerat janë tërësisht në duart e sipërmarrësve.

Ndaj dua ta mbyll këtë fjalë të shkurtër duke shprehur mirënjohjen dhe falënderimin tim për të gjithë sipërmarrësit shqiptarë, të cilët gjatë këtyre katër viteve, në rast se qeveria në administratë shkurtoi me rreth 30 për qind vendet e punës, bizneset punësuan rreth 80 mijë punonjës të përhershëm në sipërmarrjet e tyre. 

Premtimi dhe zotim im është që gjatë katër viteve që vijnë ky numër të 2 – fishohet.

Faleminderit!”


13/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›