Qeveria ka investuar në 4 vite në komunën e Gjinarit 428 milionë lekë, kundrejt 1 milionë në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme

- Në këtë komunë është ndërtuar ujësjellësi Bukanik - Gjinar, me vlerë 8.7 milionë lekë, Godina e Postës, me vlerë 3.5 milionë lekë, etj projekte. Granti i dhënë për komunën Gjinar, nga 11 milionë lekë në vit që ka qenë në qeverisjen e mëparshme, është bërë 23 milionë lekë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin nisjes së punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh Elbasanin me Gjinarin, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 460 milionë lekë. Kjo rruge ka një gjatësi 22 kilometra dhe sipas projektit , përfshihet sistemimi, asfaltimi dhe ndriçimi i saj, veçanërisht në segmentet e rrugës që kalojnë nëpër qendrat e banuara të kësaj zone.
Në komunën e Gjinarit, në 4 vitet e fundit, janë investuar 428 milionë lekë, ndërkohë që në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme në këtë komunë janë investuar vetëm 1 milionë lekë. Në këtë komunë është ndërtuar ujësjellësi Bukanik Gjinar, me vlerë 8.7 milionë lekë, Godina e Postës, me vlerë 3.5 milionë lekë. Ndërkohë, granti i dhënë për komunën Gjinar, nga 11 milionë lekë në vit që ka qenë në qeverisjen e mëparshme, është bërë 23 milionë lekë.
Në fjalën e tij gjatë takimit me banorë të Gjinarit, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, ju përshëndes shumë vëllazërisht dhe dua të ndaj me ju gëzimin dhe kënaqësinë e kësaj rruge që ndërtohet me parametrat më të mira ndërkombëtare, rrugë e cila do të lidhë një nga zonat më të bukura dhe më piktoreske të vendit, Gjinarin me Elbasanin. Kjo rrugë është e një rëndësie shumë të madhe, së pari, për banorët e kësaj zone, të cilët kanë një meritë të madhe, sepse me përkushtim të madh, me dashur, kanë qëndisur këtu çdo pëllëmbë tokë, kanë bërë ndërtime të reja, dëshmi e dashurisë dhe e besimit të tyre tek vendlindja e tyre.
Unë dua të garantoj banorët e kësaj zone se, pas përfundimit të kësaj rruge, çdo fshat do ta lidhim me aksin kryesor përmes rrugëve të asfaltuara. Dua t’i garantoj banorët se çdo fshat do të ketë ujësjellësin e tij dhe se në 4 vitet që vijnë, çdo familje shqiptare do të ketë ujin brenda shtëpisë së tij. Ne jemi të vendosur për urbanizimin e plotë të fshatit shqiptar, jemi të vendosur të ndërtojmë rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla moderne, shërbime sociale, në mënyrë që ju dhe fëmijët tuaj të keni kushte të qytetëruara jetese në vendin ku ju jetoni.
Por nga ana tjetër, dua t’ju garantoj se qeveria do të mbështesë plotësisht direkt përparimin e jetës suaj. Ne kemi dyfishuar pensionet për të gjithë fermerët e vendit. Në datën 1 maj çdo burrë dhe grua pensionist në këtë zonë do të marrë 2 herë më shumë sesa në vitin 2005. Por ne kemi dyfishuar edhe ndihmën ekonomike. Në çdo komunë që shkoj kryetarët e komunave më njoftojnë se ndihma ekonomike është rritur në të gjitha rastet 100 për qind. Ne e realizuam këtë sepse është më e drejtë t’ua japësh juve direkt paratë në dorë, sesa t’i shpërndajmë ne dhe të kthehen në akciza. Jo, kjo nuk mund të ndodhë. Ne do t’jua japim juve. Ne dyfishuam ndihmën ekonomike, dyfishuam pensionet. Ne kemi investuar në zonat rurale të vendit 1.6 miliardë dollarë dhe do të investojmë dy herë më shumë në 4 vitet që vijnë.
Ne po shkojmë drejt një mandati të dytë. Është normale që të mendojmë se çfarë kemi arritur gjatë këtij mandati. Gjatë mandatit të parë ne kemi arritur gjënë më të madhe që nga pavarësia e Shqipërisë, anëtarësimin në NATO. Për veten tonë dhe për të afërmit tanë nuk ka më kërcënime të sigurisë së vendit tonë, nuk ka më kërcënime të lirive tona. Pra, nëse ne përjetuam një diktaturë ndër më të egrat, siç edhe baballarët tanë përjetuan luftëra, pushtime, djegie, ndarje territori, nga më të dhimbshmet dhe më të padrejtat, ne sot jemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi fituar një siguri për veten dhe për fëmijët tanë që nuk e kemi pasur kurrë në historinë tonë. Kjo do të thotë që çdo investim që bëhet në liri, të fitojë vlerat e veta, që do të thotë që ne, për pamundësitë që na kanë ndjekur, nuk kemi mundur të ndërtojmë të ardhme, por thjesht të mbijetojmë.
Tani ne ndërtojmë të ardhmen që meritojmë, zhvillohemi shpejt, por nga ana tjetër, anëtarësimi në NATO do të thotë një besim shumë më i madh tek Gjinari, tek Elbasani, tek Shqipëria. Ne kemi nevojë për besim, sepse është ky besim që do të sjellë investitorë nga e gjithë bota për të investuar në Gjinar, në Elbasan e në gjithë Shqipërinë. Është ky besim që e shndërroi Shqipërinë nga një vend i pasigurt, në një vend të sigurt dhe të respektuar. Pra, ne së bashku ia dolëm të shohim ndryshimin më të madh që nga pavarësia e këtij vendi.
