E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministri Berisha në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Zonja  deputete

Zotërinj deputetë

Ditëlindja, më shumë se çdo gjë tjetër, është një rast i madh dhe fatlum për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre, të cilët, me përkushtim, përpjekje të përbashkëta e në bashkëpunim të ngushtë, kanë bërë të mundur që të kapësh stacionin, në të cilin ndodhesh. Nuk ka dyshim që, në këtë kontekst, falenderimi i parë i takon Zotit, për të gjitha mundësitë, forcën, frymëzimin, që të ka dhënë dhe të jep. Falenderimi i takon familjes, bashkëshortes, fëmijëve, njerëzve të mi të afërt, të gjithëve pa përjashtim, për sakrificën, mbështetjen dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar. Një falenderim i takon bashkëpunëtorëve të mi në Partinë Demokratike dhe grupin parlamentar të saj, anëtarëve, militantëve, drejtuesve të saj të të gjitha niveleve, të cilët kanë derdhur në drejtimin tënd energji  të jashtëzakonshme, frymëzuese për ty. Ju takon punonjësve, bashkëpunëtorëve të ngushtë të parlamentit, të Këshillit  të Ministrave, administratës shtetërore,  më te cilët ti ke realizuar projektet që i  ke mbrojtur dhe quajtur më të mira. Pra, kjo ditëlindje  më jep një rast, t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë atyre, që  më kanë ndihmuar, më kanë inkurajuar, më kanë mbështetur, më kanë frymëzuar në punën time. Mbetem i detyruar ndaj  gjithë secilit!

Ditëlindja e ka edhe momentin e saj të misterit. Sado që gjithçka është në dritë, prapë një vegim vjen e del edhe misteri. Dua t’ju rrëfej se, në momentin e misterit, u pyeta të shpreh tre dëshira. Dy i kisha gati: Kërkova dy gjysma të tjera të viteve dhe mandateve. E treta, ma lejo për vitin tjetër dhe u pranua. Nuk besoj se isha shumë lakmitar në kërkesat e mia. Thjesht, dy gjysma që  më kanë mbetur. 

Sot pata kënaqësinë e madhe ta filloj ditën e re, me një mesazh nga mbesa ime Sara, në orën 12-të të natës dhe aktivitetin e ditës e fillova me një konferencë të grave biznesmenë të Shqipërisë dhe të rajonit, të cilën e konsiderova një ogur shumë të bardhë.

Duke u kthyer tek çështje të ditës, vendimi i Komisionit Europian, për t’i rekomanduar vendeve anëtare të Bashkimit Europian, dhënien e statusit Shqipërisë, ishte një vendim historik, për çdo shqiptar. Theksoj edhe njëherë se ky ishte vendimi më i rëndësishëm që ky institucion, i cili këtë javë mori në mënyrën më të merituar çmimin Nobel për Paqen, ka marrë ndonjëherë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për këtë vendim historik, në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky vendim është dëshmi e vlerësimit të përpjekjeve të mëdha, e arritjeve dhe suksesit të reformave në Shqipëri, pa të cilat, ky vendim do të ishte i pamundur.

Reformave në fushën ekonomike, të cilat kanë bërë që Shqipëria, edhe në kushtet e krizës së thellë europiane, të ketë një histori të qartë të performancës ekonomike jashtë recensionit. Ju i dëgjuat  të dhënat dhe është e vërtetë që tremujori i  parë ishte shumë i vështirë, për shkak të një dimri të thellë që mbuloi gjithë vendin. Por në tremujorin e dytë, ekonomia shqiptare, sërish, dëshmoi  një  rritje  mbi 2% dhe jam i bindur se në tremujorët e tjerë do të jetë edhe më e madhe. Shitjet e përgjithshme kanë një rritje prej 25.6%. Ata, të cilët pretendojnë se është ulur fuqia  blerëse,  unë i ftoj që të lexojnë shitjet. Shitjet janë treguesi më i fortë më i pa kundërshtueshëm i fuqisë blerëse. Performanca e kësaj ekonomie u certifikua  në mënyrë të qartë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili deklaroi botërisht, - një deklaratë që ka rezonuar  në të gjithë shtypin botëror, - se Shqipëria ia detyron performancën ekonomike, reformave të ndërmarra para fillimit të krizës dhe në këto reforma ishte ulja e taksave, përgjysmimi i barrës fiskale.

