E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën rajonale "Kontributi i grave sipërmarrëse shqiptare në ekonomi'

Kryeministri Berisha përshëndeti sot Konferencën rajonale me temë; "Kontributi i grave sipërmarrëse shqiptare në ekonomi', që mbahet në kuadër të javës evropiane të SME-ve 2012. Takimi i organizuar nga Forumi i Dhomave te Tregtisë te Jonit dhe Adriatikut, në bashkëpunim me shoqatën shqiptare të grave profesioniste dhe afariste, synon promovimin dhe ndarjen e eksperiencave të suksesshme të biznesit që nxisin e mbështesin sipërmarrjen e gruas dhe krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit rajonal.

Duke falënderuar përzemërsisht për ftesën e bërë, Kryeministri u shpreh në përshëndetjen e tij se përpjekjet dhe angazhimi i vajzave shqiptare është i një rëndësie kryesore për zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë shqiptare.

Kryeministri tha se, pavarësisht nga stadi i zhvillimit në të cilin ndodhet një vend, ekziston muri mijëravjeçar i patriarkisë, i cili gjeneron çdo ditë padrejtësi ndaj gjinisë femërore. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se përpjekja kryesore për të shembur këtë mur përbën kushtin vendimtar për një emancipim të vërtetë shoqëror dhe për shfrytëzimin e potencialit të madh të energjive, të mendjes dhe gjenisë krijuese të grave.

Kryeministri garantoi se qeveria do të mbështesë dhe përkrahë angazhimin e grave në sipërmarrjet e lira, duke i zgjeruar gjithnjë e më shumë hapësirën e biznesit për to, me bindjen se angazhimi i tyre do të krijojë gjithmonë histori suksesi.

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha në takimin rajonal të grave sipërmarrëse:

« Së pari, ju falënderoj përzemërsisht për pritjen që më rezervuat, pritje prekëse për mua sepse në tërë përpjekjen e tij, njeriu nuk i detyrohet askujt me shumë se nënës së vet dhe motrës së vet, ndaj dhe unë dua t'ju shpreh me këtë rast, respektin më të thellë, falënderimin më të përzemërt për ftesën që më bëtë dhedua t'ju garantoj se përpjekjet dhe angazhimin e vajzave shqiptare e konsideroj të një rëndësie kryesore për zhvillimin e vendit, për zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Në cilindo stad zhvillimi që të ndodhet një vend, ata që vështrojnë me realizëm shoqërinë e shohin atë të ndarë me një mur mijëravjeçar, i cili gjeneron çdo ditë padrejtësi, ndaj gjinisë femërore dhe ky është muri i patriarkisë.

Në çdo shoqëri, përpjekja kryesore për të shembur këtë mur përbën kushtin vendimtar për një emancipim të vërtetë shoqëror, përbën kushtin për një zhvillim të shpejtë dhe të harmonishëm, përbën kushtin për mobilizimin dhe shfrytëzimit të potencialit të madh te energjive, të gjenisë krijuese dhe mendjes së gjysmës së shoqërisë njerëzore. Në shoqëritë  e lira muri ka efektet e tij direkte, sërish në vendet më të zhvilluara pabarazia midis grave dhe burrave në shpërblimin e tyre është një realitet i hidhur dhe unë ju garantoj se nuk ka betejë më të rëndësishme për të luftuar kundër këtij muri se sa angazhimi i grave dhe vajzave me guxim dhe kurajë në sipërmarrjen e lirë.

Në vitin 2005 diferenca gjinore në paga, në Shqipëri ishte ndër më të lartat ishte 36% dhe kjo nuk ishte e shkruar në ligje, por ishte e shkruar në kodet  e ketij muri arkaik, ndaj dhe është një detyrë e juaja në radhë të parë, e shoqërisë  që ditë për ditë të luftojë për çmontimin e tij. Nuk ka sot rrugë më eficente sesa angazhimi i grave në sipërmarrjen e lirë.

