Kryeministri Berisha: Në mandatin e dytë, asnjë shqiptar në varfëri
Kryeministri Berisha tha se qeveria po përgatitet një skemë të re të ndihmës sociale dhe ekonomike që do të mbulojë plotësisht familjet në nevojë dhe qeveria do të japë të gjitha fondet e nevojshme për të.
“Një skemë e re po përgatitet dhe qeveria është e gatshme të vendosë në këtë skemë të gjithë sasinë e nevojshme të fondeve, me kusht që ajo t’u adresohet njerëzve më shumë në nevojë. Skema e re do të mbulojë plotësisht familjet me një prind, me shumë fëmijë.”
Kryeministri Berisha njoftoi se ndihma sociale dhe ekonomike nga data 1 maj 2009 do të dyfishohet dhe në 4 vjet, trajtimi me ndihmë ekonomike rritet 108 përqind.
“Ndihma sociale dhe ekonomike me rritjen e këtij viti dyfishohet. Në vitin 2005, fatura e ndihmës sociale në vend ishte gjithsej 7 miliard lekë. Kam shumë kënaqi të informoj qytetarët shqiptarë se sot, kjo ndihmë kap shumën 15 miliardë lekë në muaj, pra, është rritur me 108 përqind. Në rast se do të ekonomizohej si duhet nga qeveritë vendore, do t’u adresohej atyre që kanë nevojë, siç bëjnë edhe shumica e tyre. Në të gjitha bashkitë e komunat ku shkoj, konstatoj se është mbidyfishuar.”
Duke iu referuar studimit të Bankës Botërore, PNUD-it dhe INSTAT mbi nivelin e jetesës, Kryeministri tha se politikat e saj i dhanë një përgjigje më të qëndrueshme varfërisë dhe Shqipëria sot, ka mbi 200 mijë të varfër më pak. Ai garantoi se në mandatin e dytë, qeveria do të nxjerrë nga varfëria çdo shqiptar që përjeton këtë situatë.
“Në rast se e lexuat studimin mbi varfërinë në Shqipërisë, varfëria ekstreme nga 3.6, kishte zbritur në 1.7, më shumë se përgjysmuar. Por kjo duhet të shkojë në zero dhe unë i garantoj edhe këtë 1.7 përqind të qytetarëve se ndërhyrje e shpejtë e fuqishme do të bëhet që ata ta harrojnë situatën që kanë përjetuar dhe të kenë një jetë pa dhimbje, siç e meritojnë,” u shpreh Kryeministri, duke garantuar se “jo me fjalë, por me vepra dhe vendime të tilla, qeveria do të bëjë që në mandatin e dytë as edhe një qytetar shqiptar të mos njohë varfërinë ekstreme, do të bëjë që të dalin nga varfëria, qoftë edhe me këtë veprim direkt në portofolin e tyre, edhe ata shqiptarë që, sërish, janë në varfëri.”
Duke vlerësuar se me këtë vendim qeveria përmbush një premtim, edhe pse i vështiri për shkak të shumës së madhe, Kryeministri Berisha tha se kjo politikë do të vazhdojë.
27/04/2009