Por nga ana tjetër, ne ia kemi dalë të ecim të sigurt në projektin tonë të dytë të madh: Shqipëria në Europë. Ne firmosëm marrëveshjen e Asociim – Stabilizimit dhe atë e ratifikuan në parlamentet e tyre, në një kohë nga më të shkurtrat, 27 vendet evropiane, duke thënë fjalët më të mira për ju dhe të gjithë shqiptarët, për qeverinë dhe reformat e realizuara. Sapo jam kthyer nga një vizitë nga një vend mik dhe mora vesh se të vetmit kundërshtarë në Parlamentin Europian kishin qenë 3 deputetë komunistë - këtë po jua them thjesht për kureshtje -, të cilët u ngritën në parlament dhe thanë që po e votuat Shqipërinë, ju fusni Ballkanin në luftë. Ndërsa miqtë tanë ishin përgjigjur se Ballkanin e fusim në Europë dhe Shqipërinë e fusim në Europë. Pra, mundi, djersa dhe reformat tona, lufta që ne i bëmë me zero tolerancë krimit të organizuar, lufta shumë e vendosur që i bëmë korrupsionit dhe që bëri të mundur që kjo qeveri të shpallet si qeveri kampion nga Transparence International për rezultatet në këtë luftë, rritja e madhe e rrogave e pensioneve, dyfishimi i buxhetit të arsimit për fëmijët tanë, lufta me eficencë të madhe kundër varfërisë, këtij armiku të madh të njeriut të lirë, bëri që reformat tona të marrin mbështetjen e 27 parlamenteve, vende anëtare të Bashkimit Europian. Jo vetëm kaq, por ka dritë të plotë jeshile për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE. Ky përbën një stad të ri shumë të rëndësishëm. Mbi bazën e asaj që kemi arritur, ne do të marrim një stacion tjetër, sa më lart dot ngjitemi aq më të lehtë e kemi rrugën tonë, aq më shpejt ne do të ndërtojmë të ardhmen.
Por nga ana tjetër, me një Shqipëri të vendosur në një drejtim të drejtë dhe të merituar, shqiptarët brenda vitit të parë të mandatit të dytë, do të lëvizin të lirë në mbarë Europën, pa viza. Kjo do të na bëjë ne të ndihemi të lirë, si shqiptarë evropian.
Por sot, ne të gjithë së bashku duhet të përmbushim një detyrim; të marrim letërnjoftimet elektronike. Të gjithë presin që të na shohin ne me të gjithë dokumentet, njësoj si qytetarët europianë. Letërnjoftimet e reja janë fjala më e fundit e teknologjisë botërore. Pasaportat biometrike, me të cilat ju do të lëvizni pa viza, përbëjnë gjithashtu teknologjinë më të fundit.
Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të faktuar ndryshimin pozitiv të këtij vendi. Kujtoj këtu fjalët e një deputeti në Parlamentin Europian, gazetar i njohur në botë, në vitin 2002, ku ne ishim në një seancë dëgjimore. Ai tha; “përse na duhen këta njerëz (shqiptarët). Ata janë në errësirë, ata nuk kanë ujë për t’u larë, nuk kanë drita, ç’punë kemi ne me ta?” Unë ju garantoj se ai nuk ishte armiku ynë, por ato ai ia thoshte Kryeministrit të vendit.
Çfarë kemi bërë ne gjatë këtyre viteve? Ne jemi përpjekur t’i lëmë pas të gjitha këto probleme. Nga fundi i vitit 2007 e këtej, ju garantoj se, në mënyrë kategorike, nuk ka pasur ndërprerje të programuar të energjisë elektrike nga qeveria. Ajo ishte një praktikë çnjerëzore që ne e trashëguam, një praktikë e cila ofendonte mbarë qytetarët shqiptarë. Shteti duhet ta blejë energjinë elektrike dhe ta sjellë tek ju. Viti 2008 ka qenë një vit i thatë dhe ne kemi blerë 2.4 miliardë kilovator energji elektrike dhe këtë blerje e kemi bërë me çmime 3 herë më të shtrenjta se sa gjendet tani në treg.
Me këtë dua të them se kemi qenë dhe do të mbetemi të ndejshëm për të plotësuar çdo kusht jetësor për ju. Ne e kemi faktuar këtë, e faktuam me infrastrukturën, me furnizimin me energji elektrike, me ndihmën e ekonomike, etj.
Ndaj, unë ju ftoj të vazhdojmë ndryshimin e vendit. Shqipëria në 4 vite ka ndryshuar më shumë se asnjëherë tjetër.
Le të vazhdojmë së bashku 4 vite të tjera, për të vijuar me projektet tona. Ne nuk kemi retorikë, ne nuk kemi fjalë. Ne do të punojmë që ju të na besoni nga veprat që ne realizojmë dhe ky do të jetë metri vlerësues për ne, nga ndërtimi i urave, rrugëve, shkollave, ujësjellësve, nga ndihma ekonomike, pensionet, sigurimi i rendit e qetësisë, nga progresi në integrimin europian dhe anëtarësimin në NATO, nga arritja e liberalizimit të vizave, etj. Këto kërkoni dhe ju dhe jam i bindur që janë interesat tuaja më të mira. Edhe njëherë gëzuar dhe do të vij sërish kur të përfundojë ndërtimi i këtij aksi rrugor”.
26/04/2009