Reforma të thella janë ndërmarrë edhe në fushën e arsimit, shëndetësisë, në fushën sociale. Ky është i vetmi vend, ndoshta, që ka rritur faturën sociale nga 6 % në 9 % të GDP-së. E vërteta është  se, nëse do të përfshinim edhe sektorin privat në fushën sociale, i cili po konsolidohet gjithnjë e më shumë, kjo përqindje shkon edhe më shumë. Reforma të tjera janë bërë në fushën e bujqësisë, turizmit. Në tërësi,  këto reforma kanë bërë të mundur këtë quantum leap të Shqipërisë.

Natyrisht, Shqipëria tregoi probleme serioze në votimin e ligjeve me 3/5, pasi parlamenti u bojkotua dhe nuk u votua për 2 vite më radhë. Por e drejta është e drejtë! Komisioni nuk do të rekomandonte kurrë marrjen e statusit për Shqipërinë, në rast se Shqipëria nuk do të kishte realizuar standardet ndërkombëtare në zgjedhje.  Komisioni nuk do ta sugjeronte këtë, në rast se qeveria shqiptare nuk do të kishte treguar tolerancë dhe vullnet, për të bashkëpunuar me opozitën. E vërteta është se marrëveshja e nëntorit e vitit të shkuar, për dy vjet me radhë qëndroi pikë për pikë, në tryezën e opozitës. Më së fundi e pranoi dhe gjatë këtyre muajve u punua me frymë në tërësi mirëkuptimi. Jo vetëm u përfundua reforma zgjedhore dhe disa reforma të tjera, por ajo që është e rëndësie më të madhe, edhe kufizimi i imunitetit.

Tani, Komisioni ka përcaktuar tre detyra, të cilat komisioneri Fyle, në konferencën e  shtypit i shtroi qartë si drita e diellit: Votoni ligjin për Gjykatën e Lartë; votoni ligjin për statusin e nëpunësit civil; votoni rregulloren e Kuvendit. Unë uroj që këto ligje t’i votojmë këtë javë ose javën tjetër, pasi gjithçka është gati, në qoftë se nuk ekziston vullneti për t’i bllokuar ato.

Dua të ndalem edhe njëherë, të sqaroj qytetarët për qarkun e Fierit. Këshilltarë të “Aleancës për të Ardhmen”, pasi janë zgjedhur,  kanë kaluar me mazhorancën, në koalicionin  “Aleanca për Qytetarin”, sikundër ndonjë tek-tuk ka kaluar në krahun e kundërt. Pra, kanë bërë gjestin që kanë bërë dy ish deputetët e Partisë Demokratike, Sterkaj dhe Oketa. Për ta ilustruar këtë po i referohem rastit konkretisht. Wshtë krijuar një realitet ku 50 këshilltarë janë të mazhorancës dhe  43 janë të minorancës dhe kanë paditur njëri-tjetrin me breshëri padish, me mbi 18 gjyqe. Një vendim i Gjykatës së Lartë, e cila ka lënë në fuqi vulën, firmën dhe çdo gjë të kryetarit aktual të qarkut, me kusht, derisa çështja të zgjidhet në themel dhe se kur zgjidhet çështja në themel, kjo nuk është as në dorën tonë dhe as të zotit Rama, por është i procesit gjyqësor që ndjek procedurën.

