E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Komunës së Plavës, në Mal të Zi, zotin Orhan Shamanoviq

Kryeministri Berisha priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Plavës,në Mal të Zi, zotin Orhan Shamanoviq.

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që zhvillonte këtë takim në prag të 100 vjetorit të pavarësisë me përfaqësuesin e një qyteti të shquar të patriotëve të mëdhenj shqiptarë, kryetarin e njërës prej komunave të përmendura për kontributin e saj në luftën e shqiptarëve për liri e pavarësi.

Duke vlerësuar potencialet e fuqishme të zhvillimit të Plavës dhe Gucisë Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të intensifikuar lidhjet me këtë komunë, edhe nëpërmjet projekteve infrastrukturore të tilla si zgjerimi i rrugës Plavë-Hani i Hotit, apo mbështetja e dhënë  për suksesin e projektit të rrugës Deçan-Plavë. “Ne do të bëjmë gjithçka që ky potencial ti shërbejë zhvillimit ekonomik të komunës suaj.” u shpreh kryeministri.

Nga ana  e tij, kryetari i Komunës së Plavës zoti Orhan Shamanoviq, shprehu kënaqësinë për mikpritjen e rezervuar nga kryeministri Berisha dhe vlerësoi angazhimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare që nëpërmjet marrëveshjeve të ndryshme të bashkëpunimit të nënshkruara me Malin e Zi kanë synuar nxjerrjen në pah dhe nxitjen e potencialeve turistike zhvillimore të dy zonave të  mirënjohura për  këto vlera, Plavës dhe Gucisë.

Kryetari i Komunës së Plavës, zoti Orhan Shamanoviq, në emër të qytetarëve të komunës së tij, ftoi Kryeministrin Berisha që në një kohë të përshtatshme të mund të vizitonte këtë komunë, ftesë të cilën, Kryeministri Berisha  e priti me kënaqësi.


15/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›