Kryeministri Berisha: Në katër vitet që vijnë në Librazhd do të investojmë 10 herë më shumë se katër vitet që shkuan

Kryeministri Berisha mori pjesë në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në Librazhd, ku prezantoi z. Shefki Çota si kandidat i koalicionit "Aleancës për Qytetarin", për kryetar të Bashkisë së këtij qyteti.
Kryeministri Berisha vlerësoi kandidaturën e Shefki Çotës dhe siguroi se në katër vitet që vijnë me të, por edhe me qeveritarët e tjerë vendorë të komunave të Librazhdit, do ta punojnë për ta shndërruar Librazhdin në një nga rrethet e zhvilluara të Shqipërisë. "Ju garantoj se do të financojmë çdo projekt të këtij qyteti, çdo projekt të komunave të këtij rrethi, në mënyrë që së bashku t'i shndërrojmë në vlera për secilin prej jush pasuritë e mëdha të rrethit tuaj, rreth me pasuri të mëdha ujore, minerale, me potencial të vërtetë pemëtarie, rreth me njerëz të mrekullueshëm që frymëzojnë çdo njeri me shpirtin e tyre punëtor", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri vuri në dukje se në këto vite, në rrethin e Librazhdit janë investuar 10 herë më shumë se 8 vitet e qeverisjes socialiste shkuan dhe garantoi se në 4 vitet që vijnë qeveria do të investojë 10 herë më shume se 4 vitet që shkuan.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së Pari ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore dhe shpreh kënaqësinë që jam sot tek ju për të paraqitur para jush kandidatin e Aleancës për Qytetarin, aleancës më të fuqishme që ka garuar ndonjëherë në Shqipëri, zotin Shefki Çota.
Vij këtu tek ju për t'u zotuar para jush se në katër vitet që vijnë, me Shefki Çotën, por edhe me qeveritarët e tjerë vendorë të komunave të Librazhdit, do ta shndërrojmë Librazhdin në një nga rrethet e zhvilluara të Shqipërisë. Ju garantoj se do të financojmë çdo projekt të këtij qyteti, çdo projekt të komunave të këtij rrethi, në mënyrë që së bashku t'i shndërrojmë në vlera për secilin prej jush pasuritë e mëdha të rrethit tuaj, rreth me pasuri të mëdha ujore, minerale, me potencial të vërtetë pemëtarie, rreth me njerëz të mrekullueshëm që frymëzojnë çdo njeri me shpirtin e tyre punëtor.
Në katër vitet që vijnë Librazhdin do ta shndërrojmë në qytetin e bardhë të luginës së Shkumbinit, do rindërtojmë stadiumin, do ndërtojmë shkollë të re, do të ndërtojmë unazën. Ju garantoj se qeveria do të urbanizojë çdo komunë e çdo fshat të këtij rrethi. Po vij këtu nga fshati Dorëz ku inauguruam një rrugë të re. Pronari i një lokali më falënderoi. Jo - i thashë -, të falënderoj unë ty që ke ndërtuar këtë lokal të mrekullueshëm, sepse tani nga Librazhdi do vijmë të çlodhemi tek lokali yt.
Ne, alternativën tonë e kemi tërësisht të përqendruar tek ju, tek qytetari, tek interesat, hallet, dertet e tij, të familjes së tij, fqinjit, komunitetit të tij. Programi ynë do të ketë në epiqendër juve dhe vetëm juve.
Ju jeni të parët, sepse ju, me mundin, djersën tuaj, po ndryshoni çdo ditë Librazhdin dhe gjithë Shqipërinë. Ju jeni të parët, sepse me energjinë dhe entuziazmin tuaj krijues, ne jemi të bindur se ju dhe mbarë shqiptarët, do ta shndërroni Librazhdin e Shqipërinë në Librazhd evropian, në Shqipëri evropiane. Ju jeni të parët, sepse ju me mundin e djersën tuaj dhe reformat e qeverisë, do të bëheni gjithnjë e më të mëkëmbur. Do të luftojmë papunësinë, varfërinë, do të nxisim zhvillimin.
Në këto vite, në rrethin tuaj janë investuar 10 herë më shumë se në 8 vitet që shkuan. Ju garantoj se në 4 vitet që vijnë do të investojmë 10 herë më shume se 4 vitet që shkuan.