A ka zgjidhje tjetër? Absolutisht brenda javëve. Zgjidhja është: mocion besimi për këshilltarët, në të gjitha komunat dhe bashkitë e qarkut të Fierit. Meqenëse ndonjë drejtues i tyre ka dhuntinë ta lexojë së prapthi ligjin, unë ju kërkoj njerëzisht, qytetarëve shqiptarë, vëmendjen e tyre, t’u lexoj se çfarë thonë Kushtetuta dhe ligjet  e vendit për Këshillin e Qarkun dhe Këshillat Komunalë dhe Bashkiakë, në këtë aspekt. Kushtetuta thotë: Organi përfaqësues i qarkut është Këshilli i Qarkut. Bashkitë dhe komunat delegojnë anëtarë në Këshillin e Qarkut, në përpjesëtim me  popullsinë  e tyre, por, për çdo rast, të paktën një anëtar. Kryetarët e bashkive dhe komunave janë kurdoherë anëtarë të Këshillit të Qarkut. Anëtarët e tjerë të tij zgjidhen me lista përpjesëtimore, ndër këshilltarët bashkiakë ose komunalë, nga këshillat përkatëse. Pra, anëtarët e këtij  parlamenti në qark i zgjedhin anëtarët e parlamentit në komuna apo bashki,  apo anëtarët e komunave apo bashkive. Ligji organik i qeverive vendore, neni 32 thotë: Detyrat dhe kompetencat e Këshillit Komunal ose Bashkiak. Pika “i”  të nenit 32 thotë se Këshilli Komunal ose Bashkiak zgjedh përfaqësuesit e Këshillit Komunal ose Bashkiak në Këshillin e Qarkut. Neni 52, - 1) mandati i këshilltarit të qarkut humbet, kur anëtari i Këshillit të Qarkut mbaron mandatin, 2) kur humbet mandatin si kryetar komune ose bashkie, sepse këta janë të zgjedhur direkt nga populli dhe nuk delegohen, 3) mandati i anëtarit hiqet nga Këshilli Komunal ose Bashkiak përkatës. Pra, kur i mbaron mandati një anëtari në Këshillin e Qarkut, ky mandat hiqet nga anëtarët.

Neni 52 tregon qartë se mandati hiqet nga Këshilli i Komunës ose i Bashkisë. Në këto raste humbet mandati i Këshillit të Qarkut, sepse ky është me delegim dhe nuk mund të qëndroje kush në qeveri, nëse qeveria humbet shumicën në parlament. Që në momentin e krijimit të një shumice tjetër, parlamenti ka tagrin të krijojë Këshillin e Ministrave që dëshiron. Edhe në këtë rast, në qoftë se shumicat ndryshojnë në këshillat komunale dhe bashkiake, atyre ju takon e drejta të kenë përfaqësuesit që duan, ndaj në përputhje me nenin 52, mandati i anëtarit hiqet nga Këshilli Komunal ose Bashkiak përkatës. Ndaj unë  e ftoj zotin Rama, në zbatim të këtij ligji, t’i japim përgjigje ligjore Fierit dhe të mos kemi frikë, sesi do të votojnë. Le të votojnë si të duan. Të mos bëjmë barrikada, të bëjmë këtë akt civiliteti dhe të votojmë ligjin e Gjykatës së Lartë  në parlament, sepse të gjithë anëtarët e zgjedhur në këshillat komunale dhe bashkiake për në Këshillin e Qarkut mund të votëbesohen dhe të largohen prej tij. Nëse gjykata e gjen “x” këshilltar jo në rregull, ajo nuk mund t’ia heqë kurrë Këshillit të drejtën e mocionit dhe të votëbesimit për anëtarët e Këshillit të qarkut, sepse është njëlloj si t’i heqësh parlamentit të drejtën e votëbesimit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, gjë që nuk mund të ndodhe kurrë, sepse. është njëlloj si t’i  heqësh të drejtën e votimit për kryesinë e Këshillit. Ky është mekanizmi dhe kjo është përgjigja. Ligji organik i pushtetit vendor, në nenin 32, qartëson se Këshilli i Komunës dhe i Bashkisë zgjedh përfaqësuesit e Këshillit Komunal ose Bashkiak në Këshillin e Qarkut. Neni 52 thotë se mandati i anëtarit të Këshillit të Qarkut hiqet nga Këshilli Komunal ose Bashkiak. Kjo është e vërteta!

