E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministrit Berisha: Vizita e Kryeministrit Karamanlis, kontribut shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve

-          Kryeministri Karamanlis: Greqia mbetet një fqinj i mirë dhe mik i besueshëm, një aleat brenda familjes së NATO-s dhe një mbështetës i kursit të Shqipërisë drejt institucioneve europiane. Ne mbështesim dhe inkurajojmë perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Greqisë, z. Kostas Karamanlis dhe delegacionin që e shoqëronte atë. Pas takimit mes tyre, në praninë e të dy Kryeministrave, u nënshkrua Marrëveshja midis Republikës së Greqisë dhe Republikës së Shqipërisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, nga Ministri i Punëve të Jashtme Lulëzim Basha dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, znj. Dora Bakojanis.

Më pas, të dy Kryeministrat dhanë nga një deklaratë për mediat, në të cilën bënë këto komente:

Kryeministri Berisha: “Dua të falënderoj nga zemra Kryeministrin e Greqisë, mikun tim Kosta Karamanlis, për këtë vizitë shumë të rëndësishme, e cila është pa dyshim është një kontribut shumë i madh për marrëdhëniet tona miqësore. Gjithashtu, kam rastin të falënderoj Kryeministrin e Greqisë dhe mikun tim Kostas Karamanlis për mbështetjen e madhe që vet Kryeministri, qeveria dhe vendi e tij, i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe progresin për integrimin europian.

Siç i thashë mikut tim, vendi im ka pasur gjatë këtyre viteve solidaritetin më të jashtëzakonshëm nga Greqia, nga kombi grek dhe vende të tjera mike, pa të cilat progresi i Shqipërisë drejt NATO-s dhe progresi i saj drejt integrimit europian do të ishte i pamundur.

Marrëdhëniet tona politike janë me të vërtetë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme. Ne nënshkruam një marrëveshje dhe një tjetër është gati.  Konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit.

Dy vendet tona po bashkëpunojnë plotësisht në të gjitha fushat. Greqia po inkurajon investitorët e saj të vijnë të investojnë në Shqipëri. Ne jemi shumë të lumtur që, më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë janë investuar në Shqipëri nga investitorë grek dhe këto janë investuar në të gjitha fushat; telekomunikacion, shëndetësi, arsim, miniera, në çdo fushë. Gjithashtu, jemi shumë mirënjohës për financimet e Fondit Helenik për disa projekte shumë të rëndësishme, midis të cilave është autostrada Konispol-Sarandë, si dhe disa projekte të tjera të rëndësishme. Vendet tona po punojnë bashkërisht, në mënyrë të suksesshme, për të luftuar krimin e organizuar.

Mes dy vendeve ka një bashkëpunim të ngushtë në sistemin e kujdesit shëndetësor, kulturor, arsim dhe çdo fushë tjetër. Gjithashtu, kemi bashkëpunim i rëndësishëm edhe në fushën e energjisë. Ne po punojmë në dy projekte të përbashkëta për energjinë.

Kryeministri Karamanlis më siguroi se ai dhe qeveria e tij do të mbështesin ambiciet e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, sikurse, unë e sigurova atë se, për mua dhe qeverinë time, ky proces duhet të jetë i mbështetur në performancën e vendit, sepse kjo është në interesin e qytetarëve të Shqipërisë.

I thashë mikut tim se nesër Shqipëria do të aplikojë për vendin kandidat në BE, e ftuar nga Presidenca Çeke. Dua të theksoj gjithashtu se Shqipëria po përmbush të gjitha kriteret dhe standardet për zgjedhje të lira dhe ne jemi shumë të angazhuar për këtë.

Një çështje e diskutuar në takim ishte rënia dakord që ministritë tona të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e pensioneve, si për emigrantët tanë atje dhe për qytetarët grekë.

Gjatë bisedimeve tona, diskutuam edhe për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptar në Greqi. Jemi shumë të gëzuar për progresin në të gjitha aspektet dhe pa dyshim e siguroj Kryeministrin se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për respekt të plotë, bashkëpunim dhe është fokusi i qeverisë sime të investojë dhe të mbështesë komunitetet minoritare, në mënyrë që të ndryshohet pozitivisht jeta në to. Falënderoj Kryeministrin dhe qeverinë e tij për investimet dhe ndihmën e dhënë në ato zona, si dhe zona të tjera në Shqipëri.

Duke përfunduar, do doja të thosha se kjo vizitë shënon një kontribut shumë të rëndësishëm në lidhjet dhe marrëdhëniet tona miqësore".

