E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në mandatin e ardhshëm, nuk do të ketë pension në fshat nën 100 dollarë

Gjatë vizitës në disa komuna të Fierit, Kryeministri Berisha u ndal në komunën e Kumanit, ku inauguroi shkollën e re 9-vjeçare të fshatit Vidhisht, një investim me vlerë 45 milion lekë, si dhe përfundimin e ndërtimit të rrugës së brendshme të këtij fshati, investim me vlerë 22 milion lekë.

Kryeministri Berisha, në përshëndetjet e tij, tha se ne jemi zotuar që Shqipërisë rurale, fshatrave të saj, t’u ngremë infrastrukturën që kanë qytetet e lagjet e tyre. Vetëm në komunën e Kumanit, në 3 vjet e 8 muaj janë investuar 267.5 milion lekë.

Qeveria, vijoi Kryeministri, ka vendosur në pensionet e pagat e shqiptarëve 4 herë më shumë se në 8 vite të marra së bashku dhe premtoi se në mandatin e ardhshëm nuk do të ketë pension në fshat nën 100 dollarë.

“Ne, - u shpreh Kryeministri - gjetëm një pension në fshat 34 mijë lekë dhe ky pension do të dyfishohet më 1 maj të këtij viti. Ne që ju premtuam se do të dyfishonim pensionet tuaja dhe po e bëjmë këtë realitet, ne ju premtojmë se mandatin e ardhshëm, në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë.”

Kryeministri Berisha tha se qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë.

“Unë kam një mesazh, një thirrje vëllazërore për të gjithë kryetarët e komunave të Shqipërisë, për të gjithë qytetarët shqiptarë, të ngrihemi në lartësitë e shpirtit të mirë ë e solidaritetit njerëzor e të vendosim të ndihmojnë çdo familje në nevojë në komunat tona. Qeveria është e gatshme të financojë  e të japë çdo ndihmë, në këtë drejtim. Ne nuk duam nuk pranojmë që qoftë edhe një qytetar i vetëm në këtë vend të qajë me lotët e ftohta të mjerimit, por të ndjejë dorën tonë, të ndjejë zemrën dhe mbështetjen tonë kudo ku ai ndodhet. Javën që vjen qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha bëri thirrje për pajisjen e tyre me letërnjoftimet elektronike, edhe si një kusht për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, si qytetarët evropianë.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

”Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe ju uroj gëzuar shkollën e re dhe të bukur për fëmijët tuaj dhe rrugën që sapo inauguruam. Gjithashtu përgëzoj Këshillin e komunës dhe kryetarin e këtij Këshilli, i cili, me angazhim, dhembshuri e dashuri është përpjekur për banorët e kësaj komune dhe ju siguroj se do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë sime për të gjitha projektet që ndryshojnë për mirë jetën tuaj.

Në komunën e Kumanit, në 8 vite të qeverisjes së majtë janë investuar gjithsej 45 milion lekë në ujësjellësin e Luarësit dhe në kanalizimet e Marinzit dhe asnjë nga projektet nuk përfunduan. Në komunën e Kumanit, në 3 vjet e 8 muaj janë investuar 267.5 milion lekë, nga të cilat ndërtimi i shkollës së re 9- vjeçare, me kabinet informatike, me vlerë 44 milion lekë dhe kam kënaqësi që fëmijët tuaj nuk shkojnë më në shkollën e një fshati tjetër, por shkollohen pranë shtëpive të tyre. Ne jemi zotuar që Shqipërisë rurale, fshatrave të saj t’u ngremë atë infrastrukturë që kanë qytetet e lagjet e qyteteve, me rrugë e shkolla moderne, me kanalizime, shërbimin shëndetësor dhe  shërbime të tjera. Këtu, ne inauguruam një shkollë të re, por në mbarë vendin gjatë këtij mandati, ne kemi rindërtuar ose ndërtuar nga e para 1012 shkolla. Unë ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë, fëmijët shqiptarë në çdo fshat dhe komunë do të mësojnë veçse në shkolla të rindërtuara ose të reja. Ne do t’i ndërrojmë tërësisht faqen arsimit tonë. Mësuesit e fëmijëve tuaj më 1 maj 2009 do të marrin një pagë dy herë më të madhe, se atë që kanë marrë më 1 maj 2005.