Edhe njëherë  ftoj zotin Rama të zbatojë rregullat më elementare të funksionimit të organeve të zgjedhura. Organe, të cilat nuk mund të qëndrojnë kurrë në vendin që kanë, në rast se humbasin shumicën. Mblidhet shumica, dhe i merr shumica vendimet.

Problemi i dytë, problemi i rregullores së parlamentit. Siç e dini, ky problem, në mënyrë absolute, nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston në marrëveshjen e nëntorit, ndonëse  zoti Rama e kishte kërkuar tre muaj rresht. Unë kisha qene kategorik jo, për këtë, sepse rregullorja në këtë pikë është tërësisht e hartuar në përputhje me Kushtetutën, është  e hartuar nga PS-ja pa iu ndryshuar një germë. Zoti Rama e pranoi këtë, firmosi marrëveshjen dhe në vendimin e parlamentit stipulohet se rregullorja të reformohet duke marrë për bazë vetëm rregulloren  e Parlamenti Europian dhe kërkesat e komisionit. Persistuan muaj të tërë që Gramoz  Ruçi duhet të ketë kohën, që duhet të ketë kryeministri në parlament, paçka se kryeministri i vendit, sipas kushtetutës të votuar nga Partia Socialiste dhe sipas çdo kushtetute europiane ka të drejtë të pakufizuar për të marrë fjalën në parlament. Kryeministri e merr fjalën sa herë të doje në parlament. Ky është rregull universal për kryeministrin dhe ky rregull nuk është për kryetarin e opozitës. Në mënyrë absolute nuk është në asnjë ligj të vendit. Kryetari i opozitës, edhe në vendin më demokratik, barazohet me një ministër, në planin protokollar. Në parlament bazohet me kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare. Megjithatë, në një moment të caktuar, mu kërkua nëse do pranoja që për hir të një zgjidhjeje, pas ndërhyrjes kryesore të kryeministrit, të marrë fjalën direkt kryetari i opozitës, në një kohë me të gjatë se ajo që parashikohet, unë  e pranova. Ju informova edhe juve dhe zoti Rama hapi gazetat, ”tërhiqet Berisha” dhe unë nuk pata ndonjë keqardhje. Unë pranova për hir të kompromisit dhe kjo ishte një gentleman agreement . Por kur zoti Rama e pa që unë pranova, njëlloj siç bëri me çështjen e imunitetit, tani thotë jo, duhet sa herë të flasë kryeministri. Atëherë të krijojmë dy pushtetin  kushtetues, të krijojmë dy kryeministra në Kushtetutë dhe kjo vetëm e vetëm, sepse ti nuk sheh perspektivë për të ardhur në pushtet, se ti e ke të qartë, siç pati thënë një miku im, se je politikan i mrekullueshëm, por je për kohë të gjatë, të gjatë, të gjatë, në opozitë. Kështu i tha në zyrën e tij. Si ka mundësi të kërkosh të krijohen në vend dy kryeministra dhe kjo vetëm për faktin se ti nuk  fiton zgjedhjet! Zotëri, kjo nuk mund të ndodhë! Zotërinjve që thonë çështje minutash, u them se e kanë shumë gabim, se tregojnë një deficit të theksuar të kulturës politike. Nuk ka vend në botë, ku parlamenti funksionon në paritet, me dy kryeministra. Askund! Nëse pranohet ky parim, deputetët e tjerë bëhen të paqenë. Atëherë, parlamenti bëhet arenë e dy kalorësve dhe dëmtohet në mënyrë palcore. Kryetari i opozitës, si kryetar i grupit të minorancës, ka të drejtë për çdo nen të ligjit të flasë 20 minuta, ka të drejtë që në një ligj, me 100 nene, të flasë 2 mijë minuta, ka të drejtë për një çështje, në parim, të flasë 20 minuta. E vërteta është se këto nene i kanë bërë vetë kur ishin në pushtet. Dakord, bën kryeministri ndërhyrjen kryesore, e drejta e përgjigjes ka qenë dy minuta, le të jetë 10 minuta dhe unë nuk kam asnjë kundërshtim. Por, nëse këtë do që ta transfuzosh për çdo ndërhyjë të kryeministrit, kjo nuk mund të ndodhe kurrë, se ky është rrënim i parlamentit. Zotëria ta harrojë se do të bëhesh kryeministër nëpërmjet rregullores. Kryeministër bëhesh kur të të votojë populli dhe nuk është faji i kryeministrit,  nëse populli nuk të voton. Me këto, ai i thotë popullit, unë nuk fitoj. Për mua lufton ai?! Ai u thotë shqiptarëve se unë nuk fitoj dot, ndaj të bëjmë këto rregulla. Unë i bej thirrje: Urdhëroni të bëjmë  kompromis e t’i votojmë këto, sepse e vërteta është se nëse bllokon në 100 vjetorin e pavarësisë, këto tre reforma, bën një veprim me pasoja të pallogaritshme, për vendin, PS-në, edhe për ju. Uroj dhe shpresoj që të ulet grupi, t’i punojë dhe t’i sjelle në parlament t’i votojmë.