Kryeministri Karamanlis: “Jam shumë i gëzuar që jam në Tiranë sot, e pranova me kënaqësi ftesën e mikut tim Kryeministrit Berisha, për të ardhur në Shqipëri. E kam pasur këtë dëshire për disa kohë, për të bërë këtë vizitë shumë të rëndësishme. Kjo është një vizitë që bëhet në një kohë shumë të rëndësishme, Shqipëria është bërë anëtare e familjes së NATO-s vetëm disa javë më parë. Dua të uroj sërish Kryeministrin Berisha, qeverinë shqiptare dhe popullin mik shqiptar, për këtë hap historik përpara, një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por në të njëjtën kohë për paqen, stabilitetin dhe marrëdhëniet e mira mes fqinjësh në rajonin e Ballkanit. Greqia mbetet një fqinj i mirë dhe mik i besueshëm, një aleat brenda familjes së NATO-s dhe një mbështetës i kursit të Shqipërisë drejt institucioneve europiane. Ne mbështesim dhe inkurajojmë perspektivën evropiane të Shqipërisë, si dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Me të vërtetë, ne ishim një ndër anëtarët e parë të Bashkimit Evropian që e mbështetëm Shqipërinë. Greqia ishte gjithashtu midis të parëve që pa shumë pozitivisht perspektivën e liberalizimit të regjimit të vizave, ashtu sikurse është vënë në dukje në axhendën e Selanikut, në vitin 2003. Që nga ajo kohë, ne ripërsërisim angazhimin tonë dhe e kemi ndjekur nga afër progresin e bërë deri tani për aplikimin e reformave të nevojshme, që siç e dini është plotësimi i disa kritereve të caktuara.

Gjithashtu, diskutuam me Kryeministrin Berisha për angazhimin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, aplikimin e kritereve dhe kushteve sipas standardeve evropiane, vlerave evropiane, që do të lehtësojë afrimin drejt familjes evropiane.

Zgjedhjet sipas standardeve evropiane, aplikimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit, respekti i plotë i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve janë hapa shumë të rëndësishëm ne atë drejtim.

Për sa i përket marrëdhënieve bilaterale, jam i gëzuar të nënvizoj se gjatë viteve të fundit kemi arritur një progres shumë të rëndësishëm dhe cilësor. Të dy vendet kanë bërë hapa të rëndësishëm për krijimin e një klime të re kuptimi dhe besimi, duke krijuar kështu perspektivën për një bashkëpunim më të gjerë bilateral.

Në këtë frymë, minoriteti etnik grek në Shqipëri përbën një lidhje shumë të fortë me rëndësi jetësore midis vendeve tona.

Sigurisht, që mund të arrihet më shumë në nivelin bilateral dhe në këtë frymë shumë konstruktive, e cila na lejon të përmbyllim dhe firmosim këtu në Tiranë, një marrëveshje shumë të rëndësishme, përvijimin e vijës kontinentale dhe zonës detare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Fatmirësisht, e njëjta frymë bashkëpunimi është vërejtur për marrëveshjen e nënshkruar disa muaj me parë, për varrezat e ushtarëve grek që kanë vdekur në Shqipëri gjatë luftës së madhe italiane në 1940-1941.

Ne besojmë se zhvillime të tilla përbëjnë hap cilësor përpara në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe konfirmojmë vullnetin e fortë politik për forcimin e bashkëpunimit, në një nivel që kërkohet për aleatët brenda NATO-s dhe partnerëve të ardhshëm në familjen evropiane.

Do doja të ndalesha në disa momente të tjera për sa i përket marrëdhënieve tona ekonomike. Nuk ka ndodhur aksidentalisht  që marrëdhëniet tona të mira politike bilaterale i kanë lejuar Greqisë dhe Shqipërisë të jenë partnerë të mirë në tregti, pavarësisht gjendjes së vështirë në të cilën po kalojmë në një nivel ndërkombëtar. Ndihem i detyruar të përmend dhe theksoj rëndësinë ekonomike të emigrantëve shqiptar në Greqi, që kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në ekonominë greke dhe sigurisht nëpërmjet remitancave ndikojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Me zhvillimin e qëndrueshëm dhe progresin e forte të marrëdhënieve tona ekonomike bilaterale, ne mbështesim investimet në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të përgjigjemi shumë pozitivisht kërkesave të miqve tanë shqiptar për investime dhe mundësi biznesi të frytshme dypalëshe. Në këtë frymë, adresimi i vështirësive që mund të lindin dhe bashkëpunimi konstruktiv në këtë drejtim, do të lehtësojë përpjekjet e investitorëve grek.

Përfundimisht, do doja të theksoja rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në atë që ne e quajmë procedura e Athinës, një iniciativë greke që ka të bëjë me krijimin e një tregu të përbashkët energjie në Evropën jug lindore.

Me lejoni të falënderoj edhe një herë mikun tim, Kryeministrin Berisha për ftesën dhe pritjen e ngrohtë”. 


27/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›