Ne kemi ndryshuar qëndrimin e shtetit ndaj jush. Në qoftë se shteti  ju braktisi, qeveria ime ka investuar në më pak se 4 vite, në zonat rurale të vendit 1.6 miliard dollarë. Sot, unë inaugurova fillimin e punimeve të rrugës Strumë-Fier 24 kilometra, me vlerë 400 milion lekë, së afërmi do të inauguroj rrugën Fier-Cakran, rrugën Pushimi i shoferit-Divjakë, rrugën Lushnje-Ballagat dhe rrugën Kosovë-Belsh. Nuk po numëro j me dhjetëra e dhjetëra rrugë të tjera si ajo që sapo inauguruam këtu, me kryetarin e komunës, me vlerë me 22 milion lekë. Ne kemi kthyer shtetin drejt jush. Në 4 vite, ne kemi vendosur për rritjen e pensioneve tuaja më shumë se në 17 vite të marra së bashku. Ne kemi vendosur në pensionet e pagat e shqiptarëve 4 herë më shumë se në 8 vite para këtij 4-vjeçari, të marra së bashku. Ne gjetëm një pension në fshat 34 mijë lekë dhe ky pension do të dyfishohet më 1 maj të këtij viti. Ne që ju premtuam se do të dyfishonim pensionet tuaja dhe po e bëjmë këtë realitet, ne ju premtojmë se mandatin e ardhshëm, në fshatrat e Shqipërisë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë.

Vëllezër e motra,

Unë kam një mesazh, një thirrje vëllazërore për të gjithë kryetarët e komunave të Shqipërisë, për të gjithë qytetarët shqiptarë, të ngrihemi në lartësitë e shpirtit fisnik e solidaritetit njerëzor e të vendosim të ndihmojnë çdo familje në nevojë në komunat tona. Qeveria është e gatshme të financojë  e të japë çdo ndihmë, në këtë drejtim. Ne nuk duam nuk pranojmë që qoftë edhe një qytetar i vetëm në këtë vend të qajë me lotët e ftohta të mjerimit, por të ndjejë dorën tonë, të ndjejë zemrën dhe mbështetjen tonë kudo ku ai ndodhet. Javën që vjen qeveria do të vendosë për një trajtim të ri të familjeve më në nevojë, por, të nderuar zotërinj kryetarë të komunave të mbarë Shqipërisë, çfarëdo që të bëjë qeveria, pa dhembshurinë dhe përkushtimin tuaj, të Këshillave, kryepleqve, të prefektëve dhe qarqeve të vendit, qeveria nuk mund të realizojë qëllimin e saj që asnjë shqiptar të mos përjetojë më mjerimin, por të ndjeje ndihmën dhe solidaritetin e shoqërisë dhe të shtetit.

Ne po ecim drejt mandatit të dytë, por ju garantoj se ecim drejt tij më të sigurt dhe më të bindur se kurrë për ta ndryshuar Shqipërinë në 4 vitet ardhshme, shumë herë më tepër se këto 4 vite që lamë pas. Anëtarësimi në NATO shumëfishon energjinë, shumëfishon besimin e madh të mbarë botës tek Shqipëria dhe shqiptarët. Në 4 vitet që vijnë, ne do të bëjmë që Shqipëria rurale të jetë një Shqipëri me infrastrukturë moderne, shkolla, ujësjellës, kanalizime moderne, rrugë të asfaltuara, do të bëjmë që e gjithë ultësira nga Konispoli deri në Han të Hotit të njohë projektin më të madh në historinë kombëtare, atë të ullirit. Ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë do të 5-fishoj rrënjët e ullirit në Shqipëri. Në 4 vitet që vijnë, do të investojmë për bujqësinë shqiptarë më shumë se në 70 vitet që shkuan.

Duke përfunduar, kam një premtim dhe një thirrje. Premtimi im është se, ashtu siç realizuam anëtarësimin në NATO, do të realizojmë heqjen e vizave, që edhe ne të lëvizim si qytetarë të lirë në mbarë Europën. Por apeli im është që t’i marrim letërnjoftimet elektronike, pasi pa plotësimin e këtij kushti, ju garantoj jo një, por ministrat e disa vendeve nuk do të votojnë për heqjen e vizave për Shqipërinë, sepse këtë e kanë një kusht përcaktues, identiteti i atij që ecën e viziton vendet e tyre duhet të jetë i qartë dhe i saktë. Ndaj le t’i marrim letërnjoftimet e reja dhe pasaportat për të barazuar veten tonë më qytetarët e vendeve më të zhvilluara, të Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë  e vendeve të tjera.

Edhe një herë gëzuar shkollën dhe ju ftoj që këtë periudhë deri në zgjedhje ta shndërrojmë në një periudhë debati e dialogu me çdo qytetar të komunave dhe të mbarë Shqipërisë. Ne nuk kërkojmë votën e askujt për këto që kemi bërë në 4 vite, por për ato që do të bëjmë vitet që vijnë. Ftojmë qytetarët shqiptarë, që i thonë ditës ditë, t’i shtrojnë pyetjen vetes: a ka ndryshuar Shqipëria këto 4 vite, a ka ndryshuar Struma, Kumani, apo Fieri dhe atyre që i përgjigjen po kësaj pyetjeje, u themi na jepni votën dhe besimin. Ju nuk do të zhgënjeheni, përkundrazi do të fitoni me ne.”


13/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›