Është edhe ligji për shërbimin civil, i cili është hartuar i tërë me konsulencën e përzgjedhur nga Bashkimin Europian. E ftoj të bëjë çfarë vërejtjesh ka për çdo nen të tij, - vetëm të ruhen standardet, sepse është ligj që monitorohet me shumë vëmendje - dhe le t’i votojmë bashkërisht.

Edhe njëherë, dua të ndalem në dy probleme për grevën e urisë së ish të përndjekurve. Greva e urisë është kryekëput politike. Grevë, e cila u ndërmor nga një grup i kufizuar njerëzish, i cili prej 20 vitesh, që ditën e daljes nga burgjet, i është kundërvënë për arsye politike Partisë Demokratike. Gjë që, në një vend pluralist, ka qenë diçka normale, ndonëse ne ishim partia e parë opozitare që i imponuam regjimit lirimin e të burgosurve politikë. Ata, të cilët  duan t’ia atribuojnë Ramiz Alisë këtë vepër, tregojnë se kanë mbetur skllevër të atij regjimi. Ramiz Alia nuk i liroi ata, përpara se qytetarët të mbushnin rrugët e sheshet në demonstrata “Lironi vëllezërit tanë”. Kujtdo mund t’ia  atribuosh, por t’ia atribuosh Ramiz Alisë është njëlloj si t’i shtrish edhe njëherë qafën xhelatit. Por zgjedhjet janë të veçanta. PD-ja erdhi në pushtet, në kushtet më të mira të vendit, si në asnjë vend tjetër dhe bëri gjithçka, për të treguar solidaritetin ndaj këtyre qytetarëve të martirizuar për së gjalli, në burgjet dhe kampet e Enver Hoxhës.

Të dashur qytetarë

Çfarë kemi bërë ne për çështjen e të përndjekurve? Ne kemi vendosur një standard që nuk ekziston në asnjë vend ish komunist, në qëndrimin ndaj të përndjekurve dhe ky standard është vendosur në bashkëpunim të plotë me përfaqësuesit e shoqatave të të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Ky standard, së pari, përcakton një shpërblim prej 18.6 dollarë një ditë burg. Duhet të kemi parasysh se cila ishte dita e punës në kooperativa bujqësore apo uzina. Ajo ishte me kursin real 3-4 cent, me kursin zyrtar ishte 30-40 cent. Por shqiptarët kanë një memorie që u kujton se si në kooperativat bujqësore, pasi u jepnin 25 lekë të vjetra në ditë, në fund të vitit mblidhej Asambleja dhe u thoshte se kemi dalë me humbje dhe ktheni ndonjë pesëlekësh. Këto ishin rrogat në uzina e fabrika. Megjithatë, ne caktuam 18.6 dollarë ditën e burgut dhe kemi bërë shumë mirë, sepse rinia e tyre, jeta e tyre, kalvari i tyre nuk mund të shpërblehej me asgjë.

