E Shtunë, 31 Tetor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË SAMITIN E SOFJES.

24 prill 2009
Sofje, Bullgari

Shkëlqesia e Juaj, Presidenti Parvanov,
Shkëlqesi Presidentë dhe Përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse,
Zonja dhe Zotërinj,

Më lejoni të falenderoj Shkëlqesinë e Tij, Presidentin Parvanov, për ftesën dhe për organizimin e përkryer të këtij Samiti Ndërkombëtar, që i kapërcen dimensionet e rajonit tonë për nga niveli, nga pjesëmarrja ashtu dhe për çështjet që trajton!

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Samit është në përputhje të plotë me frymën dhe politikën e saj të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit në rajon e më gjerë, për sigurimin e kushteve dhe hapësirave të nevojshme për zhvillime afatgjata dhe të qendrueshme të sektorit të energjisë.

Si vend anëtar i Komitetit të Energjisë do të dëshiroja të ndajmë së bashku shqetësimin, se sigurimi dhe qëndrueshmëria e furnizimit me energji, po bëhen gjithnjë e më shumë çështje me një ndjeshmeri të lartë si dhe sfidat kryesore të çdo vendi në rajon dhe përtej tij.

Studimet dhe analizat kanë dëshmuar se kërkesa e vendeve të rajonit tonë për energji mbizotërohet nga varësia e burimeve të importit, për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve primare, kapaciteteve të kufizuara të prodhimit dhe të furnizimit, pozicioneve dominuese dhe monopol, si dhe zhvillimit aktual të tregjeve të energjisë.

Vlerësoj se furnizimi i qëndrueshëm me energji është dhe mbetet një çështje me rëndësi të dorës së parë për të ardhmen e zhvillimit të ekonomisë së çdo vendi, mbi bazën e diversifikimit të burimeve të furnizimit, në raport me furnizimin e deritanishëm.

Në këto rrethana, inkurajojmë dialogun, kooperimin dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese, tranzituese dhe konsumatore, sepse është e dobishme që politikat e zhvillimit të orientohen si drejt rritjes së burimeve vendore, ashtu dhe drejt diversifikimit të furnizimit, me anë të integrimit të rrjeteve dhe të projekteve në infrastrukturat e mëdha të energjisë.

Për shkak të zhvillimeve të fundit në tregjet e naftës dhe të gazit, tashmë, është konsoliduar ideja e ndërtimit të korridoreve dhe linjave të reja, të furnizimit me energji nga burimet rreth Detit Kaspik dhe nga Lindja e Mesme drejt vendeve të rajonit tonë, Europës Qendrore dhe asaj Jugore.

Kriza financiare që po vuan ekonomia botërore e bën edhe më të nevojshëm mbështetjen që duhet t’u japim projekteve të mëdha të infrastrukturave energjetike dhe, veçanërisht, gazsjellësve, depozitimeve nëntokësore dhe terminaleve të gazit.

Republika e Shqipërisë inkurajon dhe mbështet përpjekjet dhe veprimet konkrete në drejtim të kooperimit dhe integrimit të burimeve dhe të sistemeve të furnizimit me gaz, ndërmjet vendeve të Detit të Zi dhe të Europës Juglindore.

Shqipëria si vend anëtar i Komitetit të Energjisë vlerëson, veçanërisht, proçesin e fuqizimit dhe modernizimit të sistemeve dhe rrjeteve energjetike, si dhe krijimin e një tregu të hapur funksional, në nivel vendor, rajonal dhe më gjerë, sipas parimeve të Traktatit për krijimin e Komunitetit të Energjisë, për transaksionet, tranzitimet, aksesin e palës së tretë dhe transparencën e tarifave.

Si vend me një sistem energjitik të pabalancuar, me një treg me përmasa të vogla dhe me linja të pakta të interkoneksionit me vendet fqinje, Shqipëria nuk është e lidhur me rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror, gjë që ndikon në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e zhvillimit ekonomik të saj.

Shqipëria ka një program të veçantë strategjik, që mbështet zhvillimin e burimeve dhe rrjeteve energjitike, për integrimin e tyre në tregjet rajonale dhe europiane, veçanërisht, projektin e gazsjellësit Trans – Adriatik që lidh Greqinë me Italinë nëpërmjet Shqipërisë, si dhe gazesjellësin Adriatik – Jonian, që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me pjesëmarrjen e saj në këtë Samit Shqipëria konfirmon edhe njëherë vullnetin dhe interesin e saj për të bërë pjesë dhe për të kontribuar në përpjekjet, ndërhyrjet dhe projektet që synojnë forcimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe zhvillimin e rrjeteve dhe infrastrukturave rajonale të energjisë.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›