Kur ti shqyrton këtë pabarazi ajo krijohet nga dy, tre faktorë, ajo krijohet së pari për profesionet dhe preferencat mashkullore, krijohet për vendet drejtuese në krye të bizneseve dhe po kështu në politikë. Krijohet për nivelin qartësisht më të ulët të punësimit të grave në raport me burrat. Por kjo diferencë mund të luftohet plotësisht në rast se adaptohen politika të drejta që synojnë ta ngushtojnë atë në mënyrë progresive. Dhe këto politika ne jemi përpjekur ti zbatojmë në këtë vend. Në rast se në vitin 2005 diferenca ishte 36 %, unë ju konfirmoj ju se në vitin 2011, sipas studimeve të kryera nga BB, kjo diferencë ka zbritur ne 17,6 % dhe është në nivelin e diferencës mesatare të BE, e cila është 17,5%. Në këtë kontekst, Shqipëria lë pas mbi 10 vende të zhvilluara të BE. E rëndësishme është që përpjekjet dhe politikat për të ngushtuar dallimin gjinor në rrafshin e të ardhurave financiare vjen duke u ngushtuar. Ne sot për sa i përket shkollimit fatmirësisht e kemi më mirë tek vajzat dhe gratë se sa tek djemtë dhe burrat dhe në këtë kontekst gjinia tjetër nuk mund të pretendojë se është më e mirëshkolluar. Jo e vërteta është se më mirë të shkolluara janë vajzat dhe gratë dhe kjo është një arritje shumë e madhe, një arritje të cilën ne do ta konsolidojmë gjithnjë e më shumë, por prapë se prapë bizneset fatkeqësisht dominohen në tërësi nga burrat dhe përsëri këtu qeveria ka dhe duhet të ndërhyjë. Katastrofat dhe krizat e mëdha nuk i krijuan gratë menaxhere, por për papërgjegjshmëritë  e burrave menaxherë. Aq e vërtete është kjo sa presidenti Barack Obama në një vendim do ta quaja historik i zëvendësoi të gjithë drejtuesit dhe postet kryesore të mbikëqyrjes financiare me gra.

Ndaj dhe do të përpiqemi të zgjerojmë gjithnjë e më shumë hapësirën dhe biznesin për ju. Unë jam i mendimit dhe ju garantoj se do të qëndrojmë bëjmë gjithçka që linjat e kreditit për bizneset  të ecin drejt jush, në përparësi. Një gjë është e sigurtë, në bingo dhe në kazino nuk përfundojnë ato para. Por përkundrazi në një përkushtim të madh tuajin ato do të bëhen një histori suksesi. Unë i kam kërkuar ministrisë së bujqësisë, së ekonomisë me ato fonde modeste që ne adresojmë të kenë në rradhë të parë synim mbështetjen tuaj për ngritjen e sipërmarrjes së lirë nga vajzat dhe gratë.

Sërish nuk jemi në nivelin e duhur, por kemi shembujt e suksesit të shkëlqyer, e suksesit që rrezaton në Shqipëri, në Evropë dhe në botë, sic ëhstë rasti i zonjës Manjola, sic janë një seri rastesh të tjera, të cilat me të vërtetë me eficencën e drejtimit të sipërmarrjes së tyre janë shndërruar në model për vajzat dhe gratë  e tjera në Shqipëri. Ju përgëzoj dhe njëherë për këtë konferencë rajonale shumë e dobishme për të shkëmbyer eksperiencat, për të lidhur partneritetet e frytshme të suksesit.

Dhe unë ju garantoj ju se kjo qeveri që përgjysmoi diferencën në paga midis grave dhe burrave është e vendosur që diferencën ekzistuese ta zvogëlojë në mënyrë progresive dhe ko kësaj rradhe duke mbështetur suksesin gjithnjë në ritje të grave dhe vajzave në fushën e biznesit


15/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›