Ne jo vetëm kemi vendosur këtë standard, por kemi bërë çfarë kemi pasur në dorë. Janë dhënë rreth 2200 apartamente për ta. Ja çfarë më shkruante njëri në një mesazh, për zotin Valter që është në grevë. Ai ka marrë shtëpi 3 + kuzhinë, por e ka shitur në bixhoz. Dhe zoti Valter deklaronte para mediave se nuk kishte marrë kurrë asgjë nga kjo qeveri diktatoriale. Zoti Karamuça ka marrë 2 dhoma e një guzhinë, ndërkohë që zotohej e betohej se nuk kishte marrë asgjë nga kjo qeveri. Kush e menazhon grevën e tyre? Një kriminel ordiner, i vendosur vetëm për të damkosur vuajtjen e të përndjekurve politikë.

Greva është e stisur nga segmentet më të zeza të policisë së vjetër. Nuk mund të gjendjet kurrë një zëdhënës, i cili për vite me radhë kishte ndërtuar bordellon në mes të Tiranës dhe shfrytëzonte barbarisht gra e vajza, për t’u pasuruar vetë, sepse ishte i përndjekur. Nuk është rastësisht i përzgjedhur, pikërisht ai. Është përzgjedhur me kujdesin më të madh.

Unë u bëj thirrje familjarëve të mos lejojnë që njerëzit e tyre të shkelmohen e përlyhen nga individë si këta, që nuk kanë asgjë me moralin e tyre, që janë të zhveshur nga çdo normë morale. A e dini se çfarë u thoshte ai disa gazetarëve? Që  prostitutat m’i sillte PD-ja, por doli se PD-ja ishte në opozitë, kur ai ishte dënuar. Pra, këta janë menaxherët dhe disa nga pjesëmarrësit e kësaj greve. Ndreca përfitoi fabrikë, nëpërmjet letrave me vlerë të dhëna nga qeveria e PD-së, gjithashtu pronar i impiantit të mbarështrimit të derrave. Por ky biznes do punë dhe jo raki, jo bixhos, për t’i menaxhuar. Ai mori kredi, por banka ia konfiskoi, sepse, nëse bëhesh delenxhi e nuk paguan borxhin, konfiskohesh. Ligji vepron. Kështu që i ikën edhe derrat, dhe tani, në grazhdin e PS-së, do të ndërtojë bizneset e reja.

Për të përndjekurit politikë, gjatë këtyre viteve janë dhënë nëpërmjet letrave me vlerë, 2762 sipërmarrje, fabrika mielli, fabrika tullash, fabrika vaji, fabrika ushqimesh, dyqane, automjete. Ata i kanë merituar plotësisht. Janë dhënë lekë privatizimesh, me vlerë identike me lekun, mbi 103 milionë  dollarë. Kanë marrë që të gjithë pa përjashtim transhin e parë, përveç atyre që i kanë sjellë dokumentet jashtë çdo afati, ose i kanë në shqyrtim. Kërkuan që ata, të cilët janë mbi 83 vjeç t’i marrin të gjitha lekët. Ne e pranuam. Kërkuan që transhi i dytë të fillojë me ata që ishin mbi 65 vjeç. Sërish e pranuam. Kjo përfundoi dhe tani ka filluar transhi i dytë, sipas rregullit ligjor. Unë do pranoja plotësisht, nëse ata do të paraqisnin fakte se në shpërndarjen e transheve nuk janë zbatuar rregullat, ose nëse janë anashkaluar ato. Por rregullat janë zbatuar me seriozitetin më të madh. Pra, ky është qëndrimi ynë.

