E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezantoi z. Firdus Kurti si kandidat për kryetar të komunës Qendër Librazhd

-       Rruga e re e ndërtuar në komunën Qendër është 6.5 kilometër e gjatë dhe me vlerë 70 milionë lekë

-       Qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë pemë frutore, duke synuar dhjetëfishimin e prodhimit të frutave në vend

Kryeministri Berisha ishte dje pasdite në komunën Qendër Librazhd, ku prezantoi z. Firdus Kurti si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të kësaj komune. Kryeministri i uroi banorëve rrugën e re, 6.5 kilometra e gjatë dhe një investim me vlerë 70 milionë lekë.

Duke u shprehur se zotimi i qeverisë është që fshatrat të urbanizohen njësoj si lagjet e qyteteve, Kryeministri Berisha tha se gjatë këtyre viteve në rrethin e Librazhdit është investuar 10 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisjes së Partia Socialiste. Kryeministri i siguroi banorët e kësaj zone se qeveria do të subvencionojë çdo rrënjë pemë frutore që do të mbillet, duke synuar dhjetëfishimin e prodhimit të frutave në këtë vend.

Kryeministri Berisha i ftoi banorët të votojnë zotin Firdus Kurti për kryetar të kësaj komune dhe i garantoi ata se së bashku do të përfundojnë çdo projekt që synon të ndryshojë për mirë jetën e tyre dhe të komuniteteve të tyre.

Më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetar të Dorëzës, të komunës Qendër,  

Është kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes sot përzemërsisht, t’ju uroj gëzuar rrugën e re, e cila ka qëndisur shumë bukur fshatrat e kësaj komune, një investim ky rreth 70 milionë lekë me një gjatësi prej 6.5 kilometra. Ju garantoj se si kjo rrugë do të ndërtojmë rrugët e kësaj komune, të gjitha fshatrave të Librazhdit, të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Së shpejti fillojmë punimet për rrugën në fshatin Kutruman, investim prej rreth 80 milionë lekë. Kam, gjithashtu, kënaqësi të konstatoj se unaza verilindore e juglindore e Shqipërisë po lëshon shtat çdo ditë, nga Librazhdi po ecën drejt Peshkopisë dhe ju garantoj se ajo do të përfundojë. Të gjitha fshatrat e komunat e Librazhdit do të lidhen me rrugë automobilistike, do të kenë ujësjellës, kanalizime, shkolla. Zotimi ynë është fshatrat t’i urbanizojmë njëlloj si lagjet e qyteteve.

Gjatë këtyre viteve në rrethin e Librazhdit ne kemi investuar 10 herë më shumë se në 8 vitet e qeverisjes së Partia Socialiste. Kemi ndërtuar 45 kilometra rrugë, 14 shkolla, 9 ujësjellës e kanalizime, 14 qendra shëndetësore, kemi bërë mbi 2 milionë dollar subvencione në pemëtari, vreshta e pemëtari. Kërkesa ime për ju, për gjithë banorët e komunës Qendër e të gjithë Librazhdit është të mbillni sa më shumë pemëtari. Unë i garantoj se do t’i paguajmë për çdo rrënjë pemë, do të subvencionojmë çdo rrënjë pemë që do të mbillni. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që të dhjetëfishojmë prodhimin e frutave në këtë vend. Po ecim shumë mirë me ullirin, por Librazhdi ka potenciale të jashtëzakonshme me arrat, lajthitë, me qershinë e me të gjithë drurët e tjerë frutorë. Ndaj le ta shndërrojmë këtë në një moto të madhe për të bërë Librazhdin, Shqipërinë, një kopsht shkëmbor në brigjet e Adriatikut e Jonit, siç do ta quante Faik Konica.

Zoti Firdus Kurti, kryetar i komunës,

Ju rikandidoni dhe kërkoni me të drejtë votën e bashkëfshatarëve të tu. Unë i ftoj ata të votojnë për ju dhe i garantoj se së bashku do të përfundojmë çdo projekt që synon të ndryshojë për mirë jetën e tyre, familjeve të tyre, komuniteteve të tyre në tërësi. Ju garantoj se gjatë këtyre katër viteve, jo vetëm Shqipëria, por mbarë bota do të njohë bukuritë e mëdha që fsheh rrethi juaj. Në të katër anët e tij. Librazhdi turistik do të jetë motoja e 4 viteve që vijnë. Edhe njëherë, 8 maji, dita e fitores, dita juaj, dita e zgjedhjeve të lira.

Faleminderit!’


11/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›