E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Nën moton, të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën, shqiptarët kudo që ndodhen mund të ndërtojnë të ardhmen e shkëlqyer që meritojnë

Mbledhja e Këshillit të Ministrave, e cila u zhvillua sot pasdite nën drejtimin e kryeministrit Berisha, kishte në rend të ditës një seri vendimesh të rëndësishme lidhur financimin e veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Duke marrë shkas nga kjo tematikë, kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij dhe mirënjohjen njëkohësisht, ndaj autoriteteve më të larta të Kosovës, Presidentes Ahtifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi, Kryetarëve të komunave të Gjakovës dhe Deçanit dhe në mënyrë të veçantë ndaj qytetarëve të këtyre komunave, për pritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore, si dhe për kremtimet  e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në këto komuna.

Kryeministri tha se vendosja e shtatoreve të patriotëve shqiptarë Ali Ibrës dhe Isa Boletinit, përkatësisht në Gjakovë dhe Isniq, por edhe rikthimi i Hasan Prishtinës në Shkup është një simbolikë domethënëse në nderim të këtyre figurave të shquara të kombit shqiptar në përpjekjet për liri dhe dinjitet kombëtar.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që energjia bashkuese e kombit të sublimohet në vlera të mëdha, u shpreh kryeministri- ndaj dhe motoja është të bashkohemi me njeri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën dhe unë shpresoj se me këtë moto shqiptarët kudo që ndodhen mund të ndërtojnë të ardhmen e shkëlqyer që meritojnë, tha ai.

Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave:

"Mbledhja e sotme ka një sërë vendimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë me financimin e një seri veprimtarish që lidhen me festimin e 100 vjetorit të pavarësisë. E shfrytëzoj këtë moment për të shprehur falënderimin tim më miqësor, me të sinqertë, autoriteteve më të larta të Kosovës, Presidentes së Republikës, kryeministrit, kryetarit të Komunës së Gjakovës Pal Lekaj , Kryetrait të Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të këtyre komunave për pritjen vëllazërore dhe aktivitetet që organizuan në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në këto komuna, pikërisjht vendosjen e shtatoreve, të udhëheqësit ushtarak, njërit prej komandantëve ushtarak të Lidhjes së Prizrenit Ali Ibra dhe gjeneralit të kryengritjeve shqiptare për pavarësi, Isa Boletini, përkatësisht në Gjakovë dhe në Isniq, fshatin e origjinës së Isa Boletinit. Ai ishte një udhëtim në historinë e gjatë dhe çka është e rëndësishme është fakt i pamohueshëm se udhëtimet e shqiptarëve në histori janë udhëtime drejt së ardhmes sepse plagët e krijuara nga padrejtësitë e mëdha dhe faktorët e tjerë i kanë mbajtur ata ndonëse një shpirt, një kulturë, një zemër i kanë mbajtur ata të ndarë nga njëri-tjetri dhe ky proces që ka nisur, ai i bashkimit kombëtar është një proces i pandalshëm, një ideal sublim i atyre qindra dhe mijëra shqiptarëve që kanë rënë, nga vitet 1878 deri në vitin 2001, në trevat shqiptare,  për liri dhe dinjitet kombëtar.

Ëndrra e tyre pret te realizohet ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen mirë dhe asgjëkundi të mos ndihen jetim dhe të shkëputur nga kombi, pasi kudo që ndodhen janë një vazhdimësi etnike, shumicë etnike dhe gjeografike. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që energjia bashkuese e kombit të sublimohet në vlera të mëdha, ndaj dhe motoja është të bashkohemi me njeri-tjetrin, të bashkohemi me Evropën dhe unë shpresoj se me këtë moto shqiptarët kudo që ndodhen mund të ndërtojnë të ardhmen e shkëlqyer që meritojnë.

Ishte një moment historik i veçantë rikthimi Hasan Prishtinës në Shkup, ideologu dhe udhëheqësi kryesor i të gjitha lëvizjeve shqiptare për pavarësi në vitet 1908-1912, lëvizje që tronditën në palcë Perandorinë osmane dhe iu bënë të qartë mbanë botës se shqiptarët janë të vendosur tu dalin zot interesave të tyre kombëtare.

Shtatorja  e ngritur  në Shkup ishte nderimi më i madh që mund ti bëhej këtij Robespierre-i të revolucionit të shqiptarëve për pavarësi. Të gjitha kryengritjet e mëdha të tyre drejtim kishin Shkupin që ishte edhe qyteti më i madh i shqiptarëve gjatë shumë  e shumë shekujve. Në shkup ai shpalli më 14 tetor të gjithë programin që parashikonte pavarësinë si zgjidhjen e vetme, por natyrisht u deshën 100 vjet pothuaj që ky projekt të realizohej me pavarësinë  e kosovës. Pra udhëtimi ynë në histori është udhëtim drejt së ardhmes dhe nuk mund të konceptohen ndryshe vlerat e krijuara duhet të na frymëzojnë ne, për ti zhvilluar dhe çuar më tej ato në interesin më të mirë të shqiptarëve kudo që jetojnë ato. Është e vërtetë që ata janë të shpërndarë në shtete, por kjo nuk mund ti pengojë ata të bëjnë gjithcka për të përjetuar tërë sensin e unitetit dhe bashkimit kombëtar. Nuk mund të ndihen të vetmuar dhe të braktisur në ansjë vend që ata jetojnë.

* * *

Dua të theksoj dhe të informoj shqiptarët se rritja ekonomike e tremujorit të dytë, siç konfirmoi Instituti i statistikave është e tillë saqë mund të themi se ekonomia doli nga plogështia e diktuar, nga një dimër i egër i paparë në 35 vitet e fundit. Faktikisht rritja ekonomike në tremujorin e dytë ishte mbi 2 %. Nuk them se kjo është rritja më e mirë që ne presim. Rritje në vazhdim ne presim tremujorin e tretë kur është bumi turistik dhe tremujorin e katërt, pra e rëndësishme është që ekonomia sërish dëshmoi vitalitetin e saj, vitalitet që përkthehet në rritjen në një tremujor, 4 herë më të madhe se ajo që parashikon FMN si rritje vjetore dhe natyrisht në parashikimin e tyre nuk ka asgjë keqdashëse përveç idesë së tyre që të bëhet një përkujdesje e madhe për sa i përket shpenzimeve, të bëhet një përkujdesje  e madhe për sa i përket disiplinës fiskale, të gjitha këto së bashku kanë bërë FMN që të bëjë një parashikim që të jemi realist me ju kaq shumë jo, por deri aty afër Ministria e Financave do ta pëlqente shumë.


16/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›