Të dashur qytetarë,

Kjo është një faturë shumë e madhe, por, nga ana tjetër, ne ndihemi të qetë, sepse kemi njohur një borxh që shoqëria shqiptare ka ndaj këtyre burrave e grave, të cilët shkrinë jetën e tyre në kampet e përqendrimit, në burgjet më të egra të Europës, në minierat më të vështira, në ndërtimet më të mëdha. Ndaj edhe ne i qëndrojmë çështjes së tyre. Fatura është 2 miliardë euro. Ajo po përllogaritet, sepse vazhdimisht futen kontingjente të reja. Por shoqëria ka njohur borxhin. Të përndjekurit politikë kanë pasur mençurinë, moralin dhe integritetin të pranojnë mekanizmin e vendosur.

Çfarë morën në 8 vite qeverisjeje të PS-së? Zero! Sa morën anëtarët e Byrosë Politike dhe Ramiz Alia për burgjet që bënë për genocidin? Shumë e shumë miliona. Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Arianit Çela, që të gjithë u dëmshpërblyen me shuma përrallore, për vitet e burgut që bënë, të dënuar për genocid e krime kundër njerëzimit. Por asnjë prej viktimave të tyre nuk mori as edhe 5 lekë nga qeveria e PS-së.

Ky grup i vogël ka qenë që në fillimet e veta me PS-në. Ndonjëherë shkalla e transformimit të njeriut është e paimagjinueshëm. Njëri prej tyre, merr azil politik në një vend tjetër. Më thotë një mik i imi se që në vitin 90-të e deri më sot villte vetëm vrer ndaj PD-së, sepse PD i mori pushtetin PPSH-së. Kjo është e vërteta! Duke vjellë vrer, fitoi azilin. Tani vjen në grevë. Është e drejtë e tij, sepse ne jemi vend i lirë.

Ky grup i vogël, e vërteta është se përfaqëson vetëm Skënder Tufën, Edi Ramën, Gramoz Ruçin dhe bamirësit e tyre. Ky nuk përfaqëson këtë shtresë. Nuk ua kemi zgjedhur ne, nuk ua kemi vënë për feste ne, Skënder Tufën. 

Thirrja ime për familjarët është absolutisht e sinqertë, sepse ata kanë ndarë dhimbje e vuajtje të madhe me ta dhe i njohin ata, më shumë se kushdo tjetër. Le të pyesë pak, ky zotëria i fundit, dajën e tij se përse ka hyrë në burg. U bëj thirrje familjarëve t’i tërheqin ata, nga një qëndrim shumë i padenjë, në rrafshin moral. Si kundërshtarë politikë, ne i respektojmë deri në fund, por për të përndjekur që pranojnë si menaxher në krye të tyre një trafikant, kjo është tragjike për ta. Edhe atë trafikant - menaxher ua kanë vendosur me qëllim, si përpjekje për të diskretituar rezistencën heroike, qëndresën e jashtëzakonshme e burrërore të qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë, në kampet e përqendrimit dhe burgjet e tmerrshme të diktaturës hoxhiste. Kjo është e vërteta për grevën.

Unë i garantoj ata se do të respektohen deri në fund, sepse ky është një vend i lirë. As të mos  shqetësohen se mund t’i nxjerrë kush nga greva dhe të mos dëgjojnë gënjeshtrat e PS-së. Një gabim që kam bërë para 17 vjetësh, nuk e bëj më, por atëherë isha mjek dhe më dhimbseshin se po vdisnin, ndërsa tani, unë respektoj në mënyrë të palëkundur, të drejtën demokratike të çdo qytetari. Ky është qëndrimi im. Është e dhimbshme se kë kanë nxjerrë në krye të grevës, por ose e kanë nxjerrë vetë, ose e kanë pranuar atë”.       


15/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›