Ju jeni të parët. Në këtë rreth, ne kemi asfaltuar 45 km rrugë. Ju garantoj se në këtë rreth do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në të katër anët e tij. Ju jeni të parët! Në këtë rreth kemi ndërtuar e rindërtuar 14 shkolla për fëmijët tuaj, kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e do vazhdojmë të rindërtojmë çdo shkollë të këtij rrethi, në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla evropiane. Ju jeni të parët! Në këtë rreth plot ujëra kemi ndërtuar 9 ujësjellës dhe ju garantoj se në çdo fshat do të ndërtojmë ujësjellës të rinj për të furnizuar me ujë 24 orë banorët e këtij rrethi. Ju jeni të parët! Sepse në këtë rreth kemi ndërtuar 14 qendra shëndetësore dhe ju garantoj se do të ndërtojmë kudo qendra shëndetësore, në mënyrë që t'ju garantojmë juve shërbimin më të mirë për shëndetin tuaj, të fëmijëve e familjeve tuaja. Ju jeni të parët! Ne kemi dyfishuar pensionet e ulëta të fermerëve të Librazhd e mbarë Shqipërisë. Në qytetin e Librazhdit nuk ka më pension nën 100 dollarë. Ju garantoj se rritja e pensioneve do të vazhdojë pa ndërprerje dhe ne jemi të vendosur të ecim me shpejtësi në rritjen e rrogave e pensioneve tuaja. Ju jeni të parët, ndaj edhe ne do të bëjmë çdo gjë që biznesi në Librazhd e në të katër anët e këtij rrethi të njohë zhvillime të reja të fuqishme. Në këtë rreth janë në ndërtim e sipër apo kanë përfunduar 6 hidrocentrale dhe ju garantoj se shumë të tjera do të fillojnë vitet që vijnë nga puna.
Vëllezër e motra,
Rrethi i Librazhdit ka potenciale të mëdha turistike. Ne po ndërtojmë infrastrukturën, po ecim drejt Orenjës me unazën verilindore e juglindore të Shqipërisë, do të çojmë rrugën në çdo fshat. Ne do të bëjmë që bukuritë e Librazhdit e komunave të tij t'i njohin jo vetëm shqiptarët, por t'i njohë edhe bota. Këtë vit Librazhdi, Elbasani, Shqipëria është destinacioni turistik kryesor i planetit.
Qytetarë të Librazhdit,
Së bashku kemi shndërruar disa ëndrra të mëdha në realitet. Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s, sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetarë që lëvizim të lirë në mbarë Evropën me dinjitet të plotë, njësoj si qytetarët e tjerë. Sot ne mblidhemi në këtë shesh si qytetar të një vendi, ekonomia e të cilit, siç do të deklaronte dje Komisioni Evropian, është në zhvillim, është në vrapim, është në krye të rritjet ekonomike në Evropë. Duke theksuar këto, unë jam i bindur se në jetën tuaj të përditshme, jo të paktë janë ata që përballen me vështirësi e vuajtje, por nga ana tjetër, ju garantoj se kjo qeveri do të bëjë gjithçka që ju, me mundin e djersën tuaj, të mëkëmbni familjet tuaja.
Alternativa jonë është alternativa juaj. Përballë saj ka një alternativë tjetër e cila thotë se "jam rruga e vetme". Në fakt, rruga e vetme është rruga e vetmisë së thellë, është rruga pa kthim. Qytetarë të Librazhdit, secili nga ju ka rrugën e tij dhe kurrë mos ia lejoni kujt t'ju marrë rrugën. Rrugën ju e ndërtoni me virtytet tuaja, me moralin tuaj, me djersën e mundin tuaj. Ata që ju ofrojnë juve rrugën e vetme, ata ju ofrojnë rrugën pa kthim. Kurse ne, së bashku do të ecim përpara, duke plotësuar interesat tona, qëllimet tuaja, duke e shndërruar Librazhdin në qytet të zhvilluar, duke krijuar vende pune, duke rritur punësimin, rritur rrogat, pensionet. Ndaj dhe ju ftoj që në 8 maj të votoni për "Aleancën për Qytetarin", të votoni për Shefki Çotën dhe ju garantoj se do të shndërrojmë në realitete çdo projekt të këtij qyteti, të këtij rrethi."
11/04/2011